Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kandidatët për Mjekësi kërkojnë të shtohet numri i studentëve që mund të pranohen

Një grup i kandidatëve për studentë që nuk janë pranuar në Fakultetin e Mjekësisë kanë protestuar gjatë ditës së sotme para Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Kërkesa e tyre ishte që të shtohej numri i studentëve në këtë fakultet. Ministria ka thënë se nuk është në kompetencën e tyre ta tejkalojnë numrin e lejuar të studentëve

Dhjetëra kandidatë për studentë të cilët nuk ia kanë dalë ta plotësojnë kushtin për pranim në Fakultetin e Mjekësisë, kanë dalë të enjten të protestojnë para Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Kërkesa e tyre e vetme është që në listën e të pranuarve të shtohen edhe 75 studentë të cilët sipas tyre kanë mbetur jashtë për 2.5 pikë.

“Dje ka kaluar tërë dita duke u marrë, duke i dërguar kërkesat në institucionet që na është udhëzuar për m’i dërgu kërkesat, mirëpo për shkak që shumica na kanë bartë nga një institucion tek një tjetër, e kemi pasë të pamundur që sot të qëndrojmë në shtëpitë tona”, ka deklaruar Donjetë Haxhaj nga Vushtrria.

Sara Ramadani, nga Gjakova, ka thënë se mësimi online ka pasë efekte negative tek nxënësit, të cilët ishin kandidatë për studentë.

“Në Fakultetin e Mjekësisë aplikojnë rreth 900 persona dhe vetëm 124 personave u jepet e drejta që të jenë pjesë, duke i pezulluar edhe 75 persona të tjerë për më së shumti 2 pikë, edhe kjo është shumë shqetësuese për arsye që jo të gjithë kanë mundësi të shkollohen jashtë shtetit, edhe pse shteti ynë të mos na ofrojë mundësinë të jemi pjesë e UP-së. Qe dy vjet na kanë shkuar mësim online në kushte pandemie edhe të gjithë e dimë sa ka qenë e efektshme situata e pandemisë, edhe për këtë arsye ne kërkojmë rritjen e numrit shtimin e numrit 75 persona plus”, ka deklaruar Sara Ramadani.

Erona Husaj nga Peja ka thënë se një nga arsyet që nuk janë pranuar është edhe informimi jo i duhur.

Edhe Studentët e Mjekësisë mbesin pa bursa, shkaku i kuotës së 60 kredive Arbëri Studentët e Mjekësisë mbesin pa bursa, shkaku i kuotës së 60 kredive

“Një ndër arsyet pse ne po protestojmë sot është edhe që Universiteti i Prishtinës, fillimisht Fakulteti i Mjekësisë neve asnjëherë nuk na ka informuar për literaturën që ne duhet ta mësojmë për provimin pranues. Çdo vit nxënësit të cilët kanë aplikuar i kanë pasë vetëm 6 libra, tri të biologjisë dhe tri botime të kimisë”, ka thënë Husaj.

Kryetarja e Komisionit për provim pranues në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2021-2022, Sanije Hoxha-Gashi, ka thënë se pozitat e vetme të lira janë ato të rezervuarat për shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë e Malit të Zi.

“Në bazë të konkursit për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore bachelor për vitin akademik 2021-22, në Fakultetin e Mjekësisë janë planifikuar 420 studentë, prej të cilëve në Mjekësi të Përgjithshme janë planifikuar të pranohen 150, në Stomatologji 70, në Farmaci 50, Fizioterapi 50 dhe në Infermieri 100. Pas publikimit të rezultateve finale dje pas orës 17:00, kanë mbetur të lira 38 pozita, nga të cilat në programin Mjekësi e Përgjithshme kanë mbetur të lira vetëm tri pozita dhe atë për kuota të rezervuara në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi”, ka deklaruar Sanije Hoxha-Gashi.

Ministria e Arsimit, në përgjigjen me shkrim për KOHËN, ka thënë se nuk është në kompetencën e saj të shtojë kuotën e studentëve, por është e Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Sipas Ministrisë, tek universitetet publike, MASHTI mund t'i reduktojë kuotat e Agjencisë së Akreditimit, por në asnjë mënyrë nuk mund t'i tejkalojë ato.

Edhe Kërkesa e Zemajt për shtim të numrit të studentëve në Mjekësi shihet si ndërhyrje Arbëri Kërkesa e Zemajt për shtim të numrit të studentëve në Mjekësi shihet si ndërhyrje

“Sipas legjislacionit në fuqi, MASHTI nuk ka kompetencë që të tejkalojë numrin e lejuar të studentëve me vendimin e KShC-së. Kjo do të përbënte ndërhyrje në një institucion të pavarur. Praktikat e kaluara kur ministrat e Arsimit i kanë shtuar kuotat me vendime janë të paligjshme dhe nuk do të përsëriten më, pasi që ata studentë ende përballen me probleme për njohjen e diplomave të tyre. Pa një proces të ri të vlerësimit/akreditimit nga ekspertët ndërkombëtarë, nuk mund të shtohet numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë. Nëse ekspertët ndërkombëtarë do të rekomandonin rritjen e numrit të kuotave dhe ky propozim do të miratohej nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, atëherë mund të rriten kuotat me vendim të KSHC-së”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Ministria e Arsimit.

Kanë shtuar, se ata janë të hapur të takohen me nxënësit për çfarëdo teme, por që nuk do t’i tejkalojnë kompetencat e tyre. KOHA ka provuar të kontaktojë me Këshillin Shtetëror të Cilësisë në lidhje më këtë temë, por ata kanë qenë të paqasshëm.