Aktakuzat ndaj një pjese të drejtuesve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë kanë riaktivizuar pretendimet e ekzistencës së burgjeve të kësaj ushtrie në territorin shqiptar, përkatësisht në Kukës dhe në fshatin Cahan të Hasit, lokacione këto në kufi me Kosovën.
Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, lidhur me debatet e fundit për Raportin e Dick Martyt ka kërkuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, bazuar në nenin 77, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 24 të Rregullores së Kuvendit.
“Nisur nga debatet e ditëve të fundit në media e më gjerë për një çështje tejet të rëndësishme për opinionin publik, vendas dhe të huaj në lidhje me Raportin e Dick Marty-t, të paraqitur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKiE), mbi të cilin është miratuar Rezoluta 1782 (2011) e APKiE ‘Investigime të pretendimeve për trajtim çnjerëzor dhe trafik të paligjshëm organesh njerëzore në Kosovë’, proces ky i nisur që me mocionin për një rezolutë datë 15.04.2008, paraqitur nga anëtari i APKiE në atë kohë, Konstantin Kosachev , përfaqësues i Federatës Ruse, Grupi Evropian Demokrat, dhe duke marrë shkas nga: – shënimet e këtij raporti rreth rolit në luftën për çlirimin e Kosovës të disa drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë nga kryetari i Grupit parlamentar socialist Taulant Balla.
Me këtë komision, sipas tij, synohet të ketë një zbardhje të hetimeve lidhur me pretendimet për trajtim çnjerëzor dhe trafik të paligjshëm organesh njerëzore. Kjo iniciativë e Taulant Ballës vjen në vazhdën e qëndrimeve publike, nga ku ai ka kërkuar shpjegime nga Lulzim Basha se çfarë kontributi ka dhënë në hartimin e dosjeve kundër luftëtarëve të UÇK-së.
“Lulzim Basha i detyrohet një përgjigje shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e gjetkë, ku duhet të sqarojë rolin e tij tepër të dyshimtë e tinëzar në lidhje me hetimin e luftës së UÇK-së, si dhe në lidhje me të ashtuquajturat ‘burgjet e UÇK’-së në Shqipëri. Jam i bindur që këtë detyrim nuk do ta bëjë, por të paktën t’u kthejë përgjigje demokratëve, të cilët duhet të dinë rolin e Kryetarit të tyre de jure në këtë maskaradë antikombëtare, ku viktimat e gjenocidit serb po trajtohen si kriminelë, e ku lufta çlirimtare po akuzohet për krime lufte”, shkruante të martën në Facebook, Taulant Balla.
Mediat në Shqipëri kanë intervistuar në vitin 2010 ekspertin e OKB-së Jose-Pablo Baraybar, i cili tregonte se në Shqipëri kishte hyrë si turist, dhe në Kukës, kur kërkonte për burgjet e UÇK-së, kishte shkuar së bashku me Lulzim Bashën. Në bazë të aktakuzës së lexuar të hënën në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe të martën ndaj Kadri Veselit, thuhet se këto krime përveçse në disa lokacione në Kosovë janë kryer edhe në Shqipëri, në disa vende të quajtura ndryshe dhe ”burgje” të UÇK-së, në veri të Shqipërisë , për disa prej të cilave janë akuzuar prej vitesh Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi etj., që aktualisht po përballen me gjyqin në Hagë.
Në politikën shqiptare është ngritur një tjetër debat, pasi kryeministri Edi Rama për disa herë i ka pyetur publikisht Sali Berishën dhe Ilir Metën se pse votuan pro Raportit të Dick Martyt në Këshillin e Evropës. Përmes një reagimi në Twitter kreu i Qeverisë, Edi Rama, bën me dije se Beogradi nuk e donte atë raport, duke akuzuar kryedemokratin Basha se i merrte në pyetje shqiptarët për llogari të Dick Martyt. “Lulëzim! Përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë! E thuaje çfarë mendon për votën e PD-LSI pro Raportit të Dick Marty!”, shkruan Rama në Twitter.
Rama ka reaguar për këtë çështje dhe më herët, ku i kërkonte dhe presidentit Ilir Meta qëndrimin e tij për këtë dosje dhe pse votoi pro saj.
“Ilir, a mund t’ua thuash shqiptarëve pse e votove pro Raportin e Dick Martyt, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”, shkroi Rama.
Në janar të vitit 2011, në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës u debatua rreth Raportit të ish-prokurorit zviceran Dick Marty. Delegacioni i Shqipërisë në Asamblenë e Këshillit të Evropës votoi pro rezolutës kur Sali Berisha ishte kryeministër dhe Ilir Meta zëvendëskryeministër. Konkretisht, delegacioni shqiptar në këtë asamble përbëhej nga kryeministri Sali Berisha, zv.kryeministri Ilir Rusmali, si dhe nga opozita dy deputetët, Damian Gjiknuri dhe Shpëtim Idrizi. Sipas raportit të votimit të rezolutës së Dick Martyt, përfaqësuesi i Qeverisë së Berishës, Ilir Rusmali, votoi pro raportit, ndërsa Shpëtim Idrizi dhe Damian Gjiknuri ishin mes deputetëve që votuan kundër. Në fund të debatit, pro rezolutës votuan 169, ndërsa kundër ishin tetë europarlamentarë.
Nga ana tjetër, opozita e ka sqaruar se Qeveria e kaluar nuk e ka votuar kurrë Raportin e Dick Martyt, por një rezolutë që kërkonte hetim për çështjet e ngritura në atë raport që e inkriminonte UÇK-në.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dale të hënën para Dhomave të Specializuara. Thaçi bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin , sipas aktakuzës së publikuar nga Specialja, kishin dhënë udhëzime, instruksione dhe urdhra lidhur me kundërshtarët e tyre, por, përveç kësaj, ata thuhet të kenë marrë pjesë personalisht në frikësimin, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve.
Krahas lokacioneve që sipas aktakuzës gjenden në territorin e Kosovës, dy prej tyre janë evidentuar në territorin e Shqipërisë, pikërisht një në Kukës dhe një në Cahan të Hasit. Fshati Cahan është përfshirë në Raportin e deputetit zviceran Dick Marty, ku sipas këtij të fundit në këtë fshat, por edhe në qytetin e Kukësit kanë ekzistuar kampe të UÇK-së ku keqtrajtoheshin shtetas të Kosovës të dyshuar si bashkëpunëtorë të regjimit serb.
Prokurori amerikan në kuadër të EULEX-it, Robert Dean, ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër Sabit Gecit, Riza Alisë, Haki Hajdarit e Shaban Hoxhes. Geci, Alia, Hajdari e Hoxhau akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile të kryera në dy kampe të UÇK-së në Shqipëri, njëri prej tyre në Kukës dhe tjetri në fshatin Cahan. Sipas aktakuzës, Geci, Alia dhe Hajdari akuzohen se i mbajtën kosovarët që ikën nga konflikti dhe dyshoheshin për bashkëpunim me regjimin serb ose që kishin pikëpamje të ndryshme politike me ato të UÇK-së. Ndërkaq, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe vendorë, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, pas disa seancave gjyqësore dhe pas dëgjimit të një numri të madh dëshmitarësh të mbrojtur, të cilët janë mbajtur në kampe gjatë luftës në Kukës dhe Cahan, ka dënuar Gecin, Aliajn, Hajdarin dhe Hoxhën për veprën penale "Krime lufte kundër popullatës civile". Sabit Geci është dënuar me 15 vjet burgim, me 12 vjet është dënuar Riza Aliaj, Haki Hajdari me 6 e Shaban Hoxha me 7 vjet burgim. Por një akuzë e tillë, për keqtrajtime në Cahan të Hasit dhe në Kukës, tashmë ekziston edhe për Hashim Thaçin , Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.