Arbëri

Përmes peticionit kërkohet falje për rastin e Suzanës

Ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për faljen e Suzana Zogiani-Sekiraqa e cila në KTV dha rrëfimin e saj nga burgu se si i kishte dhënë fund dhunës dhe keqtrajtimit nga bashkëshorti duke e goditur me sëpatë.

Siç thuhet në arsyetimin e peticionit, ajo është dënuar me 25 vjet burgim, për vrasjen e të shoqit pas viteve të tëra të dhunës sistematike me të cilën ballafaqohej.

“Procesi i gjykimit ndaj saj nuk ishte i rregullt, ankesat nuk u morën parasysh, e dënimi ishte maksimal”, thuhet në peticion.

Ndërkohë që është kërkuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, të falë rastin e Zogiani-Sekiraqës.

Ndërkohë që edhe grupi “Haveit” ka kërkuar liri për Suzanën.

“Djallëzuar me mprehtësinë e britmave të ngujuara brenda vetës, gati... Liri për Suzanën”, thuhet mbi fotografinë që e kanë postuar në faqen e tyre në Facebook, ndërkohë që në duar mbajnë thika e sëpata.

Në Cosmo të KTV-së, Suzana tha se vrasjen e kishte kryer në gjendje të të tronditjes së thellë, pasi që e kishte parë të ndjerin teksa abuzonte me djalin e tyre. Zogiani-Sekiraqa e konsideronte të padrejtë dënimin prej 25 vjetësh burgim. Thotë se trupi gjykues nuk i ka marrë parasysh fare dëshminë e saj dhe të djalit për abuzimin.

Të shtunën lidhur me rastin ka reaguar edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se teksa ka dëgjuar rastin e Suzanës, ka kuptuar për padrejtësitë që bëhen në sistemin e drejtësisë.