Arbëri

24 vjet nga masakrat në Izbicë e Podujevë

Sot bëhen 24 vjet nga masakra e Izbicës në Skenderaj dhe ajo në Podujevë në familjet Bogujevci, Duriqi e Llugaliu.

Më 28 mars 1999, forcat serbe vranë 147 civilë shqiptarë në Izbicë të Skenderajt.

Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

Muhamet Alidemaj u arrestua para dy vjetësh pas kthimit nga Serbia në shtëpinë e prindërve të tij në fshatin Kërrninë të Istogut. Mbi të rëndojnë akuzat për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare, përfshirë pjesëmarrjen në Masakrën e Izbicës, për trajtim çnjerëzor, cenim të integritetit trupor dhe të shëndetit të popullatës civile, për plaçkitje e shkatërrim të pasurisë së civilëve dhe për pjesëmarrje në zhvarrosjen e kufomave të masakrës së Izbicës, që u rivarrosën në Suhodoll të Mitrovicës, në Novolan të Vushtrrisë e në një poligon të qitjes të policisë serbe në Batajnicë të Beogradit.

Në të njëjtën ditë, Kosova kujton edhe 14 anëtarët e familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, të vrarë në Podujevë.

Gjatë ditës krerët institucionalë pritet të bëjnë homazhe te Memoriali në Izbicë e te varrezat e familjeve Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë.



Krasniqi në Izbicë: Edhe në këtë përvjetor thërrasim për drejtësi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se 24 vjet pas masakrës së Izbicës, familjarët, shoqëria e shteti kërkojnë e janë të pritje të drejtësisë.

“Fatkeqësisht, janë mbi 400 masakra të kryera mbi popullsinë civile shqiptare, për të cilat, fare pak urdhërdhënës dhe ekzekutues kanë dalë para drejtësisë. Prandaj, edhe në këtë përvjetor të dhembjes, njëkohësisht krenarisë tonë kombëtare, thërrasim për drejtësi, të cilën akoma e presin dhe kërkojnë familjarët, shoqëria dhe shteti ynë. Lavdi të përjetshme të rënëve të Kosovës – dritës e diellit së lirisë dhe të ardhmes tonë!” ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Derisa ka bërë homazhe te kompleksi memorial në Izbicë, ai ka thënë se gra, fëmijë, burra e pleq vriteshin gjithandej, pa shkak e pa mëshirë.

“Sot, kujtojmë dhe nderojmë 147 martirët e një prej masakrave më të mëdha në Kosovë, asaj të Izbicës, të cilët, 24 vite më parë u vranë mizorisht nga regjimi kriminal serb. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, të vetëdijshëm për fundin që po u vinte, Serbia shtoi intensitetin e fushatës së tyre gjenocidale në Kosovë, përmes dëbimit, vrasjeve e masakrave mbi civilë të pafajshëm”, ka shkruar Krasniqi.


Haradinaj kujton masakrën e Izbicës: Rruga jonë drejt lirisë ishte plot vuajtje e sakrifica 

Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit dhe njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrën e Izbicës me rastin e 24 vjetorit të vrasjes, masakrimit dhe dëbimit të shqiptarëve nga forcat serbe.

Haradinaj ka thënë se atë ditë armiku nuk kurseu as gratë, fëmijët e pleqtë - as Dafinën 6-muajshe, eshtrat e së cilës u mbajtën për 18 vjet në Serbi.

“24 vjet më parë, ngjau një ndër masakrat më të mëdha të kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Më 28 mars 1999, në fshatin Izbicë forcat ushtarake e policore të Serbisë, vranë mizorisht 147 shqiptarë të pafajshëm. Atë ditë, armiku nuk kurseu as gratë, fëmijët e pleqtë - as Dafinën 6-muajshe, eshtrat e së cilës u mbajtën për 18 vjet në Serbi”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se masakra e Izbicës e shumë të tjera që kanë ndodhur në Kosovë, janë dëshmi e rrugës drejt lirisë, një rrugë të cilën e ka përshkruam me plot vuajtje e sakrifica.

“Sot, kujtojmë të gjithë ata që humbën jetën në këtë masakër, duke nderuar sakrificën e tyre, e cila u bë themel i lirisë sonë. Lavdi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.