Mbi dy dekada pas masakrës, gjashtë nga të vrarët janë ende të pagjetur. Presidentja Vjosa Osmani e kualifikoi masakrën e Izbicës si dëshmi të gjenocidit të Serbisë në Kosovë, e kryeministri Kurti e bëri zotimin për angazhim institucional për vënien e drejtësisë në vend
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe liderë të partive opozitare, të martën, në 24-vjetorin e masakrës së Izbicës, bënë homazhe te varrezat e 147 civilëve shqiptarë, të cilët u vrarë në këtë fshat nga forcat serbe.
Presidentja Osmani e kualifikoi masakrën si dëshmi që shteti serb kreu gjenocid në Kosovë, teksa tha se liria u bë e mundur edhe shkaku i të rënëve të Izbicës.
“Edhe Izbica është një ndër dëshmitë e shumta që shteti serb ka kryer gjenocid dhe qëllimin e kishte ta shfaroste popullin shqiptar. Ndaj edhe sot, këtu, ndajmë dhimbjen me të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre, sepse dhimbja e tyre është dhimbje e Kosovës. Liria u bë e mundshme shkaku i të gjitha këtyre viktimave, shkaku i luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, natyrisht, sakrificës së të gjithëve”, ka thënë Osmani.
E kryeministri Kurti e bëri zotimin për angazhim institucional që drejtësia të vihet në vend për të gjitha viktimat e regjimit serb.
“Masakra e Izbicës ndodhet në aktakuzat e 6 krerëve të lartë shtetërorë, politikë, policorë, ushtarakë të Serbisë dhe është dëshmi e gjenocidit të Serbisë dhe për drejtësinë, për viktimat dhe familjet, që janë gjithashtu viktima dhe i gjithë populli, do të angazhohemi përjetë, vazhdimisht edhe si institucione, edhe si qytetarë”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri e kujtoi edhe të mbijetuarin e masakrës Mustafë Dragaj, që vdiq disa muaj më parë e që ka dëshmuar në Hagë në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj Slobodan Millosheviqit.
Në Izbicë homazhe bëri edhe kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, me ç’rast bëri thirrje për drejtësi.
“Edhe në këtë përvjetor të dhembjes, njëkohësisht krenarisë sonë kombëtare, thërrasim për drejtësi, të cilën akoma e presin dhe e kërkojnë familjarët, shoqëria dhe shteti ynë”, u shpreh Krasniqi.
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i përkujtoi viktimat e masakrës së Izbicës si themeltare të lirisë.
“Masakra e Izbicës e shumë të tjera që kanë ndodhur në tokën tonë janë një dëshmi e rrugës sonë drejt lirisë, një rrugë plot vuajtje e sakrifica. Sot kujtojmë të gjithë ata që humbën jetën në këtë masakër, duke nderuar sakrificën e tyre, e cila u bë themel i lirisë që e gëzojmë sot”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Masakra e Izbicës është njëra prej krimeve më të mëdha që ka kryer Serbia në Kosovë gjatë luftës së fundit.