Arbëri

Ujmani për pak sa nuk e prishi Qeverinë

Ujmani - Marreveshja e Washingtonit
 

Tensionet dhe përplasjet brenda partnerëve të koalicionit në Prishtinë e Washington i kanë paraprirë marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, të premten e kaluar. Mospajtimet kishin arritur deri në pikën që rrezikonin koalicionin qeverisës. Kjo, pasi insistimi i kreut të AAK-së, Haradinaj, se pika që parasheh ndarjen e resurseve të Liqenit të Ujmanit mes Kosovës dhe Serbisë është i papranueshëm, ishte përballur me heshtje nga partneri qeverisës, LDK-ja, dhe presion nga zyrtarët amerikanë në Washington. Këtë e shpjegon një burim i afërt me zhvillimet, i cili tregon se krerët e AAK-së ende janë të irrituar me incidentin rreth Ujmanit, posaçërisht pasi tani kryeministri Hoti, në paraqitjet publike, pretendon se pika rreth Ujmanit ka qenë e njëjtë që prej fillimit.

Në një intervistë dhënë “RTV Dukagjinit”, të shtunën, kryeministri Hoti tha se nuk ka pasur ndryshim në pikën ku flitet për Ujmanin. “Nuk ka pasur asnjë ndryshim për marrëveshjen. i vetmi ndryshim ka qenë marrëveshja për Izraelin”, ka thënë Hoti.