Arbëri

EULEX-i thotë se nuk e ka arrestuar Zogjanin

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Misioni i Sundimit të Ligjit në Kosovë, EULEX-i, mohon ta ketë arrestuar Adem Zogjanin, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një deklaratë për KOHËN, EULEX-i pretendon se janë të pavërteta raportimet se ata kanë ndaluar dhe dërguar në Hagë, Zogjanin.

“EULEX-i nuk e ka arrestuar Zogjanin. Informatat se është arrestuar Zogjani janë të pavërteta. EULEX-i nuk ka njohuri për vendndodhjen e këtij individi”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Dje, i biri i Zogjanit, Liridon Zogjani tha se babait i tij është ftuar nga misioni i EULEX-it të enjten në mëngjes, por këtë postim më vonë e ka fshirë nga Facebook-u.

Image

Të enjten në mbrëmje, KOHA ka kërkuar një sqarim edhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, nëse Zogjani ishte pjesë e dhjetë personave ndaj të cilëve u publikua aktakuza, e ku përfshihej edhe presidenti Hashim Thaçi e kreu i PDK-së, Kadri Veseli. Zyra për media e këtij institucioni ka thënë se s’ka informata dhe nuk e ka komentuar rastin.