Arbëri

Adem Zogjani dërgohet në Hagë, sipas familjes

Përditësim, 26 qershor 2020 - 16:00

Misioni i EULEX-it ka mohuar deklarimet e familjes Zogjani për arrestimin e ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe dërgimin e tij në Hagë.



Adem Zogjani, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është dërguar në Hagë, sipas familjarëve të tij.

I biri i Zogjanit, Liridoni, në një postim në Facebook, ka thënë se babai i tij ishte ftuar nga misioni i EULEX-it në mëngjesin e së enjtes dhe nga aty “është dërguar për në Hagë, pa e ditur dhe pa e kuptuar as ai dhe as familja”.

Në postimin e tij, Zogjani ka thënë se ai është ftuar nga Prokuroria Speciale për periudhën e luftës.

Dërgimi i Zogjanit në Hagë bëhet një ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale konfirmoi se ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, dhe zyrtarëve të tjerë të UÇK-së.

Në zgjedhjet e fundit lokale, Zogjani ishte kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë-Kosovës.

Zyra për Media e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk ka pranuar të komentojë rastin.