Arbëri

Vdes një tjetër pacient me COVID-19 në Kosovë

Foto: Alban Bujari / KOHA

Një pacient me COVID-19 ka vdekur mbrëmë, ka bërë të ditur Klinika Infektive në raportin e saj të hënën.

Sipas raportit, bëhet fjalë për një 70-vjeçar nga Komuna e Vushtrrisë.

“Mbrëmë në Repartin e Mjekimit Intensiv të klinikës ka ndërruar jetë pacienti 70-vjeçar nga Komuna e Vushtrrisë, i pranuar me 13.06.2020, i cili përveç infeksionit me Covid -19 kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, sot në Infektive janë të shtrirë 97 pacientë, prej tyre 93 me COVID-19.

“Në klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sipas raportit të datës 22.06.2020, janë të hospitalizuar 97raste.

Prej tyre të sëmurë me Covid -19 janë gjithsej 93 raste. Sot, lirohet 1 rast i shëruar nga infeksioni me Covid- 19 dhe po ashtu, lirohet 1 rast pozitiv në gjendje stabile për vetizolim në shtëpi.

41 raste janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Ne repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 5 raste në gjendje kritike”, thuhet në raport.

Numri i të vdekurve në Kosovë si pasojë e COVID-19 është rritur në 37.