Arbëri

Ahmeti sugjeron ndryshimin e qasjes për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka sugjeruar të ndalet testimi i kontakteve të rasteve me koronavirus, e fokusi të kthehet kah testimet serologjike. Ai ka sugjeruar që në institucionet publike të testohen vetëm rastet me simptome e të ketë analizë të komplikimeve të pacientëve për të ndërtuar një profil të komplikimeve.

Në një postim në Facebook, Ahmeti ka thënë se hovi i virusit nuk duhet të ndalet duke dëmtuar ekonominë. Ai ka sugjeruar edhe krijimin e një aplikacioni ku qytetari mund të dëshmojë lehtë se a është testuar apo ka kaluar virusin.

Në listën e sugjerimeve për ndryshimin e qasjes ndaj parandalimit të shpërndarjes së koronavirusit, Ahmeti pikë të parë ka renditur mosndjekjen e testimeve të kontakteve. Ai ka thënë se “gjurmimi epidemiologjik është bërë i pamundur, një rast pozitiv nuk ka mundësi të identifikojë të gjithë njerëzit që i ka takuar në rrugë, në punë, në restorant, në bankë, në protestë etj. Pra, është e pamundur të ndiqet virusi në këtë mënyrë”.

Si pikë të dytë, Ahmeti ka kërkuar të bëhen teste serologjike.

“Me 1000 teste serologjike (të gjakut dhe të shpejta) ne do të kuptojmë se sa njerëz si përqindje e kanë pas virusin dhe e njëjta mostër mund të përdoret për të ditur sa e kanë. IKSHP sot nuk e ka (e do të duhej ta kishte) vlerësimin shkencor të zhvillimit të virusit në Kosovë. Kjo do të na mundësonte që të kuptojmë situatën në Komuna, strukturën demografike dhe informata të tjera për imunitetin kolektiv. Komuna e Prishtinës mund ta bëjë brenda javës këtë në qofte se na lejohet për të gjitha komunat”, ka shkruar ai.

Ahmeti ka kërkuar që në institucionet publike të testohen vetëm rastet me simptome që paraqiten në këto institucione.

Pika e katërt e propozuar nga Ahmeti është decentralizimi i testimeve në institucionet e tjera publike në komuna dhe klinika private me rregulla të qarta se cilat lloje të testeve pranohen.

“Këtu mund të testohen vullnetarisht qytetarët që duan të dinë a e kanë virusin. Kjo të bëhet me pagesë dhe rezultatet të dërgohen në IKSHP në mënyrë obligative. Në Kosovë janë 43 mikrobiologë dhe ka kapacitete testuese”, ka vazhduar i pari i kryeqytetit.

Sipas Ahmetit, duhet të bëhet analizë e komplikimeve të pacientëve që nga fillimi i pandemisë dhe të fataliteteve dhe të ndërtohet profili i komplikimeve.

“Në qoftë se del se të rrezikuar në vendin tonë janë të moshuarit dhe ata me sëmundje shoqëruese (dhe çfarëdo grupi tjetër) atëherë politikat preventive duhet të fokusohen në këto grupe prej ndalesës së lëvizjes e deri të udhëzimet e qarta si të veprohen ne shtëpitë ku ka të moshuar dhe me sëmundje shoqëruese”, është shprehur Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se Qeveria dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë duhet të marrë masa për skenarët e mundshëm.

“Fokusi i trajtimit të jetë në përballimin e fluksit të pacientëve me komplikime. Qeveria - rrjedhimisht IKSHP duhet të kenë skenarë dhe të kërkojnë ndihmën e Komunave, në skenarin kur nuk janë më shumë se 200 të shtruar apo 80 në nevojë për oksigjenoterapi, skenari dy ku nevojiten hapësira dhe shtretër shtesë – për shembull ne si Prishtinë kemi mundësi e deri te skenari i rëndë i mungesës së respiratorëve. Përndryshe institucionet pa plan janë institucione në panik, e institucionet në panik janë pasojë për qytetarët”, ka thënë Ahmeti.

“Hovi i virusit duhet të ndalet me kufizime sipas mundësive por jo duke dëmtuar aktivitetin ekonomik. Ata që nuk janë ne grupet e të rrezikuarve të kujdesen me maska e distancë me përgjegjësi personale. Numri i rasteve me virus nuk është alarmant në qoftë se nuk shtohet numri i të shtruarve dhe me komplikime. Në fakt ndërtohet një imunitet kolektiv”, ka shpjeguar Ahmeti pikën e shtatë të sugjerimeve.

Në pikën e tetë ai ka kërkuar ndërtimin apo blerjen e një aplikacioni për të dëshmuar më lehtë qytetarë se a janë testuar apo që kanë kaluar virusin.

“Ne duhet të mësohemi të jetojmë me virusin deri në zbulimin e vaksinës. Kjo nuk është vala e dytë, në fakt është pjesa e dytë e valës së parë. Për të përfunduar vala e parë duhet të kalojnë 28 ditë me zero raste. Prandaj, këto masa na ndihmojnë edhe për këtë fazë e edhe për valën e dytë potenciale në vjeshtë. Në qoftë se bashkëpunojmë do të ja dalim pa pasoja të mëdha shëndetësore. Përndryshe, Prishtina do të veprojë në këtë drejtim si komunë për kuptuar edhe më mirë situatën edhe për të reaguar më mirë”, ka përfunduar Ahmeti.

Prishtina ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të rasteve me koronavirus ditëve të fundit. Deri tash në Prishtinë janë regjistruar 261 raste me koronavirus, nga 1756 sa janë në nivel vendi.