Arbëri

Hoti: Në Washington shkojmë për njohje reciproke, jo për të diskutuar për territore

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se takimi i ftuar për 27 qershor në Washington, mes Kosovës e Serbisë, do të jetë nisje e procesit për njohje reciproke. Sipas tij, qëndrimi i Kosovës është vetëm kërkesa për njohje reciproke, dhe s’do të diskutohet për shkëmbim territoresh.

Sipas Hotit, delegacioni i Kosovës për këtë takim do të formohet në ditët e ardhshme, ndërsa ka shtuar se ai do të përfaqësojë Qeverinë e Kosovës.

“Në takimin në Washington fillojmë procesin e dialogut për njohje reciproke. Në atë takim unë do përfaqësoj qeverinë e Kosovës në bazë të Kushtetutës. Delegacioni do formohet në ditët e ardhshme. Nuk kemi asnjë hezitim në këtë drejtim. Atë që kemi bërë gjatë këtyre ditëve, siç e keni pa, kemi bë koordinimin brenda koalicionit për të ndërtuar qëndrimin tonë, të cilin e kemi bë publik. Kemi zgjatur dorën te opozita, kemi kërkuar të na dëgjojnë. Kemi informuar vendet tona mike. Na duhet ndërtimi i konsensusit me përfshirjen e opozitës”, ka thënë Hoti.

“Ne shkojmë në këtë takim me qëndrim të qartë të shtetit të Kosovës, për të filluar dialogun për njohje reciproke. Ky nuk është dialog për normalizim të marrëdhënieve, ai është derivat i njohjes. Mendoj që ka shumë konspiracion për këtë çështje, ne ulemi në dialog si palë e barabartë. Për shkëmbimin e territoreve po ngrini hipoteza. Për të hequr këto hipoteza ne kemi platformën për dialog. Nuk kam mandat për të diskutuar për shkëmbime territoriale. Besoj që kemi vendosur kornizë. Nuk shkoj atje për të diskutuar tema që bien ndesh edhe me Kushtetutën, por edhe me qëndrimet tona”, ka deklaruar Hoti në konferencën për media.

Takimi për 27 qershor në SHBA u ftua nga i dërguari special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.