Arbëri

SHBA-ja nis ndihmën për Kosovën pas heqjes së reciprocitetit

Foto: Alban Bujari / KOHA

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC), ka mirëpritur shfuqizimin e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe ka njoftuar për rinisjen e zbatimit të programeve të zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Përmes një komunikate për media, MCC tha se mirëpret vazhdimin e partneritetit me Qeverinë e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin zgjidhjen e çështjeve të tarifave dhe heqjen e masave të reciprocitetit ndaj mallrave serbe. MCC do të rinisë zbatimin e programeve në Kosovë. Mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit me popullin dhe Qeverinë e Kosovës, në punën tonë të përbashkët për të zbutur varfërinë përmes rritjes ekonomike”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mirëpriti vendimin e MCC-së për të zhbllokuar fondet për Kosovën.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret vendimin e MCC-së për zhbllokimin e fondeve dhe rinisjen e zbatimit të programeve të zhvillimit në Kosovë”, tha Hoti përmes një postimi në Twitter.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se zhbllokimi i fondeve të MCC-së është një lajm tjetër i mirë për Kosovën.

“Miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka çmim. Partneriteti i përhershëm me Uashingtonin është rrugë e vetme që çon drejt një të ardhmeje të sigurt për Kosovën, në paqe e prosperitet për gjithë qytetarët tanë”, shkroi Thaçi në Facebook.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit kishte njoftuar në mars për pezullimin e programeve në Kosovë, për shkak se në fuqi ishin ende tarifat kundër mallrave serbe, ndonëse SHBA-ja vazhdimisht kishte bërë thirrje për heqjen e tyre. Vlera e një programi që MCC-ja pezulloi në muajin mars, kapte vlerën prej 50 milionë dollarësh.

Qeveria e Kosovës të shtunën vendosi për shfuqizimin e masës së reciprocitetit me Serbinë, që kishte hyrë në fuqi në prill të këtij viti.

Largimi i taksës 100 për qind, por edhe më pas të reciprocitetit, vazhdimisht është kërkuar nga SHBA-ja.