Në ditën e tretë të punës, qeveria e re në krye me Avdullah Hotin ka hequr masën e reciprocitetit me Serbinë.
Ekzekutivi, në mbledhjen e mbajtur të shtunën, ka shfuqizuar vendimet e Qeverisë së kaluar Kurti për aplikimin gradual të kësaj mase ndaj shtetit serb.
Kryeministri Hoti ka thënë se heqja e kësaj mase nënkupton largimin e pengesave për vazhdimin e dialogut.
Në mbledhjen ku përfaqësuesit e AAK-së votuan kundër heqjes së reciprocitetit, ekzekutivi nuk ka vendosur ndonjë afat se deri kur ka kohë Serbia të ndalë fushatën ndërkombëtare kundër Kosovës.
Udhëheqjen e dialogut Hoti ka thënë se do ta bëjë ai si kryeministër dhe se kompetencat e tij për këtë proces nuk mund t’i jepen Presidentit, raporton KOHA.
Më 20 mars qeveria e atëhershme në detyrë Kurti, kishte marrë vendim për heqjen e tarifës ndaj importit të lëndës së parë nga Serbia.
Përmes një vendimi tjetër, më 1 prill kishte nisur zbatimin e masave të para të reciprocitetit.
Ndërsa më 31 maj, tri ditë para formimit të ekzekutivit të ri, Qeveria në detyrë ashpërsoi reciprocitetin.
Reagime të shumta për vendimin, lëvdata nga Brukseli e Beogradi, kurse kritika e mbështetje nga Prishtina
Reagime të shumta kundërshtuese e mbështetëse ka sjellë vendimi i Qeverisë për heqjen e reciprocitetit me Serbinë.
Ish-kryeministri Albin Kurti, i cili kishte vendosur këtë masë, e ka quajtur qeverinë Hoti si të paligjshme dhe në shërbim të Serbisë.
Kurti ka shtuar se me heqjen e reciprocitetit Kosova do të shkojë në dialog si fajtore për vonesën e rifillimit të dialogut.
Vendimin e ekzekutivit e ka kundërshtuar edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është nënkryetare e partisë së kryeministrit Hoti.
E, presidenti Hashim Thaçi, duke përshëndetur shfuqizimin e reciprocitetit, ka kërkuar që t’i bëhet presion Serbisë për dialogun.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ekzekutivi ka marrë një vendimin të guximshëm.
Ndonëse me kritika për Qeverinë, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar se ekzekutivi ka bërë mirë që ka hequr këtë masë.
Lëvdata për vendimin e së shtunës, qeverisë Hoti i kanë ardhur nga Brukseli e Beogradi.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ky vendim është hap i duhur i Kosovës për vazhdimin e bisedimeve.
Kurse, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur lajm të mirë largimin e masës tregtare.
Dialogu Kosovë – Serbi u ndërpre në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës, që atëherë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
-
Nga: Mehmet Krasniqi
-
6 qershor 2020 21:03
-
Shpërndaje në: