Arbëri

Kurti: Kushtetuesja të lihet e qetë, të mos ketë kërcënime

Foto: Qeveria e Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet të lihet e qetë, duke ndërlidhur kërcënimet ndaj tij me kërcënime ndaj kësaj gjykate.

Një ditë pasi tha se ka marrë kërcënime nga Garda Vullnetare Shqiptare, Kurti gjatë një vizite menaxhmentit të Trepçës deklaroi se kërcënimi s’ishte ndaj tij, por ndaj Gjykatës Kushtetuese. Ka thënë se “siç duket presidenti është në panik”.

“Ata që më kanë kërcënuar mua, nuk mund ta kenë pasur me mua, për shkak se ata e dinë se tek unë nuk funksionojnë kërcënimet. Ata e kanë pasur me dikë tjetër, e kanë pasur me Gjykatën Kushtetuese, sepse duket se është në panik presidenti, të cilit po i humbet rasti...Unë dua që Gjykata Kushtetuese të lihet e qetë, të mos ketë këso kërcënimesh as ndaj kryeministrit e as ndaj kujtdo tjetër, dhe me profesionalizëm e paanshmëri ta sjellin vendimin e drejtë dhe meritor”, ka thënë Kurti, raporton KP.

I pyetur nga mediat se kur do të vizitojë pikat kufitare në veri, Kurti ka deklaruar se do të vizitojë çdo cep të Kosovës, duke përfshirë edhe veriun e vendit.

Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, është ankuar në Gjykatën Kushtetuese për dekretin e Thaçit për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër. Dekreti është pezulluar deri më 29 maj.