Dy të rinj kanë zgjedhur që lidhjen e tyre ta kurorëzojnë me martesë. Data nuk është zgjedhur rastësisht.
Karakteristikat e datës 22.2.2022 kanë bërë që Dionis Ramadani e Ardita Gashi të vendosin që kurorë të lidhin të martën.
“Ndoshta që është datë më jubilare dhe kemi pas qejf me mbajt mend datën, me qenë pak ma e veçantë se të tjerat”, është shprehur ai.
Ramadani e Gashi janë në mesin e 30 çifteve, kërkesa e të cilëve është pranuar nga Komuna e Prishtinës, që të kurorëzohen në këtë datë.
Numri i madh i kërkesave ka bërë që të mos mund të realizohen të gjitha.
“Datat 2, 14 dhe 22, janë data shumë të veçanta për kurorëzime, por 22-ta është data kur ka më së shumti kërkesa, sot janë 30. Kërkesa ka pasur aq shumë saqë s’kemi mundur t’i pranojmë më shumë se 30”, ka thënë Fitore Qunaku, zyrtare e Ofiqarisë në Prishtinë.
Kërkesa të shumta për kurorëzim në këtë datë karakteristike ka pasur edhe në Komunën e Ferizajt.
“Gjithsej të regjistruara kemi 50 shpallje ku qytetarët kanë shprehur vullnet për të lidhur kurorë për shkak të karakteristikave të cilët ata pretendojnë tek data. Për arsyeje se kemi datë, muaj dhe vit ku janë të përbërë prej dy numrave 22.02.2022”, ka thënë Nesret Ademi, shef i Zyrës së Ofiqarisë në Ferizaj.
Në mesin e 50 çifteve në Ferizaj janë lidhur kurora edhe me shtetas të huaj.
Njëri ndër ta ishte edhe Vehbi Shabani nga Ferizaj, i cili është kurorëzuar me Sandra Cados nga Portugalia.
Zyrtarët komunalë sqaruan se janë munduar për të menaxhuar të gjitha kërkesat e qytetarëve.