Arbëri

Ish-ministrat rrezikojnë deri në pesë vjet burg për “faljen e hidrocentraleve”

Në tetorin e vitit 2012, katër ministra të Qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga Hashim Thaçi, e kishin ngritur dorën, për të miratuar shitjen e Distribucionit dhe Furnizimit për 26.3 milionë euro.

Në këtë shitje të aseteve publike ishin kontrabanduar hidrocentrale të vogla dhe këta ish-ministra, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq do të thonin se nuk kanë pasur njohuri se janë aty.

Në listën e aseteve që i janë bartur konsorciumit “Calik & Limak” ishin “përvjedhur” katër hidrocentrale, me një kapacitet të instaluar prej 14 megavateve. Në to, gjatë viteve të fundit, janë investuar miliona euro, raporton KOHA. Kostoja e ndërtimit të një megavati shkon deri në 2 milionë euro.

Nuk dihet sa është vlera e tregut e hidrocentraleve, por nëse merret një mesatare e mjeteve të investuara në këto hidrocentrale dhe kostos së ndërtimit të hidrocentraleve të reja, del që kanë një vlerë rreth 20 milionë euro.

Falja e katër hidrocentraleve duket të jetë bërë në mënyrë të mistershme, duke i kontrabanduar gjatë procesit të privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit. Palët e përfshira ia hedhin fajin njëra-tjetrës për faljen e hidrocentraleve. Ministrat që kanë votuar për privatizimin e KEDS-it i kishin thënë “Kohës Ditore” se nuk kanë qenë të informuar se janë duke i shitur edhe hidrocentralet së bashku me rrjetin e shpërndarjes së energjisë. Kjo gjë mohohet kategorikisht nga KEK-u, të cilët e bëjnë përgjegjës Ministrinë e atëhershme të Zhvillimit Ekonomik, e cila i ka pasur të gjitha informatat si bartëse e procesit të privatizimit. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka pasur dy këshilltarë të transaksionit, të cilët kanë qenë përgjegjës së bashku me njësinë e privatizimit për të gjitha çështjet e privatizimit. Deloitte dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) e kanë këshilluar Qeverinë për këtë transaksion që nga fillimi i procesit.

Të premten, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 19 personave për këtë rast, të njohur si falja e hidrocentraleve. Aty përfshihen edhe katër ish-ministrat, të akuzuar për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”. Kjo vepër penale i takon kapitullit të veprave penale të korrupsionit. Gjykimi eventual i këtij rasti do të bëhej sipas Kodit Penal që është shfuqizuar para disa muajsh. Një gjë e tillë ndodh për shkak që të akuzuarit që akuzohen për ndonjë vepër penale në kohën kur ka qenë në fuqi ndonjë bazë ligjore më e favorshme e përdorin atë. Kjo vepër, sipas Kodit Penal të vjetër, është e dënueshme deri në pesë vjet.

Pas ngritjes së aktakuzës, Gjykata Themelore në Prishtinë duhet të gjykojë këtë rast, të nxjerrë aktgjykim e pastaj Gjykata e Apelit ta shqyrtojë këtë aktgjykim. E gjithë kjo duhet të zhvillohet për rreth 2 vjet nëse aktakuza ngrihet brenda afatit ligjor. Gjykata Themelore në Prishtinë është e “dëshmuar” për zvarritje në gjykimet e rasteve të korrupsionit. Një nga rastet e gjykimeve, që është përfunduar për vetëm disa seanca, është gjykimi në rastin “Pronto”. Aktakuza është ngritur më 6 prill të vitit 2018, ndërsa aktgjykimi i shkallës së parë do të shpallet më 3 janar 2020. Në 99 për qind të rasteve aktgjykimi i shkallës së parë ankimohet në Gjykatën e Apelit. Në shumicën e rasteve të rasteve të korrupsionit, Gjykatës së Apelit i duhet rreth një vit kohë pas aktgjykimit të shkallës se parë që të marrë vendim.