Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për lirimin nga akuza të katër ministrave të ish-Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqaj e Dardan Gashi, në rastin e njohur si “afera e hidrocentraleve”.
Në aktgjykimin e publikuar të mërkurën, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesë ne Prokurorisë të Prokurorisë Speciale duke vërtetuar aktgjykimin e Themelores.
Për rastin “Falja e Hidrocentraleve”, katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2 akuzoheshin se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së KEK-ut. Hetimet për këtë aktakuzë patën nisur pas një raportimi në Koha Ditore.
Ish-zyrtarët patën votuar që Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, ai në Dinakcë dhe Hidrocentrali i Radavcit të kalojnë në pronësi të kompanisë “Limak-Calik”.
Rasti “Falja e Hidrocentraleve” ka rreth 10 vjet që ka nisur. Megjithatë, është përcjellë me zvarritje kohë pas kohe, përveç në hetime, edhe në procesin gjyqësor.
Dështim seancash ka pasur kohë pas kohe. Sipas një analize të publikuar nga KOHA kohë më parë, lënda rrezikonte të parashkruhej, meqë gjyqësori nuk ka shumë kohë që ta përfundojë këtë rast me aktgjykim të formës së prerë.
Në të dy shkallët për këtë rast do të duhej të vendosej deri në majin e vitit 2023. Në rast se një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë për të akuzuarit rrezikohej që lënda të vdesë juridikisht për shkak të parashkrimit absolut.
Në rast ishin të përfshirë fillimisht më shumë zyrtarë. Megjithatë, për 13 prej tyre ishte vendosur për pushim hetimesh.