Arbëri

Bodo Weber e Toby Vogel: Lajçak nuk bën për ndërmjetës, është proserb dhe nga vendi që nuk e njeh Kosovën

 

Bodo Weber dhe Toby Vogel, bashkëpunëtorë të lartë të Këshillit për Politikë të Demokratizimit në Berlin e Bruksel, përmes një analize për EUobserver pohojnë se Mirosllav Lajçak nuk do të ishte i përshtatshëm për të dërguar special të BE-së për Beograd e Prishtinë. Ndër shumë shkaqe që rreshtojnë në favor të pohimit të tyre ata veçojnë si fakt kryesor se vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, transmeton Koha.net.

Në tekstin me titull “Pse Mirosllav Lajçak është zgjedhje e gabuar për të deleguar të BE-së”, ata vlerësojnë, shikuar sipërfaqësisht, se Lajçak vepron si dikush që ka kualifikimet e nevojshme për këtë funksion, meqë flet gjuhën serbe dhe ka qenë i dërguar i BE-së për mbikëqyrjen e referendumit për pavarësinë e Malit të Zi më 2006, dhe përfaqësues special i BE-së për BeH nga 2007 deri më 2009, kur ka ushtruar funksionin e përfaqësuesit të lartë , dhe thonë se di edhe të “notojë” në burokracinë e Brukselit.