Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar ish-kryetarin e tij, kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh të nominuarin për kryeministër, Albin Kurti, për heshtje ndaj marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd si dhe për komentin që e bëri gjatë ditës së sotme me rastin e 14 vjetorit të vdekjes së presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Molliqaj, në një postim në Facebook, ka kritikuar edhe qeverinë në largim dhe partitë tjera parlamentare që e lavdëruan këtë marrëveshje, sepse, siç tha ai, me këtë marrëveshje, Serbia arriti që çdo qarkullim ajror që bëhet nga dhe drejt Prishtinës e që duhet të kalojë kah hapësira ajrore e Serbisë, të monopolizohet vetëm nga një kompani – që në anën tjetër mund të shërbejë edhe si ndërmjetësuese potencialisht për kompani ajrore të Serbisë, raporton Koha.net.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi thotë se kjo marrëveshje u nënshkrua duke u bazuar në Rezolutën 1244 dhe aty Kosova nuk u përfaqësua as si palë, por vetëm si një agjension.
“Është i papranueshëm lavdërimi i kësaj marrëveshjeje nga pushteti në shkuarje dhe partitë e tjera parlamentare. Është po aq i papranueshëm mos-reagimi i të nominuarit për Kryeministër, që u votua nga qytetarët bash duke premtuar reciprocitet e barazi në raportet e Kosovës me Serbinë”, tha Molliqaj.
Kreu i PSD-së tha se Kurti komentoi për vdekjen e Rugovës për herë të parë pas 14 vjetësh, dhe thotë se këtë e bëri “vetëm dhe vetëm sepse po i duhet për pushtet”.
“Sot, për herë të parë pas 14 viteve, gjeti vullnetin dhe kohën për të komentuar për Rugovën, vetëm dhe vetëm sepse po i duhet për pushtet. Dhe sot, për herë të parë pas 15 vitesh, nuk e kundërshtoi një marrëveshje shumë të dëmshme me Serbinë, vetëm dhe vetëm nga frika që po mbetet pa arritur në pushtet”, deklaroi ish-deputeti i VV-së.
Ai tha se “ky është një paralajmërim i qartë që edhe nën qeverinë e tij, Kosova do të dëmtohet shumë në raport me negociatat me Serbinë”.