Partia Socialdemokrate ka vazhduar fushatën elektorale me kritika ndaj kundërshtarëve politikë.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar ndaj presidentes, Vjosa Osmani, pasi ajo gjatë një tubimi në Lipjan, ka ngritur grushtin dhe ka thirrur emrin e Ibrahim Rugovës.
Molliqaj e ka sfiduar Osmanin të gjejë “ndonjë paraqitje të Ibrahim Rugovës me grusht”, duke thënë se ajo nuk e njeh rugovizmin dhe po përpiqet të fshihet pas figurës së Rugovës për shkak të garës politike.
“Vjosa Osmani po fshihet pas Ibrahim Rugovës nga panika që do të humb. A e dini pse e ka këtë panik? Se në thelb nuk ka as ide, as çështje e as parime që po i shtyen përpara. Veç po kërkon pushtet për vete. Bile edhe duke e përdorë Rugovën me simbole të gabuara”, ka thënë ai.
Ai ka reaguar edhe ndaj kryeministrit në detyrë dhe kandidatit të VV-së për edhe një mandat, Albin Kurti, i cili në një intervistë ka folur për rritjen e FSK-së dhe armatosjen e saj.
“Synimi i jonë si shoqëri duhet të jetë rritja e mirëqenies, barazisë e drejtësisë. Po ashtu edhe fqinjësi të mirë me vendet përreth nesh. Militarizimi është thirrje për të kundërtën, prandaj duhet ta refuzojmë”, ka thënë ai.
E në një postim tjetër ka kritikuar gjithë opozitën dhe kandidatët e saj për mënyrën e jetesës që bëjnë.
“Një njeri që e sheh politikën veç si urë lidhëse drejt biznesit e luksit, ai nuk mund të bëj opozitën e as të marrë pushtetin. Në këto zgjedhje, voto PSD-në që politikën e opozitarizmin e ka përnime”, ka shkruar ai.
Edhe
PSD: S’na duhen njerëz që qëndrojnë gatitu për të shkuar te Kurti
Ndërkohë, kandidati për deputet nga kjo parti Frashër Krasniqi ka kritikuar, kandidatin e PDK-së për deputet Uran Ismailin, dhe qeverisjen e përbashkët të kësaj partie me LDK-së në Prishtinë për situatën me mbeturinat. Ai ka thënë se “kriza e bërllokut është aty ku qeveris Urani edhe LDK-ja”, ndërsa ka vënë në dyshim zotimet e tyre për zgjidhjen e problemeve të tjera të qytetarëve.
Kandidatja për deputete Natyra Kuçi ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për përdorim të fëmijëve në fushatë, duke thënë se “keqpërdorimi i fëmijëve për fushata është pikërisht çka bëjnë liderët autoritarë”.
“Gjithçka që mund të duket e pafajshme është tendencioze dhe me plan. Kjo ka ndodhur kudo nëpër botë. Prandaj na duhet një opozitë që ka pikëprerje me autoritarizmin”, ka thënë ajo ndër të tjera.