Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Fushata dhjetëditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur më 28 maj e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit. Në këtë tekst do të mund të lexoni për aktivitetet e partive politike në ditën e pestë të fushatës.

PSD-ja kritikon Osmanin për grushtin e Kurtin për ushtrinë

1 muaj më parë / 1 qer 2026 20:34
Dardan Molliqaj

Partia Socialdemokrate ka vazhduar fushatën elektorale me kritika ndaj kundërshtarëve politikë. 
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar ndaj presidentes, Vjosa Osmani, pasi ajo gjatë një tubimi në Lipjan, ka ngritur grushtin dhe ka thirrur emrin e Ibrahim Rugovës. 

Molliqaj e ka sfiduar Osmanin të gjejë “ndonjë paraqitje të Ibrahim Rugovës me grusht”, duke thënë se ajo nuk e njeh rugovizmin dhe po përpiqet të fshihet pas figurës së Rugovës për shkak të garës politike. 

“Vjosa Osmani po fshihet pas Ibrahim Rugovës nga panika që do të humb. A e dini pse e ka këtë panik? Se në thelb nuk ka as ide, as çështje e as parime që po i shtyen përpara. Veç po kërkon pushtet për vete. Bile edhe duke e përdorë Rugovën me simbole të gabuara”, ka thënë ai.

Ai ka reaguar edhe ndaj kryeministrit në detyrë dhe kandidatit të VV-së për edhe një mandat, Albin Kurti, i cili në një intervistë ka folur për rritjen e FSK-së dhe armatosjen e saj.

“Synimi i jonë si shoqëri duhet të jetë rritja e mirëqenies, barazisë e drejtësisë. Po ashtu edhe fqinjësi të mirë me vendet përreth nesh. Militarizimi është thirrje për të kundërtën, prandaj duhet ta refuzojmë”, ka thënë ai. 

E në një postim tjetër ka kritikuar gjithë opozitën dhe kandidatët e saj për mënyrën e jetesës që bëjnë.

“Një njeri që e sheh politikën veç si urë lidhëse drejt biznesit e luksit, ai nuk mund të bëj opozitën e as të marrë pushtetin. Në këto zgjedhje, voto PSD-në që politikën e opozitarizmin e ka përnime”, ka shkruar ai. 

Ndërkohë, kandidati për deputet nga kjo parti Frashër Krasniqi ka kritikuar, kandidatin e PDK-së për deputet Uran Ismailin, dhe qeverisjen e përbashkët të kësaj partie me LDK-së në Prishtinë për situatën me mbeturinat. Ai ka thënë se “kriza e bërllokut është aty ku qeveris Urani edhe LDK-ja”, ndërsa ka vënë në dyshim zotimet e tyre për zgjidhjen e problemeve të tjera të qytetarëve. 

Kandidatja për deputete Natyra Kuçi ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për përdorim të fëmijëve në fushatë, duke thënë se “keqpërdorimi i fëmijëve për fushata është pikërisht çka bëjnë liderët autoritarë”. 

“Gjithçka që mund të duket e pafajshme është tendencioze dhe me plan. Kjo ka ndodhur kudo nëpër botë. Prandaj na duhet një opozitë që ka pikëprerje me autoritarizmin”, ka thënë ajo ndër të tjera.
 

Gjini premton ta kthejë bujqësinë në motor të zhvillimit ekonomik

1 muaj më parë / 1 qer 2026 20:32
Ardian Gjini

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka takuar veteranët e Komunës së Gjakovës, të cilëve ju ka thënë se rruga e vetme për ta çuar vendin para është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, hapja e vendeve të punës dhe fuqizimi i biznesit.

“Kosova jonë gjakun dhe lotët i ka dhënë me shekuj. Kemi dhënë gjak e kemi derdhur lot për breza me radhë. Tash, për të jetësuar ëndrrën tonë të përbashkët për një Kosovë të fortë e të zhvilluar, na kanë mbetur vetëm djersa dhe mundi. Rruga e vetme për ta bërë këtë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, hapja e vendeve të punës dhe fuqizimi i biznesit. Vetëm një ekonomi e zhvilluar i rrit natyrshëm e në mënyrë dinjitoze pensionet, mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, ka thënë Gjini, që është edhe kandidat i kësaj partie për kryeministër.

Gjini po ashtu gjatë së hënës ka ndarë në rrjetet sociale edhe një nga premtimet bazë të fushatës e planit të Aleancës që është bujqësia. Ai ka shkruar se asnjë pëllëmbë tokë e mbjellë dhe asnjë familje që prodhon ushqim nuk do të ngarkohet më me taksa, sipas tij të rënda. 

“Asnjë pëllëmbë tokë e mbjellë dhe asnjë familje që prodhon ushqim për tryezat tona nuk do të penalizohet më me taksa të rënda. Duke hequr këtë obligim, ne u japim mbështetje direkte prodhuesve tanë. Ky është zotimi ynë i prerë për ta kthyer bujqësinë në një motor të vërtetë të zhvillimit ekonomik”, ka premtuar ai.

Gjini ka thënë se nuk ka zhvillim ekonomik pa një terren të sigurt gjeostrategjik dhe pa ligje që mbrojnë të ardhmen. Ka theksuar se Aleanca garanton një platformë të pastër kombëtare, ku institucionet dhe diplomacia jonë lëvizin të pavarura përpara. 

“Nga rreshtimi strategjik me partnerët perëndimorë që siguron investimet, te raportet tona të qëndrueshme e vëllazërore me Shqipërinë, sundimi i pakompromis i ligjit në çdo sferë, e deri te kthimi i mërgatës sonë në motor të rritjes ekonomike në vend”, ka thënë ai në një video tjetër.

Kjo parti për herë të parë në zgjedhjet e 7 qershorit do të garojë pa Ramush Haradinajn president dhe bartës të listës. Pak para zgjedhjeve, Haradinaj, që është edhe themelues i kësaj partie u tërhoq dhe vendin e tij e zuri Ardian Gjini, që është edhe kryetar i Gjakovës. Haradinaj nuk është as mes 10 të parëve në listën e kandidatëve.

 

Abdixhiku premton ngrirje të çmimit të rrymës për katër vjet

1 muaj më parë / 1 qer 2026 20:30
Lumir Abdixhiku

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar se nëse vjen në pushtet ndër vendimet e para do të jetë ngrirja e çmimeve të rrymës për katër vjet e ardhshme. 

Në tubimin e mbajtur para përkrahësve të kësaj partie në Rahovec, Abdixhiku ka premtuar edhe heqjen e TVSH-së për produktet bazike dhe masa për uljen e kostos së energjisë. 

“Ne do ta heqim menjëherë barrën e kostos së jetesës. Do ta heqim plotësisht TVSH-në për të gjitha produktet bazike: për bukë, për qumësht, për vaj, për miell, për vezë, për secilin produkt esencial të familjeve kosovare”, ka thënë Abdixhiku. 

Në Rahovec ai ka premtuar realizim të projekteve që do të transformojnë këtë qytet dhe gjithë Kosovën.

“Në qytetin e vreshtave, të punës e krenarisë, gjetëm një energji të jashtëzakonshme. Qytetarët e kësaj ane, si punëtorë që janë, e dinë mirë dallimin mes fjalëve dhe punës, mes premtimeve të thata dhe projekteve që ndryshojnë jetën e njerëzve. Folëm për Kosovën që duhet të ecë përpara. Për investimet që nuk presin më. Për bujqësinë që meriton mbështetje të vërtetë, për rrugët, shkollat, spitalet e mundësitë që mbajnë të rinjtë këtu. U zotuam për projektet që e zhvillojnë Rahovecin dhe gjithë Kosovën. Për një shtet që punon për qytetarin, jo për propagandën”, ka thënë ai.

E kandidatja për presidente dhe bartësja e listës së LDK-së, Vjosa Osmani, ka folur edhe për tri shtyllat që sipas saj, kanë ndërtuar shtetin e Kosovës: sakrificën, rugovizmin dhe aleancën ndërkombëtare. Ajo ka thënë se partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet interes jetik për një Kosovë të fortë dhe të respektuar në botë.  “Amerika ishte pranë nesh kur kishim më së shumti nevojë, Amerika është pranë nesh edhe sot, dhe Amerika do të jetë partneri ynë strategjik e i përhershëm”, ka deklaruar Osmani. “Me njerëzit e Rahovecit që jetojnë me punën, sakrificën dhe dinjitetin e tokës së tyre. Rahoveci është prova më bindëse se Kosova ndërtohet vetëm me mund e pune të ndershme!”, ka shtuar ajo.

E kandidati i kësaj partie, që vjen nga Rahoveci, Avdullah Hoti, në një postim ka kritikuar Albin Kurtin për prishje të raporteve me Amerikën.

“Përveç dëmtimit të marrëdhënieve me aleatin kryesor strategjik të Kosovës, Qeveria Kurti ka braktisur edhe integrimin kombëtar me Shqipërinë”, ka shkruar ai.

 

 

Hamza: Bizneset mezi po mbijetojnë e qytetarët po varfërohen

1 muaj më parë / 1 qer 2026 20:27
Bedri Hamza

Kryetari dhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar të hënën komunitetin e biznesit.

Në takim, Hamza ka thënë se ndryshimi fillon me ekonominë, pasi sipas tij, nuk ka zhvillim pa mbështetje për ata që krijojnë vende pune.

Ai ka thënë se Kosova është në krizë dhe bizneset mezi po mbijetojnë, duke shtuar se edhe qytetarët po paguajnë më shumë dhe po jetojnë më keq, sepse kostoja e jetesës është rritur.

“Kosova është në krizë. Bizneset mezi po mbijetojnë. Qytetarët po paguajnë më shumë dhe po jetojnë më keq, sepse kostoja e jetesës është rritur. Përfaqësuesit e bizneseve që takova sot duan më shumë mundësi dhe një shtet që i ndihmon, jo që i pengon. Ndryshimi fillon me ekonominë, sepse nuk ka zhvillim pa mbështetje për ata që krijojnë vende pune”, ka thënë Hamza.

E në një postim tjetër gjatë së hënës, ai ka shkruar se qytetarët kanë dy zgjidhje para vetes kur të dalin të votojnë më 7 qershor.

“Më 7 qershor, qytetarët zgjedhin mes dy rrugëve: konfliktit apo stabilitetit, stagnimit apo zhvillimit, arrogancës apo përgjegjësisë, krizës apo rezultateve që ndryshojnë jetën e tyre. Koha për ndryshim është tani. Qeveria jonë do të jetë qeveri e punës”, ka shkruar ai.

E numri dy nën listën e PDK-së, Uran Ismaili, në një postim ka thënë se Hamza nuk po e udhëheq vetëm një fushatë.

“Bedri Hamza nuk është duke e udhëhequr vetëm një fushatë. Ai është në krye të betejës sonë për Kosovën! Por kjo nuk është vetëm beteja jonë. Është betejë e secilit që do jetë më të mirë në Kosovë, dhe që e do një shtet stabil e të zhvilluar!”, ka shkruar ai.

Ai po ashtu ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti se me ligjin për të huajt u ka krijuar favore serbëve.

“A po flasim me letra çelë? Ligji i Albin Kurtit për shtetësi ua mundëson kriminelëve serbë dhe pasardhësve të tyre ta marrin shtetësinë e Kosovës”, ka shkruar ai. 

E kandidati për deputet nga PDK-ja, Rrahman Rama, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me gratë aktiviste të partisë, duke vlerësuar angazhimin dhe kontributin e tyre në aktivitetet politike dhe shoqërore.

“Aktivistë e aktiviste po mblidhen dhe po i thonë STOP krizës dhe keqqeverisjes!”, ka shkruar Rama në një postim në rrjetin social Facebook.
 

Kurti premton “Brez të Gjelbër” për Prishtinën, Obiliqin e Fushë-Kosovën

1 muaj më parë / 1 qer 2026 20:17
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë dhe kandidati i Vetëvendosjes edhe për një mandat, Albin Kurti, ka premtuar të hënën në një takim me banorët e Obiliqit masa mbrojtëse, që do  të përmirësojnë ajrin në këtë qytet dhe të tjerët përreth tij.

Kurti ka premtuar krijimin e një brezi të gjelbër.

“Në mandatin e ri do të përfundojë projekti për dyfishimin e kogjenerimit dhe ai për ngrohjen qendrore në Kastriot. Nëpërmjet pyllëzimit masiv dhe krijimit të korridoreve të gjelbra mbrojtëse, do të krijohet ‘Brezi i Gjelbër’, Prishtinë - Kastriot - Fushë Kosovë, me qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit dhe përmirësimit të cilësisë së mjedisit në zonën më të prekur nga ndotja. Po ashtu, do ta mbyllim përfundimisht deponinë e Mirashit, duke i dhënë fund ndotjes shumëvjeçare në këtë komunë”, ka thënë Kurti.

E në një postim në Facebook, ai ka folur për investimet e bëra në Forcën e Sigurisë së Kosovës gjatë qeverisjes së tij.

“I kemi rekrutuar mbi 2700 ushtarë të rinj gjatë mandatit tonë të parë të plotë. Pra, e kemi rritur numrin e ushtarëve për më shumë se dyfish. Për investime në armatim dallimi është i pakrahasueshëm. Nga 2018-2020 më pak se 4 milionë euro. Ndërkaq, nga 2021-2025 rreth 430 milionë euro”, ka thënë ai.

Sipas tij, më 1 qershori është hapur konkursi për pranimin edhe të 44 kadetëve të rinj, të cilëve do t’u jepet mundësia të ndjekin shkollimin ushtarak, përveçse në Qendrën për Studime Universitare në Kosovë, edhe në akademitë më prestigjioze të rajonit dhe të partnerëve tanë strategjikë: në Shqipëri, Turqi, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut.

“Në vetëm dy muaj, janë hapur dy konkurse për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tregues ky i qartë i besimit, motivimit dhe përkushtimit të të rinjve tanë për t’i shërbyer vendit tonë. Pothuajse 2 mijë të rinj i janë nënshtruar procedurave të përzgjedhjes për pranimin e 320 rekrutëve të rinj në FSK. Bëhu edhe ti ushtar i Kosovës”, ka shkruar Kurti. 

E kandidati i kësaj partie për deputet, Taulant Kelmendi, të hënën ka zhvilluar takime në fshatrat Dubovë e Ozdrim.

"Dubova e Ozdrimi, me zemër e me mendje, kësaj radhe edhe më bindshëm", ka shkruar Kelmendi në Facebook.

Gjatë ditës, VV-ja ka mbajtur edhe tubime edhe në qytete të tjera të Kosovës.
 

Kurti premton financim të sportit bazuar në meritë dhe performancë

1 muaj më parë / 1 qer 2026 14:52
kurti

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka premtuar përkrahje bazuar në meritë për sportin dhe sportistët. 

Ai ka shkruar për vizitën që bashkë me kryetarin e Obiliqit, Halil Thaçi, i kanë bërë  të dielën klubit aeronautik “Shqiponjat e Kastriotit” dhe ka thënë se financimi për sportet do të bëhet bazuar në performancë. 

“Përkrahja për sportin dhe sportistët do të jetë e bazuar në meritë, llogaridhënie dhe integritet, ndërsa financimi i aktiviteteve drejtpërdrejtë i lidhur me performacën, planifikimin dhe përgjegjësinë”, ka shkruar Kurti. 

Ai gjithashtu ka premtuar se në mandatin e ardhshëm do të përfundojë projekti për dyfishimin e kogjenerimit dhe ai për ngrohjen qendrore në Obiliq. 

“Nëpërmjet pyllëzimit masiv dhe krijimit të korridoreve të gjelbra mbrojtëse, do të krijohet ‘Brezi i Gjelbër’, Prishtinë - Kastriot - Fushë Kosovë, me qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit dhe përmirësimit të cilësisë së mjedisit në zonën më të prekur nga ndotja. Po ashtu, do ta mbyllim përfundimisht deponinë e Mirashit, duke i dhënë fund ndotjes shumëvjeçare në këtë komunë”, ka shkruar ai në një psotim tjetër.

Hamza: Kosova ka nevojë për punë, lidership serioz e rezultate

1 muaj më parë / 1 qer 2026 12:22
Bedri Hamza

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar qeveri të punës.

Në një video nga një tubim i fushatës, të postuar në rrjetin social Facebook, Hamza ka thënë se shteti duhet të funksionojë për qytetarët.

“Kosova ka nevojë për punë, Kosova ka nevojë për stabilitet, Kosova ka nevojë për lidership serioz, Kosova ka nevojë për rezultate, sepse lidershipi nuk është zhurmë, lidershipi është rezultat dhe shteti duhet të funksionojë për qytetarët, prandaj qeveria jonë do të jetë qeveri e punës”, ka theksuar Hamza.  

Abdixhiku premton paketë investuese 5-miliardëshe: Shteti nuk mbahet me ndihma sociale

1 muaj më parë / 1 qer 2026 12:13
Lumir Abdixhiku

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku ka thënë se Kosovës i duhen investimet e jo arsyetimet.

Në një video të postuar nga tubimet e mbajtura në kuadër të fushatës, Abdixhiku ka premtuar paketë investuse në vlerë prej 5 miliardë eurosh. 

“Shteti nuk mbahet vetëm më ndihma sociale, shteti mbahet me ekonomi të fortë, me investime, prandaj LDK-ja vjen me paketën më të madhe investuese që e ka pasur ndonjëherë Kosova jonë, me 5 miliardë euro investime dhe atë investime të vërteta, të prekshme në infrastrukturë rrugore, në hekurudha, në ujë e në kanalizim, në çështje që e transformojnë Republikën tonë”, është shprehur Abdixhiku.

Gjini premton lehtësime për bujqit: Do të heqim taksat për tokat e mbjella

1 muaj më parë / 1 qer 2026 11:43
Ardian Gjini

Kandidati i Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, njëherësh kryetar i kësaj partie, ka prezantuar një nga zotimet kryesore të programit të tij qeverisës, duke premtuar lehtësime për sektorin e bujqësisë dhe mbështetje më të madhe për prodhuesit vendorë.

Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka deklaruar se qeveria e udhëhequr nga ai do të heqë taksat që aktualisht rëndojnë mbi tokat e mbjella dhe familjet që merren me prodhimin e ushqimit.

“Asnjë pëllëmbë tokë e mbjellë dhe asnjë familje që prodhon ushqim për tryezat tona nuk do të penalizohet më me taksa të rënda”, ka shkruar ai.

Sipas Gjinit, largimi i këtij obligimi do të përbëjë një formë të drejtpërdrejtë mbështetjeje për fermerët dhe prodhuesit bujqësorë, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik.

“Duke hequr këtë obligim, ne u japim mbështetje direkte prodhuesve tanë. Ky është zotimi ynë i prerë për ta kthyer bujqësinë në një motor të vërtetë të zhvillimit ekonomik”, ka shkruar më tej ai.