Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

20 OJQ të Ballkanit kërkojnë përfshirjen e të drejtave të punës në Tregun e Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit

Të paktën 20 organizata të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor kanë bërë thirrje për qeveritë vendore, organet rajonale dhe Bashkimin Evropian që të kenë prioritet të drejtat e punës dhe ato sociale në Tregun e Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit.

Në letrën e përbashkët të këtyre organizatave thuhet se përfshirja e këtyre të drejtave ndihmon në ndërtimin e stabilitetit afatgjatë në rajon.

“Duke i përfshirë këto aspekte në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, mbi bazën e standardeve ndërkombëtare të punës së denjë, ne mund të sigurojmë kushte të drejta dhe të drejta pune për të gjithë individët, pavarësisht nga statusi i tyre i punës. Kjo përfshin, ndër të tjera, të drejtën për një mjedis pune të sigurt dhe të shëndetshëm, një pagë jetese, mundësi të barabarta dhe lirinë për t’u organizuar dhe për të negociuar kolektivisht. Sigurimi i këtyre të drejtave jo vetëm që do të përfitojë punëtorët, por do të kontribuojë edhe në rritjen ekonomike, kohezionin social dhe mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve në rajonin tonë”, thuhet në këtë letër.

Më tej është bërë thirrje ndaj qeverive vendore që të bashkëpunojnë me aktorët përkatës, duke përfshirë sindikatat, organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët në të drejtat e punës dhe politikat sociale, për të zhvilluar masa dhe strategji gjithëpërfshirëse.

“Ne kërkojmë nga qeveritë tona të ndërmarrin hapat e mësipërm për të treguar përkushtim për mirëqenien dhe dinjitetin e qytetarëve tanë dhe për të dhënë një shembull pozitiv të përgjegjësisë. Shpresojmë që Tregu i Përbashkët Rajonal do të shfrytëzojë këtë mundësi për t’i dhënë përparësi të drejtave të punës dhe sociale brenda kornizës së tij, duke krijuar kështu një të ardhme më të drejtë dhe më të begatë për të gjithë”, është thënë më tej në deklaratë.

Edhe Kolumne Berlin 2028: Nga Kongresi në Marrëveshje

Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet më 16 tetor në Tiranë, Shqipëri, ku liderët e Ballkanit Perëndimor e të BE-së do të diskutojnë përparimin në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik.