Liderë të Ballkanit Perëndimor dhe evropianë janë takuar në Londër në kuadër të samitit të 12-të i Procesit të Berlinit. Aty pritet që të diskutohet për paqen dhe stabilitetin në rajon, për luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin ekonomik e ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Zhvillimet nga ky samit mund t’i përcillni në këtë artikull.

Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit: Përparimi i Kosovës nën hijen e kërcënimeve nga Serbia

35 min. më parë / 22 tet 2025 17:54
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij në Samitin e Procesit të Berlinit në Londër e ka akuzur Serbinë për kërcënime e agresion të vazhdueshëm ndaj Kosovës. 

Teksa ka folur për përparimin që sipas tij e ka bërë Kosova, ka thënë se ai mbetet nën hijen e kërcënimeve nga Serbia. 

Kurti e ka përmendur edhe sulmin terrorist në Banjskë, ndërsa ka theksuar se Serbia nuk duhet të lejohet të veprojë më pandëshkueshmëri. 

“Megjithëkëto, përparimi ynë mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji ynë verior. Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, është shprehur Kurti.

Në fjalën e tij, Kurti ka folur edhe për rëndësinë e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s. 

Sipas tij në kohën kur në Evropë është duke u zhvilluar një luftë, kjo do të mbyllte një “boshllëk të rrezikshëm të sigurisë”.

“Kur Komisioni Evropian e ndali procesin e zgjerimit në vitin 2014, Berlini mori nismën duke krijuar formatin 'Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor' përmes Procesit të Berlinit, me qëllim që rajoni ynë të mbahej afër BE-së. Sot, kur kemi luftë në Evropë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë. Ne kemi qëllime të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta, dhe nuk kemi alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO – këto duhen parë si pika të forta”, ka deklaruar Kurti.

Fjalimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit:

I dashur Kryeministër Starmer,
Faleminderit që na pritët në këtë shtëpi të madhe, ku kombet shpesh janë mbledhur për ta formësuar të ardhmen e tyre.
I dashur Kancelar Merz,
Të dashur kolegë dhe miq nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor,
Ne po takohemi në një kohë kur Evropa është kaq e begatë, por njëkohësisht kurrë më parë nuk është sulmuar kaq shumë.
Kërcënimi në rritje i autoritarizmit, si jashtë ashtu edhe brenda kontinentit tonë, është një sfidë që Evropa e njeh shumë mirë.
Teksa shënojmë 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe 75 vjetorin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, na kujtohet se paqja, liria dhe dinjiteti njerëzor nuk janë të garantuara – ato duhet të mbrohen dhe të rifreskohen vazhdimisht nga çdo brez.
Prandaj, na duhet një ndjenjë e fortë uniteti, mjaftueshëm e qëndrueshme për t’i përballuar si presionet e jashtme, ashtu edhe dyshimet e brendshme.
Një unitet i tillë duhet të shtrihet edhe në juglindje të kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë traktateve të NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide. Për ta frenuar ndikimin rus apo kinez në Evropë, nuk duhet të lëmë asnjë vakum.
Kur Komisioni Evropian e ndali procesin e zgjerimit në vitin 2014, Berlini mori nismën duke krijuar formatin “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor” përmes Procesit të Berlinit, me qëllim që rajoni ynë të mbahej afër BE-së. Sot, kur kemi luftë në Evropë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë. Ne kemi qëllime të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta, dhe nuk kemi alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO – këto duhen parë si pika të forta.
Gjatë pesë viteve të fundit, Kosova ka bërë përparimin më të shpejtë në treguesit demokratikë, ekonomikë dhe të sigurisë. Kemi pasur një mesatare prej 6% rritje ekonomike dhe asnjëherë më pak se 4%. Para tre muajsh, Banka Botërore dhe FMN e hoqën Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konfliktet, duke njohur kështu qëndrueshmërinë, stabilitetin dhe qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar.
Megjithëkëto, përparimi ynë mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji ynë verior. Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara.
Sa i përket zhvillimit ekonomik, Kosova mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër si korniza për zhvillim të qëndrueshëm. Por nevojitet më shumë financim për të mbyllur hendekun e konvergjencës në projektet kryesore infrastrukturore, përfshirë tranzicionin e gjelbër, si dhe për të ulur pabarazinë me më shumë solidaritet.
Që nga samiti i fundit, kemi nënshkruar një marrëveshje të re tregtare me vendet anëtare të EFTA-s, në janar të këtij viti gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, që përfshin mallra dhe shërbime, duke zgjeruar kështu tregjet tona. Në kryesimin tonë të parë të drejtpërdrejtë të CEFTA-s, e rikthyem funksionalitetin e saj duke zgjedhur një drejtor të ri, pas më shumë se dy vitesh bllokim.
Sa i përket migracionit, ne kemi dhënë zotim ndaj Mbretërisë së Bashkuar për të trajtuar shkaqet e paqëndrueshmërisë: forcimin e sigurisë kufitare, luftimin e krimit të organizuar, ndalimin e financave të paligjshme dhe ndihmën për menaxhimin e flukseve migratore. Ne kemi qenë seriozisht të angazhuar në luftimin e armëve të vogla dhe të lehta që shfrytëzohen nga aktorë jo-shtetërorë, por edhe si mjete destabilizimi nga aktorë shtetërorë keqdashës. Kosova nuk është burim migracioni, por vetëm një pikë tranziti me numra relativisht shumë të ulët.
Faleminderit.

Nis Samiti i Procesit të Berlinit në Londër

2 o. më parë / 22 tet 2025 15:42
Albin Kurti - Procesi i Berlinit

Ka nisur në Londër samiti i 12-të i Procesit të Berlinit. Në takim po marrin pjesë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor e të shteteve të Bashkimit Evropian. Mysafirët janë pritur nga sekretarja e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe e kryeministri Keir Starmer.

Në samitin e 12-të me radhë që nga 2014-a pritet që të diskutohet për paqen dhe stabilitetin në rajon, për luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin ekonomik e ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Në Kosovë, nuk janë shprehur pritshmëri për rezultate të mëdha.

Arbëresha Loxha, hulumtuese e lartë në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, thotë se në këtë takim kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet të adresojë mosimplementimin e marrëveshjeve të arritura më parë.

“Kosova marrë parasysh situatën, problemet me mosnjohjen nga të gjitha shtetet, por edhe problemet të cilat i sjellin në tavolinë Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina në veçanti e kanë dëmtuar shumë Kosovën nga përfitimi i pothuajse shumicës së marrëveshjeve që janë bërë në këtë proces. Nikoqirët duhet të ndërlidhin, konsideroj, çdo nënshkrim të marrëveshjes së re, përfitim nga një marrëveshje e re, nga një çkado që del prej procesit me kushtëzim të implementimit të marrëveshjeve paraprake”, ka thënë Loxha.

Në lidhje me synimet e Kosovës nga samiti i sivjetmë, KOHA ka pyetur edhe në Qeveri, por që nga e hëna nuk ka marrë përgjigje.

Loxha thotë se problem mbetet moszbatimi i marrëveshjes nga Bosnjë-Hercegovina për lëvizje me letërnjoftim të kosovarëve, si dhe ajo për njohjen e diplomave të kosovarëve nga Serbia.

“Nuk është që është duke u bërë mjaftueshëm presion te pala serbe në këtë rast për t’i implementuar dhe qëndruar prapa marrëveshjeve që janë nënshkruar”, ka thënë ajo.

Për dallim prej Bosnjë-Hercegovinës, Kosova ka nisur me zbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë nga janari i këtij viti.

Në tetor të vitit të kaluar, gjatë pjesëmarrjes në këtë samit Kosova ka nënshkruar me vendet e rajonit marrëveshjen për qasje në arsimin e lartë në Ballkanin Perëndimor e katër deklarata që lidhen me bashkëpunimin rajonal.