Vazhdojnë gërmimet për varrezë të dyshuar masive në Prishtinë Foto: Koha

As në ditën e dytë të gërmimeve në oborrin e UP-së nuk u gjetën mbetje mortore

27 November 2019 10:45
16:23

Kanë përfunduar gërmimet e ditës së dytë në oborrin e Universitetit të Prishtinës, ku dyshohet për mbetje mortore, derisa pritet të vazhdojnë përsëri të premten deri në vlerësimin e plotë të lokacionit.

Udhëheqësi i Zyrës në komisionin qeveritar për të pagjeturit, Kushtrim Gara i tha Ekonomia Online se deri me tani nuk ka pasur gjetje të mbetjeve mortore.

Gara theksoi se nuk ka afat të caktuar të gërmimeve, derisa shtoi se do të punohet deri në zbatimin e urdhëresës së prokurorisë.

“Edhe sot ka vazhduar dinamika e njëjtë të punëve nga ana e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore. Sot nuk do të përfundojnë gërmimet pasi ka edhe një pjesë të lokacionit në adresim të informatave nga dëshmitarët. do të vazhdohet të premten”.

“Nuk ka një afat të caktuar por do të punohet deri në adresimin e plotë të gërmimeve vlerësuar lidhur me informatat e këtij lokacionin në zbatim të urdhëresës së prokurorisë”, ka thënë Gara.

10:45

Vazhdojnë gërmimet për varrezë të dyshuar masive në Prishtinë

Autoritetet përgjegjëse po i vazhdojnë gërmimet, për të dytën ditë me radhë, për një varrezë të dyshuar masive me mbetjet mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë

Gërmimet në kompleksin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në kryeqytet kanë nisur të martën, nga Policia e Kosovës - njësia për krime lufte - bashkë me Prokurorinë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.

LEXO EDHE: Nisin gërmimet në kampusin e UP-së, pas dyshimeve për varrezë masive

Ato kanë nisur pas marrjes së informacioneve nga disa qytetarë se në atë lokacion mund të ketë varrezë masive nga periudha e luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, tha se gërmimet kanë nisur në kohë edhe në ditën e dytë, raporton rel.

“Është edhe një pjesë e lokacionit... Gërmimet kanë filluar në kohën e planifikuar dhe të paraparë”, tha Gara

Nga lufta e fundit në Kosovë ende mbeten të zhdukur edhe rreth 1,600 persona.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme