Arbëri

Kosova e SHBA-ja nënshkruajnë Marrëveshjen e Ekstradimit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, kanë nënshkruar sot protokollin e instrumenteve të Ratifikimit të Marrëveshjes së Ekstradimit në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Tahiri ka theksuar se ky nënshkrim shënon një rast historik për marrëdhëniet dypalëshe në mes dy vendeve në fushën e bashkëpunimit juridik.

Traktati pasqyron realitetin e ri në Ballkan, ka thënë ministri Tahiri, dhe sipas tij, kjo marrëveshje fuqizon edhe më tej sundimin e ligjit dhe subjektivitetin e Kosovës, duke e bërë një partner të besueshëm në luftën kundër krimit trans nacional.

Traktati, sipas Tahirit është simbol i bashkëpunimit të shkëlqyer në mes dy vendeve dhe pasqyron parimet për luftimin efikas të krimeve që janë karakteristike për shekullin 21.

Sipas Tahirit, nënshkrimi i sotëm i jep një kahje krejt të re bashkëpunimit mes dy vendeve, duke rritur bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, si dhe duke u ofruar prokurorëve dhe autoriteteve tjera në të dy anët e Atlantikut mjete të reja për t’i sjellë kriminelët para drejtësisë.

Në një takim paraprak me Palmerin ministri Tahiri e njoftoi atë për reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë, përfshirë politikat e reja penale, politikat e të drejtave pronësore si dhe masat e ndërmarra në kuadër të Agjendës “Drejtësia 2020” për përmirësimin e performancës së sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.