Arbëri

Vajza e “Currit”, këshilltare e Pacollit

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Behgjet Pacolli është këshilluar për muaj rresht nga Elena Osmani, vajza e Ismet Osmanit, i cili është arrestuar një ditë më parë nën dyshimin për fajde, detyrim dhe për mashtrim. Vlera e përgjithshme e përfituar duke kryer këto vepra penale, dyshohet të jetë më shumë se 2.5 milionë euro.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, institucion të cilin Pacolli e drejton, kanë konfirmuar se Elena Osmani ka shërbyer në kabinetin e ministrit.

Videoja ekskluzive që shpërfaq të dyshuarit për fajde teksa numërojnë para

“Elena Osmani ka qenë e angazhuar në kabinetin e ministrit të Jashtëm. Zonjusha Osmani ka përfunduar studimet në Universitetin Amerikan në Vjenë dhe në atë kapacitet është angazhuar që të shërbejë në kabinet”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Zyrës për Informim të Ministrisë. “Para disa muajsh është larguar me vetëdëshirë. Gjatë punës së saj ka qenë e përgjegjshme dhe e përkushtuar në punën dhe obligimet e veta”.

Fundjavën e shkuar, KTV-ja ka raportuar se tre këshilltarë të ministrit Pacolli kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e shërbimit diplomatik në konkursin e fundit, të kritikuar për diskriminim. Në mesin e tyre është edhe Elena Osmani. Në ministri e kanë konfirmuar edhe këtë informatë, por kanë thënë se asnjëri nga ta nuk do të favorizohen në përzgjedhje.

E, përderisa ditë më parë Elena Osmani është bërë lajm për përfshirje në këtë proces përzgjedhjeje, një ditë më parë emri i babait të saj është gjendur në krye të listës së personave të arrestuar nga një aksion i gjerë policor. Përpos Ismet Osmanit, i cili njihet me nofkën “Curri”, janë arrestuar edhe Ilir Bojku, Adil Thaçi, Mentor Maqani dhe Rrahim Hashimi, ndërkaq, Ekrem Lika dhe Zekë Jasiqi ende janë në arrati.

“Personat e sipërcekur janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer vepra penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘mashtrim’, të cilët vite më parë kishin pasur qëllim përfitimin në mënyrë të kundërligjshme - joproporcionale të pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme (dy shtëpi në Prishtinë, një objekt, automjete dhe para)”, thuhet në njoftimin e Policisë. “Vlera e përgjithshme e përfituar në mënyra të paligjshme dyshohet-vlerësohet në më shumë se 2.5 milionë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar dyshohet se kapërcen vlerën prej 6 milionë eurosh”.

I arrestuari Osmani ka qenë edhe pronar i kazinove dhe bastoreve. Mbështetur në burime të “Kohës Ditore”, ai në bashkëpunim me dy persona të tjerë i kanë dhënë para me fajde një biznesmeni nga Prishtina. Po sipas këtyre burimeve, kur biznesmeni ua ka vonuar pagesat, Osmani ia ka marrë shtëpinë në qendër të Prishtinës.