14 perditesime
00:56

KQZ publikon rezultatet preliminare për komunat veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës.

Sipas këtyre rezultateve, Lista Serbe ka fituar bindshëm në të katër komunat.

Leposaviq:

Lista Serbe, Zoran Todiq (96.6% - 7015 vota)

Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Hetemi (2.0% - 144 vota)

Lëvizja Vetëvendosje, Fisnik Veseli (1.4% - 105 vota)

Zubin Potok:

Lista Serbe, Srdjan Vuloviq (94.5% - 3995 vota)

Partia Demokratike e Kosovës, Hysen Mehmeti (2.9% - 123 vota)

Lëvizja Vetëvendosje, Liridona Kahrimani (2.6% - 110)

Zveçan:

Lista Serbe, Vucina Jankoviq (94.7% - 3767 vota)

Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Peci (3.3% - 130 vota)

Lëvizja Vetëvendosje, Avdi Peci (2.0% - 81 vota)

Mitrovicë e Veriut:

Lista Serbe, Goran Rakiq (90.1% - 7092 vota)

Partia Demokratike e Kosovës, Gonxhe Çaushi (5.8% - 454 vota)

Lëvizja Vetëvendosje, Erden Atiq (4.1% - 324 vota)

22:43

Lista Serbe shpall fitoren në veri, telefonohet nga Vuçiqi

Lista Serbe ka shpallur sonte fitoren e saj në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës.

Kandidatët për kryetarë të komunave nga kjo parti kanë bërë të ditur para gazetarëve se në bazë të rezultateve të tyre jozyrtare që posedojnë, Lista Serbe ka fituar këto zgjedhje me mbi 90 për qind të votave.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, fitoren e tij e ka quajtur fitore të popullit serb dhe shtetit të Serbisë në këto hapësira.

“Shpall fitoren e Listës Serbe, përkatësisht fitoren e popullit serb. Ajo që dua të them në fillim është se bojkoti i opozitës dhe disa kuazi-satelitëve këtu në terren nuk ka pasur sukses. Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave në katër komunat veriore. Unë kam të dhëna jo zyrtare sipas të cilave në katër komunat veriore Lista Serbe ka fituar 94.24 për qind të votave. Në veri të Mitrovicës kjo përqindje është 90.18, që do të thotë se në raport me zgjedhjet e vitit 2017, 1675 vota më shumë ka marrë Lista Serbe”, ka thënë Rakiq, përcjell ksp. “Do ta përsëris edhe njëherë, se bojkoti i opozitës nuk ka pasur sukses sipas të cilit është tentuar që popullin serb ta çojë në duart e Prishtinës. Faleminderit shtetit të Serbisë, Marko Gjuriqit, Aleksandar Vuçiqit, Qeverisë së Serbisë, për apelin që i kanë bërë popullit serb për unitet”, ka thënë Rakiq.

Edhe kandidatët tjerë për kryetar të komunave tjera kanë folur, duke thënë se me këtë fitore është dëshmuar fuqishëm fitorja e popullit dhe shtetit të Serbisë këtu.

Në fund të kësaj konference për gazetarë, të pranishmëve iu është drejtuar përmes linjës telefonike edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka përshëndetur dhe falënderuar popullin serb për daljen masive në këto zgjedhje.

Sipas tij, ky është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të serbëve rreth interesave vitale dhe nacionale, si dhe interesave më të rëndësishme të shtetit të Serbisë.

“Njerëzit tonë kanë dëshmuar energji jashtëzakonisht të madhe dhe dëshirën se duan të luftojnë për të ardhmen e tyre dhe një të nesërme më të mirë për fëmijët e tyre. Me këtë fitore nuk do t’i zgjidhim të gjitha problemet tona, por kemi treguar se duam unitet në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe zgjidhjen e përbashkët të tyre. Mendoj se pas të gjitha kërcënimeve nga shqiptarët dhe disa serbë, ky është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të luftës për interesat tona vitale dhe nacionale dhe interesat tona më të rëndësishme shtetërore”, tha përmes telefonit Vuçiq.

21:24

Lista Serbe ka fituar me nga rreth 95 % të katër komunat veriore në Kosovë

Rezultatet preliminare të DnV-së për zgjedhjet në katër komunat, tregojnë se të katër komunat janë fituar bindshëm nga kandidatët e Listës Serbe.

Rezultatet preliminare të DnV-së për 85% të vendvotimeve të numëruara janë:

Mitrovicë e Veriut:
Lista Serbe, Goran Rakiq (95.2%)
Partia Demokratike e Kosovës, Gonxhe Çaushi (3.1%)
Lëvizja Vetëvendosje, Erden Atiq (1.6%)


Zubin Potok:
Lista Serbe, Srdjan Vuloviq (94.1%)
Partia Demokratike e Kosovës, Hysen Mehmeti (3.1%)
Lëvizja Vetëvendosje, Liridona Kahrimani (2.8%)


Leposaviq:
Lista Serbe, Zoran Todiq (96.4%)
Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Hetemi (2.1%)
Lëvizja Vetëvendosje, Fisnik Veseli (1.5%)


Zveçan:
Lista Serbe, Vucina Jankoviq (96.4%)
Lëvizja Vetëvendosje, Avdi Peci (2.2%)
Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Peci (1.4%)


“Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV), ka vëzhguar tërë procesin zgjedhor për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Të gjitha vendvotimet janë mbyllur me kohë. Në bazë të raportimeve nga terreni, dalja e votuesve deri në mbylljen e vendvotimeve në 19:00 është 39% nga 85% e vendvotimeve të proceduara”, thuhet në komunikatën e DnV-së.

20:31

Në këto zgjedhje dolën më shumë qytetarë sesa në zgjedhjet e tetorit, thotë KQZ-ja

Zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor kanë vlerësuar të qetë dhe pa probleme ecurinë e sotme të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës.

Në një konferencë për media, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka bërë të ditur të dhënat nga dalja e qytetarëve në zgjedhjet e sotme, ku deri në ora 19.00 kanë votuar gjithsej 42.42 për qind.

“Në 87 vendvotime të komunave janë mbyllur të gjitha me kohë në ora 19.00. Sipas të dhënave preliminare nga terreni, procesi i votimit në këto katër komuna është zhvilluar pa ndonjë problem. Ju njoftojmë se të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të jashtëzakonshme e shfrytëzuan 24.595 apo 42.42 për qind qytetarë me të drejtë vote nga gjithsej 57.983 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në zgjedhjet e tetorit deri në të njëjtën kohë kishin votuar 23.981 votues apo 41.90 për qind. Kjo është dalja sipas komunave: Leposaviq 41.57 për qind, Zubin Potok 50.74 për qind, Zveçan 48.17 për qind dhe në Mitrovicën e Veriut 38.74 për qind”, tha Daka.

Ajo ka bërë të ditur se nga ora 19.00 rrjedh afati 24 orë për ankesa të subjekteve politike në PZAP lidhur me procesin e votimit në veri të Kosovës, ndërkohë që lidhur me konferencën e radhës ku do të njoftohen rezultatet preliminare do të bëhet e ditur më vonë nga KQZ-ja.

Ndryshe, në zgjedhjet e sotme në katër komunat në veri të Kosovës të drejtë vote kanë pasur 57.983 persona në 87 vendvotime, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Në këto zgjedhje garojnë 12 kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Të drejtë vote në Mitrovicën Veriore kanë 22 mijë e 242 persona, në Leposaviq 18 mijë e 390, Zveçan 9 mijë e 276 dhe Zubin Potok 8 mijë e 612 persona.

Sipas renditjes së KQZ-së, në garë për kryetar të Leposaviqit janë Fisnik Veseli nga Lëvizja Vetëvendosje, Shaqir Hetemi nga PDK dhe Zoran Todiq nga Lista Serbe.

Në Zubin Potok garojnë Liridona Kahrimani nga Lëvizja Vetëvendosje, Hysen Mehmeti nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Sërxhan Vulloviq nga Lista Serbe. Ndërsa në Zveçan, për kryetarin e kësaj komune garojnë, Avdi Peci nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Vuçina Jankoviq nga Lista Serbe.

Në Mitrovicën e Veriut garojnë Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Gonxhe Çaushi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Goran Rakiq nga Lista Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka angazhuar 670 komisionarë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të vendit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë mbajtur në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe.

19:08

Qytetarët presin përmirësim të jetës pas zgjedhjeve në veri

Raporti: Urim Isma 

Me disa incidente të vogla është shënuar procesi zgjedhor për kryetar komunash në katër komunat veriore.

Me interesim të madh i janë përgjigjur thirrjes për të zgjedhur kryetarët e komunave qytetarët shqiptarë dhe ata serbë.

Kandidatët për kryetar në Mitrovicën Veriore, kanë theksuar se procesi zgjedhor ka shkuar kryesisht pa probleme.

Qytetarët presin ndryshime pozitive nga këto zgjedhje.

Ndryshime presin edhe qytetarët serbë, të cilët kanë thënë se nuk është e rëndësishme kush fiton, por përmirësimi i jetesës së qytetarëve është primar.

“Unë votova dhe pres që me këto zgjedhje të kemi përmirësim në jetën tonë. Nuk ka rëndësi se kush fiton, e rëndësishme është që jeta jonë të përmirësohet”, ka thënë një banor serb i veriut.

“Shpresojmë të kemi përmirësim, na duhet dikush që punon për të mirën tonë”, ka thënë një tjetër.

Sipas kryesuesve të qendrave të votimit, procesi është zhvilluar me rregull dhe të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

Incidentet gjatë procesit të votimit kanë hasur edhe monitorues nga KDI-ja dhe Demokracia në Veprim.

Në këto zgjedhje në katër komunat veriore, kandidatët potencialë për kryetar komune janë nga radhët e PDK-së, LVV-së dhe Listës Serbe.

Zgjedhjet u organizuan pas dorëheqjes së 4 kryetarëve serbë si revoltë ndaj taksës për mallrat serbe.

18:27

DnV e përshkruan të qetë procesin e votimit në veri, deri në orën 16:00 votuan 35 % e qytetarëve

Sipas koalicionit të organizatave Demokracia në Veprim, e cila po monitoron zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, deri në orën 16:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 35 për qind e qytetarëve. 

“Koalicioni i OJQ-ve ‘Demokracia në Veprim’, po vazhdon vëzhgimin e procesit zgjedhor në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, 19 maj 2019. Procesi i votimit po vazhdon të zhvillohet i qetë. Deri në orën 16:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë rreth 35% e të gjithë votuesve me të drejtë vote”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas komunave veç e veç, dalja e votuesve në zgjedhje, sipas DnV-së është Zubin Potok (39%), Zveçan (38%), Leposaviq (34%) dhe Mitrovicë e Veriut (33%).

Sipas koalicionit, parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 16:00 janë: Votimi familjar i evidentuar në 23 vendvotime, në katër komunat ku po mbahen zgjedhjet; Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 6 raste; Votimi jashtë kabinës, është vërejtur në pesë raste; Tentime për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë), janë evidentuar në dy raste.

17:03

Qetë në veri, 650 policë garantojnë sigurinë

Zëvendësdrejtori Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të vendit, Besim Hoti, ka përshkruar situatën e përgjithshme dhe gjendjen e sigurisë në ditën e zgjedhjeve në veri deri në kohën kur po raportojmë, tërësisht të qetë dhe pa asnjë incident.

Sipas tij, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më efikase për qytetarët dhe krijimin e kushteve për të votuar lirshëm, Drejtoria rajonale e policisë në veri është përforcuar me pjesëtarë të policisë edhe nga regjionet tjera të Kosovës.

Ai potencoi se sot mbi 650 pjesëtarë të policisë së Kosovës në katër komunat veriore janë përfshirë nga orët e hershme të mëngjesit dhe deri në përfundimin e tërë procesit.

“Deri në këto momente kur po bisedojmë asnjë thirrje të vetme nuk kemi pranuar as nga qendra e votimeve por as nga të gjithë ata të përfshirit në monitorimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor, që nënkupton se situata paraqitet tërësisht e qetë... Ajo çfarë është e rëndësishme është se duke marr parasysh që vetëm Drejtoria rajonale e policisë ka qenë e përfshirë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, na është dhënë mundësia që të marrim forca dhe njësi shtesë nga regjionet tjera të cilat do të ndihmojnë Drejtorinë rajonale në katër komunat që të ofrojë shërbime sa më kualitative dhe më efikase për qytetarët e saj, me qëllim që ata të votojnë lirshëm dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese”, ka thënë Hoti.

Zgjedhjet në Mitrovicë, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan janë duke u mbajtur ndërsa qendrat e votimit do të mbyllen në orën 19:00.

14:02

DnV: Deri në orën 12:00 kanë votuar 21% e qytetarëve në katër komunat veriore

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka njoftuar se deri në orën 12:00 në komunat veriore, kanë dalë të votojnë 21% e qytetarëve.

Sipas tyre në Leposaviq kanë dalë 24% e qytetarëve, Zveçan 21%, Mitrovicë e Veriut 20%, Zubin Potok 18%.

DnV përmes një konference ka renditur parregullsitë që po i përcjellin qendrat e votimit.

Një nga parregullsitë sipas tyre është votimi me dokumente të Serbisë.

“Procesi i verifikimit të dokumenteve të identifikimit nga komisionarët në disa raste është përcjellë me paqartësi. Disa votuesve, të cilët kanë qenë në listën e votuesve, u është lejuar të votojnë me dokumente të identifikimit të Serbisë”, thonë ata.

Ndër parregullsitë tjera janë edhe vështirësitë e votuesve për ta gjetur emrin e tyre në Listën e Votuesve, votimi familjar, raste të votimit jashtë kabinave të votimit dhe tentimet për të votuar më shumë se një herë.

 

12:10

Hoxhiq: Sa më shumë votues, vullneti zgjedhor do të jetë më real

Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ardiana Hoxhiq, ka votuar në njërën nga qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, ku tha se shpreson për dalje të madhe të qytetarëve në votime.

“Shpresoj që do të kemi shumë qytetarë që do të dalin në këto votime, është më rëndësi sepse sa më shumë që të kemi qytetarë, atëherë edhe vullneti zgjedhor i qytetarëve do të jetë më real “, ka thënë ajo.

Ndryshe, në Mitrovicën e Veriut, të drejtë vote kanë mbi 22 mijë qytetarë, ku numri i vendvotime është 27.

Kandidatë për këtë komunë janë, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Gonxhe Çaushi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Goran Rakiq nga Lista Serbe./KsP/

12:02

KQZ: Deri në orën 11:00 kanë votuar 16.14% e votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e dytë lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komuna veriore.

KQZ njofton se deri në orën 11:00 të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 9 mijë e 361 qytetarë me të drejtë vote ose 16.14% e votuesve, nga 57 mijë e 983 sa është numri i përgjithshëm i tyre në këto katër komuna.

Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, deri në të njëjtën kohë, patën votuar 8 mijë e 483 votues apo 14.88%.

09:51

Atiq i Vetëvendosjes: Jemi optimist

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Veriut, Erden Atiq, pasi ka votuar është shprehur se procesi i votimit është duke shkuar me një ritëm konstant, ndërsa ka deklaruar se janë optimist sa i përket pritjeve të tyre.

I pyetur se a beson se do të fitojë, Atiq tha se duhet të persin orën 19:00, derisa ka deklaruar se nga këto zgjedhje presin faktorizim.

“Sapo e përfundova obligimin tim qytetar, qysh është zakon dhe traditë bëjë ftesën gjithë qytetarëve të kësaj pjese të dalin dhe ta kryejnë obligimin e tyre. Ende është herët, deri tash është duke shkuar me një ritëm konstant, jemi optimist. Të shohim pas orës 19:00. Faktorizimi, vazhdimisht e kemi thënë këtë, e kemi pasur përkrahjen edhe të subjekteve të tjera, ka pasur një fushatë mund të them dinjitoze qytetare, fushatë të civilizuar dhe kjo na jep shpresë goxha shumë”, tha ai.

Kundër kandidatë të Erden Atiq janë kandidati i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Gonxhe Çaushi nga PDK.

09:00

Rakiq: Ky është referendum për ekzistencë

Kandidati i Listës Serbe për komunën e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, pasi ka votuar, ka thënë se qytetarët e Mitrovicës e kanë kuptuar seriozisht rëndësinë e këtyre zgjedhjeve lokale, që është referendum për ekzistencë në këto hapësira.

Rakiq ka ftuar qytetarët që të dalin në votime dhe të dëshmojnë se sa domethënëse është për ata të mbeten dhe të jetojnë në këto hapësira.

“Kemi kryer obligimin tonë qytetar. Siç mund të shihni edhe vet, qytetarët e Mitrovicës e kanë kuptuar seriozisht rëndësinë jo vetëm të këtyre zgjedhjeve lokale por bukfalisht referendumit, i cili për neve që jetojmë këtu do të thotë ekzistencë në këto hapësira. Kisha shfrytëzuar rastin të ftoj të gjithë qytetarët që në mënyrë sa më masive të dalin në këto zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe ftoj të gjithë qytetarët jo vetëm të Mitrovicës së veriut, por edhe të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit që të dalin me familje, me fqinjët, që ta shfrytëzojnë këtë ditë dhe të dëshmojnë se sa për neve do të thotë bashkimi, uniteti dhe sa domethënëse është për neve që të mbetemi dhe të jetojmë në këto hapësira”, tha ai.

I pyetur nga KosovaPress, se a do ta pranonte rezultatin nëse do të fitonin kundër kandidatët e tij, Gonxhe Çaushi nga PDK ose Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, ai tha se do ta pranojnë atë që qytetarët vendosin.

“Nuk është ne a do ti pranojmë zgjedhjet, sot qytetarët vendosin dhe zgjedhin, ndërsa, ne do të pranojmë atë që vendosin qytetarët”, tha ai.

Rakiq është pyetur nëse do të jap dorëheqje sërish nëse fiton zgjedhjet dhe bëhet kryetar i kësaj komune.

“Të presim një herë të vendosin qytetarët, pastaj do të vendosim për diçka të tillë”, tha ai.

Përndryshe, Rakiq ka shkuar për të votuar në mënyrë të organizuar me rreth 100 qytetarë.

08:27

KQZ: Zgjedhjet në veri kanë nisur me kohë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet në komunat e veriut të Kosovës janë hapur në orën e paraparë dhe sipas të dhënave nga tereni procesi i votimit po zhvillohet në rregull.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se duke u mbështetur në të dhënat nga tereni procesi i votimit po zhvillohet në rregull.

“Duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve fletëvotimet dhe të gjitha materialet tjera të ndjeshme zgjedhore janë shpërndarë sipas planifikimeve. Po ashtu, ju njoftojmë se të gjitha vendvotimet e këtyre komunave janë hapur në orën e paraparë, pra në orën 7:00. Duke u mbështetur në të dhënat nga tereni procesi i votimit po zhvillohet në rregull. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote nga këto komuna që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar”, ka thënë ai./KsP/

08:18

Nis votimi në veri

Procesi zgjedhor në katër komunat në veri të Kosovës, ka filluar në orën 07:00 ashtu siç ishte paralajmëruar.

Aty votoi edhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili tha se është me rëndësi që secili ta kryej punën e vet, që zgjedhjet të kalojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Shpresoj që këto zgjedhje do të shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme ashtu siç kanë filluar. Janë hapur të gjitha qendrat zgjedhore në bazë të informacioneve që kam dhe pa asnjë problem. Siç po e shiheni interesimi është i madh te qytetarët e Mitrovicës së Veriut që ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar dhe për të përcaktuar të ardhmen e tyre”, ka thënë ai.

"Ajo çka është më me rëndësi, është që secili ta kryej punën e vet, që zgjedhjet të kalojnë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe që qytetarët të mund të vendosin vet për atë që kush do të mund t’i udhëheq në periudhën e ardhshme“, ka shtuar ai.

Ai është shprehur i bindur se kandidatët e Listës Serbe do t’i fitojnë këto zgjedhje.

“Është fakti që unë jam thellë i bindur dhe të gjithë anëtarët e listës serbe se katër kandidatët e tyre do të arrijnë fitore të bindshme, jo për faktin se jam unë pjesë e listës serbe por e di që kjo është mënyra e vetme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë në këto hapësira”, tha ai.

08:09

Sot mbahen zgjedhjet në veri

Sot mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës.

Të drejt vote në këto zgjedhje kanë 57.983 persona.

Ato do të votojnë në 87 vendvotime, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Për zgjedhjet në veri garojnë 12 kandidatë nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, transmeton Koha.net.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka angazhuar rreth 670 komisionarë. Numri i vëzhguesve të akredituar është rreth 500. Ata përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, dy zyre ndërlidhëse, 12 ambasada, dy organizata joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 16 shtëpi mediale.

Votimet fillojnë në orën 07:00.