KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet në veri

KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet në veri

Kushtrim Kadriu Kushtrim Kadriu 24 April 2019 12:02

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe dhe 4 kandidatët e saj për kryetar të 4 komunave veriore në Kosovë. Për certifikimin e tyre votuan 7 anëtarë, ndërsa dy anëtarë të Vetëvendosjes abstenuan.

Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje Adnan Rrustemi ka kërkuar që Lista Serbe të distancohet nga përmbajtja e aktit të dorëheqjeve të kryetarëve të komunave në veri, ku i janë referuar Kosovës me termin “Kosova dhe Metohija”, raporton KTV.

Ai ka thënë se abstenuan në këtë votim për shkak se nuk janë kundër certifikimit të Listës Serbe, por sipas tij duhet respektuar Kushtetuta e Kosovës.

Kujtojmë se kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe. Në dorëheqjet e tyre, kryetarët e këtyre komunave, i ishin referuar Kosovës me termin “Kosovë e Metohi”.

Ndërkaq, anëtari i Listës Serbe në KQZ, Stevan Veselinoviq, ka thënë se mos certifikimi i Listës Serbe është sulm politik. Ka shtuar se i kanë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara në Ligjin për Zgjedhjet.

Edhe kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, ka thënë se në bazë të rekomandimit të Zyrës për certifikim të subjekteve politike, Lista Serbe i ka plotësuar kriteret e kërkuara.

Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga LDK-ja Florian Dushi, ka thënë se nuk mund të dalin përtej autorizimeve të KQZ-së, duke dhënë vlerësime politike.

Për t’u certifikuar kandidatët duhet të votojnë për dy të tretat e anëtarëve të KQZ-së. Aktualisht KQZ-ja funksionon me 9 anëtarë pasi koalicioni PAN nuk i ka dërguar dy emra për dekretim te presidenti. Në këtë situatë, për të kaluar certifikimi, do të duhej vota për e njërit prej dy anëtarëve të VV-së në KQZ.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme