Opozita e re Bindja Demokratike dorëzon kërkesën për regjistrim në gjykatë

Bindja Demokratike dorëzoi në KQZ kërkesën për zgjedhjet e 30 qershorit

23 April 2019 11:52
12:51

Pas regjistrimit në Gjykatën e Tiranës është dorëzuar edhe në KQZ formulari për regjistrimin e partisë së Astrit Patozit (Rudina Hajdarit) dhe të pakënaqurve në PD, Bindja Demokratike.

Dokumentacioni u dorëzua nga një prej themeluesve të kësaj force politike, Fabian Topollai, i cili ka qenë këshilltar demokrat në Bashkinë e Tiranës.

“Shqipëria do të ketë prej sot një parti opozitare më shumë. Bindja Demokratike dorëzoi paradite në Gjykatën e Tiranës të gjithë dokumentacionin e regjistrimit si parti politike, shoqëruar me rreth 4 mijë firma mbështetësish për krijimin e saj. Vendimi erdhi pas takimit të një grupi të madh nismëtarësh mbrëmjen e kaluar, ku u përcaktuan edhe hapat e para të kësaj organizate politike në rrugëtimin e saj”, thuhet në deklaratën e parë për media të kësaj force politike.

Në këtë njoftim sqarohet se “nismëtarët vendosën të mandatojnë një bord të përkohshëm, i cili do të përfaqësojë partinë deri në ngritjen dhe zgjedhjen e forumeve drejtuese të saj, sipas statutit”.

Anëtarë të këtij bordi do të jenë: Arben Skënderi, Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli, ndërsa koordinator i tij Astrit Patozi.

Po sot Bindja Demokratike dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për pjesëmarrje si subjekt politik në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Image
11:52

Opozita e re Bindja Demokratike dorëzon kërkesën për regjistrim në gjykatë

Bindja Demokratike ka dorëzuar në gjykatën e Tiranës kërkesën për regjistrim si forcë politike dhe më pas vendimi kalon në KQZ për t'u regjistruar në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Mbrëmjen e djeshme themeluesit e Bindjes Demokratike zhvilluan një takim treorësh, ndërsa Astrit Patozi ishte fjalëpak për gazetarët:

Patozi: Faleminderit shumë për këtë vëmendje kaq të madhe. Ju kërkoj ndjesë që nuk jua shuaj dot kërshërinë. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur, por asgjë për të treguar sot. Nesër do të kemi një komunikim për të gjithë ju post-faktum.

Partia më e re në radhët e opozitës, Bindja Demokratike, duket se do të drejtohet nga ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi/oranews.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme