Arbëri

Veseli kërkon nga vendet mike të hartojnë rezolutë që njeh Serbinë si shkaktare të krimeve

Ndonëse ditë më parë kryeparlamentari Kadri Veseli, kishte kërkuar një Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe, ai sot ka njoftuar se ka përgatitur një letër drejtuar parlamenteve të vendeve mike, për të kërkuar prej tyre hartimin e rezolutave që në mënyrë zyrtare njohin rolin e shtetit serb si shkaktar i krimeve kundër njerëzimit.

Sipas tij, një rezolutë e tillë do të përkujtonte ngjarjet e dhimbshme për popullin e Kosovës, do të nderonte viktimat e shumta civile dhe do të dënonte kategorikisht çdo përpjekje për ta mohuar apo ndryshuar atë pjesë të errët dhe të dhimbshme të historisë bashkëkohore evropiane.

Burimet e Koha.net brenda zyrës së kryeparmanetarit Veseli, kanë thënë se letra që do t’u dërgohet vendeve mike lidhur me hartimin e rezolutës që njeh Serbinë si shkaktare të krimeve, është paralajmërim për kërkesën e bërë ditë më parë për krijimin e një Tribunali Ndërkombëtarë për krimet serbe.

Mirëpo një ide e tillë, është kritikuar nga Shoqëria Civile duke u quajtur e parealizueshme dhe lojë me familjarët e viktimave.

Ndërkaq lidhur me mohimin e krimeve të luftës janë deklaruar edhe miqtë ndërkombëtarë, përfshirë Ambasadën e Amerikës dhe atë të Britanisë së Madhe, transmeton Koha.net.

Ambasada e Amerikës në Kosovë ka thënë se mohimi i mizorive të luftës në Kosovë ofendon kujtimet për viktimat dhe minon përparimin në ndërtimin e një shteti demokratik dhe shumetnik.

Ndërkaq ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Conell ka thënë se të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur para 20 viteve në Kosovë, duke shtuar se çdo viktimë ka të drejtë për drejtësi.