Tribunali i propozuar nga Veseli po shihet ide e parealizueshme e lojë me familjet e viktimave

Valmira Saraçi Sahatçiu 16 April 2019 19:13

Në adresë të bashkësisë ndërkombëtare shpejtë pritet të shkojë kërkesa e Kosovës për themelimin e tribunalit të veçantë ndërkombëtar që do të gjykonte krimet e gjenocidin serb të kryer në Kosovë.

Kjo kërkesë do të hartohet nga shtatë përfaqësues të partive politike në Kuvend, e që nga e hëna janë pjesë e komisionit të veçantë për këtë çështje, raporton KTV.

Por, në sytë e atyre që janë jashtë institucioneve, kjo nismë po shihet si e parealizueshme.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë nuk sheh asgjë serioze në këtë mes.

Ai thotë se nuk mund të pritet që me një rezolutë të shtyhet komuniteti ndërkombëtar të krijojë një tribunal për krimet serbe të kryera në Kosovë.

Ndërkohë, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se me të tilla ide po u jepen shpresa të rreme familjeve të viktimave të luftës.

Sipas tij, kjo është mënyra më e mirë që institucionet po mundohen të mbulojnë dështimin sistematik prej 20 vjetësh.

Sikurse Miftaraj, edhe Blakaj thotë se ka dallim substancial mes rezolutës që Parlamenti Evropian ka bërë duke dënuar gjenocidin në Srebrenicë dhe asaj që po synohet të jetë në Kosovë.

Blakaj thotë se në rastin e Srebrenicës, gjenocidi e ka marrë vulën gjyqësore e për Kosovën, nuk ka pasur asnjë aktgjykim për gjenocid, por vetëm për krime lufte.

KTV-ja ka pyetur zyrën e kryetarit të Kuvendit se si po planifikohet të realizohet kjo ide, por kanë thënë se po presin që komisioni ta hartojë rezolutën, e pastaj ajo t’i përcillet si kërkesë bashkësisë ndërkombëtare.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme