Ministria e Infrastrukturës tash një muaj me dy drejtorë të prokurimit

Ardiana Thaçi Mehmeti Ardiana Thaçi Mehmeti 16 dhjetor 2018 21:51

Gati një muaj po bëhen që kur Ministria e Infrastrukturës shkarkoi nga puna drejtorin e Prokurimit, Nexhat Krasniqi, dhe në vend të tij e vuri Valmira Bllacën, e cila për vjet të tëra ishte zyrtare e prokurimit në Policinë e Kosovës.

Por që nga ajo ditë, kjo ministri ka dy drejtorë të Prokurimit, e të cilët janë duke dalë në punë, për t’i kryer të njëjtat detyrat.

Derisa Krasniqi vazhdon qetësisht punën në zyrën e tij, Bllaca është duke punuar nga zyra e sekretarit të ministrisë.

Valmira Bllaca u punësua në emër të një transferimi të bërë mes dy ministrive që ka hyrë në fuqi 4 ditë pas shkarkimit të Krasniqit, më 12 nëntor.

Me këtë transferim, Bllaca thuhet se ka marrë pozitën e përhershme të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Por, vendimi i Betim Reçicës për ta larguar nga puna Krasniqin, nuk është shfuqizuar.

Kjo pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës thotë se ai u shkarkua pa arsye duke hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që Krasniqi të largohet nga pozita për shkak të një vendimi të formës së prerë për Keqpërdorim të pozitës së njëjtë sa ishte në Ministrinë e Tregtisë.

Për ta larguar Krasniqin nga zyra e tij, Reçica i cili është emëruar sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, me datën 8 nëntor nga pozita e Udhëheqësit për projektin e auto-udhës Pejë – Zahaç, kishte thirrur edhe Policinë e Kosovës.

Por, Policia hoqi dorë nga kërkesa e Reçicës, pasi Krasniqi ua kishte prezantuar atyre dokumentet, me të cilat ai kishte arritur të kthehej në vendin e punës pasi ashtu kishte vendosur Komisioni Disiplinor në MI.

Sipas një vendimi të datës 3 tetor 2017, ky komision i kishte shqiptuar Krasniqit masa disiplinore për mos avancim 5-vjeçar. Por, njëkohësisht komisioni kishte obliguar MI-në që atë ta kthejë në pozitën e njëjtë.

Vetë Pal Lekaj në një intervistë për KTV-në, ka thënë se kjo çështje do të rregullohet megjithëse ka theksuar se sa i përket sektorit të shërbimit civil, edhe për këtë duhet pyetur sekretarin.

“Kohavisioni” ka kontaktuar me sekretarin e MI-së, Betim Reçica për të pyetur se çfarë do të bëjë në këtë situatë, por ai ka theksuar se ndodhet jashtë shtetit.

Zyra për informim e kësaj ministrie nuk ka dhënë informacionet e kërkuara nga KTV-ja.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme