Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

125 kërkesa për konvertimin e targave ilegale në veri në ditën e parë të afatit të ri

125 kërkesa për riregjistrim të automjeteve me targa ilegale janë bërë nga serbët e veriut në ditën e parë të rrjedhjes së afatit të ri për konvertimin e tyre në RKS. Për t'i informuar qytetarët serbë lidhur me lehtësirat që kanë, të mërkurën u angazhuan pjesëtarët e Policisë. Një ekip i KOHË-s ka shoqëruar një patrullë policore, teksa zyrtarët e saj shpërndanë fletushka informuese

Asnjë veturë me targa të lëshuara nga autoritetet e Serbisë nuk i ka shpëtuar nismës për informim të fillimit të afatit të ri për konvertimin e tyre në RKS.

Vozitësit serbë me targa ilegale u ndaluan një nga një nga Policia dhe u informuan për mundësitë e lehtësirat që kanë për t'i marrë targat e Kosovës.

Fletushkat informuese në gjuhën serbe që iu shpërndanë atyre përmbanin informacione mbi afatet e mundësitë.

Disa prej serbëve shfrytëzuan këtë edhe për t'i pyetur policët për hollësi të tjera.

E disa të tjerë thanë se tashmë kanë aplikuar për konvertimin dhe se janë në pritje të marrjes së targave të reja.

Edhe Fundi i targave ilegale Arbëri Fundi i targave ilegale

Sipas informacioneve jozyrtare, vetëm të mërkurën deri në orën 14, në ditën e parë të rrjedhjes së afatit të ri, kërkesë për t'i regjistruar automjetet e tyre kanë bërë 125 serbë.

Zv.drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se për vazhdimin e një afati të tillë ka pasur kërkesa të shumta nga serbët.

Tek bëri thirrje që të shfrytëzohet mundësia e dhënë, Elshani tha se qytetarët që ngasin vetura me targa ilegale do të jenë çdo ditë e më shumë të kufizuar.

"Nuk ka kurrfarë benefiti as nuk ka liri të lëvizjes as s`ka lëvizje të qartë dhe regjistrimi i këtyre veturave dhe konvertimi në RKS hap dyer edhe për Kosovë edhe për më gjerë", ka thënë Elshani.

Ai ka sqaruar edhe se si do të veprohet pas 1 dhjetorit, kur edhe përmbyllet afati i dytë për riregjistrim.

Edhe Kërkohet nga Qeveria të shtyhet afati edhe për 15 ditë për konvertimin e targave ilegale Arbëri Kërkohet nga Qeveria të shtyhet afati edhe për 15 ditë për konvertimin e targave ilegale

"Nëse një person e shohim me një veturë me targat ilegale pas kësaj date targat i largohen nga automjete vetura nuk do të jetë në lëvizje...lëvizja e atij automjeti nuk do të jetë në rrugë", ka deklaruar ai.

Vendimi, që afati për regjistrimin e automjeteve me denominime të targave “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA të zgjatet deri më 1 dhjetor, është marrë dy ditë më parë nga Qeveria e Kosovës. Pronarët e këtyre veturave patën edhe një afat vitin e shkuar e që vazhdoi edhe në muajt e parë të këtij viti.