Arbëri

121 raste me tuberkuloz në tremujorin e parë të 2025-s, MSH-ja vlerëson se situata është nën kontroll

Mbi 120 raste me tuberkuloz janë regjistruar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në tre muajt e parë të këtij viti. Në Ministrinë e Shëndetësisë vlerësojnë se nuk ka emergjencë dhe se situata po menaxhohet pa telashe. Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike si shqetësim kryesor kanë përmendur rezistencën ndaj barnave antituberkulare. E mjekët pulmologë thonë se shtimi i rasteve bëhet kryesisht për shkak të pakujdesisë së qytetarëve

Në tre muajt e parë të këtij viti në Kosovë janë raportuar 121 raste të reja me tuberkuloz në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Si mesatare është pak më e lartë se e secilit tremujor të vitit 2024, vit në të cilin gjithsej u shënuan 466 raste.

Në Ministrinë e Shëndetësisë vlerësojnë se nuk ka emergjencë. Menaxherja Kombëtare për Tuberkulozin, Majlinda Gjocaj, tha se Kosova i menaxhon mirë rastet për shkak edhe të imunizimit në shkallë të lartë.

“Shkalla e vaksinimit me këtë vaksinën mbrojtëse ndaj tuberkulozit është shumë e lartë, është pothuajse 98 për qind dhe ka shumë pak hezitime, për arsye se është një sëmundje e vjetër dhe njerëzit e dinë, sepse njerëzit deri vonë e kanë quajtur si veremi”, ka thënë Gjocaj.

E rritjen e shifrave në periudhën pas pandemisë ajo nuk e quan reale.

“Shifrat e tuberkulozit duke i krahasuar këto tre vjet pas pandemisë Covid patëm një ngritje të lehtë, por do të thosha se ishte false, sepse gjatë pandemisë qytetarët kishin më shumë problem që të qaseshin në institucionet shëndetësore nga frika se duke shkuar për një sëmundje, do të marrin një tjetër”.

Në përgjigjen e IKSHPK-së, si shqetësim kryesor është përmendur rezistenca ndaj barnave antituberkulare.

“Prevalenca e tuberkulozit në Kosovë ka shënuar ndryshime gjatë viteve, me një tendencë të mundshme në rënie viteve të fundit. Megjithatë, rezistenca ndaj barnave të tjera antituberkulare vazhdon të përbëjë një shqetësim të rëndësishëm për kontrollin dhe menaxhimin efektiv të tuberkulozit në vend. Kjo situatë nënvizon nevojën për një monitorim të vazhdueshëm dhe rigoroz të rezistencës ndaj ilaçeve, si dhe për sigurimin e terapisë së përshtatshme dhe të personalizuar për pacientët me tuberkuloz rezistent ndaj shumë barnave (MDR-TB)”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

E pulmologu Skender Baca vlerësoi se numri i këtyre rasteve shtohet kryesisht nga pakujdesia e qytetarëve.

“Do të thotë se kjo është sëmundje ngjitëse aerogjene. Në 99 për qind të rasteve është tipike aerogjene, vetëm me ajër, vetëm me kontaktin do të thotë gjatë kollës, këndimit, pështymës apo të qeshurit, i sëmuri i cili e ka Bacili e TB në mushkri e liron këtë bacil. As ndotja e ambientit, as duhanpirja as alergjia nuk kanë lidhje me sëmundjen e tuberkulozit”, ka sqaruar Baca.

Tuberkulozi është sëmundje infektive e shërueshme. Përcillet me kollë të vazhdueshme, djersitje, humbje peshe, gjakderdhje nga goja e të tjera.

Sipas institucioneve shëndetësore, së shpejti pritet të nisë edhe përdorimi i një testi imunologjik për identifikimin e infeksionit të fshehur me tuberkuloz.