Arbëri

Thaçi: Takim i rëndë me Vuçiqin, Serbia ende jeton me mentalitetin e së kaluarës

Descriptive Text

11:42 - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një deklaratë për media, ka thënë se takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin ishte i shkurt dhe sipas tij, shumë i rëndë, derisa ka bërë thirrje që Serbia të lirohet nga barra historike se Kosova është pjesë e Serbisë.

“Sot folëm për hapat konkret që duhet t’i marrë Kosova drejt BE-së. Ne ia konfirmuam [Federica Mogherinit] se Kosova është gati dhe unike për dialog për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, si parakusht për fqinjësi të mirë dhe për një të ardhme të sigurt për integrim në NATO dhe BE”, ka thënë Thaçi, transmeton Koha.net.

“Pastaj zhvilluam takimin mes presidentëve, ka qenë takim i shkurt, ka qenë takim jo i lehtë, ka qenë më i rëndi që kemi zhvilluar në këto gjashtë vjetët e fundit, prandaj do të punojmë maksimalisht që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare”, ka shtuar ai.

“Unë ende shoh dritë në fund të tunelit pasi Serbia ende jeton me mentalitetin e së kaluarës, mashtrohen dhe gabohen rëndë. Ka qenë takim i rëndë me Vuçiqin, por duhet të punojmë që të arrijmë marrëveshjen që do të jetë fituese për Kosovën dhe Serbinë. Do të shikojmë në të ardhmen se si do të lëvizin gjërat”, ka thënë Thaçi që nuk pret lehtësim të dialogut gjatë muajve të ardhshëm.

“Duhet të arrihet një marrëveshje për dy vendet, marrëveshje që hap perspektivë euroatlantike për Kosovën dhe Serbinë. Një marrëveshje që lehtëson të ardhmen e dy vendeve. Që sjell mirëkuptim dhe pajtim. Nuk pres që procesi të lehtësohet, pres vështirësi edhe më të mëdha dhe pengesa, pres proces më të rëndë drejt finalizimit të dialogut dhe negociatave Kosovë-Serbi”, ka thënë Thaçi

Thaçi ka thënë se dialogut do të jetë i vështirë për shkak se ende në Serbi mendojnë se Kosova është ende pjesë e saj, por sipas tij, palës serbe po mungon guximi për të liruar popullin nga barra historike për Kosovën.

“Duke parë këtë shkëputje nga realiteti themi se ishte takim i vështirë”, ka thënë Thaçi.


Mogherini: Thaçi e Vuçiq diskutuan për marrëveshjen ligjërisht obliguese

11:40 - Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, organizoi një takim të dialogut të lartë me presidentët, Hashim Thaçi i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë.

“Përfaqësuesja e Lartë dhe dy Presidentët rishikuan progresin e arritur në diskutimet mbi kornizën e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese në normalizim e plotë të marrëdhënieve mes dy palëve. Ata u pajtuan që të ritakohen pas disa javësh për të vazhduar punën e tyre”, thuhet në komunikatën e zyrës së Mogherinit.


Vuçiq: Për zgjidhjen e Kosovës duhet të jemi të dyja palët të pakënaqura në mënyrë të barabartë

11:24 - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në prezencën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, u përball me pyetjen e një gazetari se “a do të njihni pavarësinë e Kosovës”.

Image

“Gjithmonë ndodhem para kësaj pyetjeje, me atë se cila do të jetë zgjidhja e kompromisit. Kosova pret që ta njohim pavarësinë e saj, dhe si kompromis nuk ofron asgjë, pret vetëm njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por, në çështjen e kompromisit, të dyja palët duhet të humbin diçka, jo njëra të fitojë gjithçka e tjera asgjë. Nëse jemi të dyja palët barabar të pakënaqura, atëherë mund të themi se kemi arritur një zgjidhje të vërtetë kompromisi”, theksoi Vuçiq para gazetarëve në Bruksel pas takimit me Thaçin, raporton Koha.net.

Megjithatë, ai tha se zgjidhja nuk është afër.


Thaçi: Kosova edhe në takimet e radhës në Bruksel do të jetë unike në përfaqësim

10:53 - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me udhëheqësit institucionalë dhe liderët politikë të partive politike parlamentare, që janë pjesë e koalicionit qeverisës, ka takuar përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Në këtë takim, Thaçi thotë të kenë rikonfirmuar përkushtimin për dinamizmin e fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.

Image

“Kjo do të t’i hapë rrugë njohjes së Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlanike. Kosova edhe në takimet e radhës do të jetë unike si në përfaqësim ashtu edhe në qëndrimet politike”, ka shkruar Thaçi në Facebook.


Veseli pret raport pozitiv nga Avrampoluos për vizat

10:20 - Eurokomisionari për çështje të brendshme dhe Migrim, Dimitris Avrampoluos, do të dalë sot me rekomandim pozitiv për vizat në orën 11:30, ka thënë kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli pas takimit që delegacioni i Kosovës zhvilloi me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Ai këtë e ka quajtur një lajm të mirë për qytetarët e Kosovës, ndërsa tha se presidenti Thaçi ka mbetur i vetëm në takim me homologun e tij serb, Vuçiq, raporton TV Arta.

Image

I pyetur nga gazetarët pse nuk janë i gjithë delegacioni në takim, ai ka thënë se nuk ka nevojë pasi që “presidenti Thaçi është unifikues” dhe se “është i duhuri për të përfaqësuar Kosovën në këtë dialog”.

Ai tha se në takimet e radhës do të jenë edhe opozita derisa shprehu besimin se edhe Serbia shumë shpejt do ta njohë Kosovën si shtet.

Ndërsa kryeministri Haradinaj pas takimit tha të kenë dëshmuar se “institucionet e Kosovës janë unike për dialogun me Serbinë”.

“Normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve është proces, i cili duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe si i tillë është shumë i rëndësishëm për tërë Ballkanin Perëndimor”, theksoi Haradinaj në një postim në Facebook.


Delegacioni i Kosovës takon Mogherinin, të përkushtuar për dialogun me Serbinë

9:57 - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me delegacionin e Kosovës, të përbërë nga Presidenti Thaçi, Kryeparlamentari Veseli, dhe zëvendëskryeministrat Pacolli, Limaj e Gashi, kanë takuar Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Image

Në këtë takim, Haradinaj thotë të kenë dëshmuar se “institucionet e Kosovës janë unike për dialogun me Serbinë”.

“Normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve është proces, i cili duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe si i tillë është shumë i rëndësishëm për tërë Ballkanin Perëndimor”, theksoi Haradinaj në një postim në Facebook.


Pacolli: Izolimit të padrejtë po i vjen fundi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli, zv.kryeministrin Fatmir Limaj, zv. kryeministrin Dardan Gashi si dhe ministrin e Jashtëm Behgjet Pacolli, po qëndrojnë në Bruksel ku do të kenë takime me zyrtarë evropianë.

Presidenti Thaçi do të takohet me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa i tërë delegacioni i Kosovës pritet që të takojë Përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian Federica Mogherini.

Zv/kryeministri Pacolli, përmes një postimi në Facebook, është shprehur optimist se liberalizimit të vizave po i vjen fundit.

Image

“Sot është ditë e madhe për Kosovën evropiane. Izolimit të padrejtë për qytetarëve po i vjen fundi. Sot do të marrim raportin pozitiv për vizat si hap i parë drejt liberalizimit”, u shpreh Pacolli, raporton Koha.net.

“Kosova në BE dhe NATO është ëndrra jonë e përbashkët”, theksoi ai në fund.

Komisioni Evropian, pas takimit të kolegjit të Komisarëve, të mërkurën pritet të dalë me njoftimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet nga procesi i dialogut për liberalizim vizash, shkruan sot Koha Ditore.

Një veprim i tillë i Komisionit Evropian ishte pritur shumë më herët, sidomos pasi Kuvendi i Kosovës kishte ratifikuar Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e që ishte paraqitur si kusht shtesë në këtë proces.

Por më pas doli që ai nuk ka qenë kushti i fundit, sepse BE-ja insistonte edhe në një raportim se Kosova ka përmbushur kushtin tjetër, atë të dëshmive konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë.