Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë kanë zhvilluar një takim të shkurtër në Bruksel, e Zyra e Mogherinit ka thënë se kanë rishikuar progresin e bërë sa i përket një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, raporton KTV.
Presidenti Thaçi e ka quajtur të rëndë takimin me Vuçiqin, ndërsa ky i fundit ka kërkuar që Kosova të ofrojë kompromise.
Takimin më të rëndë që ka pasur në këto 6 vjetët e fundit, e ka cilësuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takimin disa minutash në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Ndonëse i shqetësuar me zhvillimin e takimit, presidenti ka thënë se ende sheh dritë në fund të tunelit, ani pse, sipas tij, Serbia jeton me mentalitetin e së kaluarës.
Thaçi këtë herë ka qenë i rezervuar ndaj frazës së proklamuar nga vetë ai, se “zgjidhja finale e dialogut do të jetë njohja reciproke e të dyja shteteve”.
Tani vetëm ka kërkuar që të arrihet një marrëveshje për të dyja vendet, e cila hap perspektivë euroatlantike për Kosovën dhe Serbinë.
Por, zgjidhja përfundimtare për presidentin e Serbisë është larg.
Aleksandar Vuçiq ka thënë se për të është e pakuptueshme logjika e Prishtinës që kërkon kompromis pa ofruar asgjë.
“Gjithmonë ndodhem para kësaj pyetjeje, se cila do të jetë zgjidhja e kompromisit. Kosova pret që ta njohim pavarësinë e saj dhe si kompromis nuk ofron asgjë, pret vetëm njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por, në çështjen e kompromisit, të dyja palët duhet të humbin diçka, jo njëra të fitojë gjithçka e tjetra asgjë. Të dyja palët jemi njëjtë të pakënaqura, atëherë mund të themi se kemi arritur një zgjidhje të vërtetë kompromisi”
Presidenti Thaçi nuk e ka qartësuar se çfarë e kishte bërë kaq të rëndë takimin me Vuçiqin, e as për kompromiset që po i kërkon ai.
Zyra e Mogherinit ka paralajmëruar një takim të ardhshëm pas disa javësh, pa qartësuar se çka u bisedua.
“Përfaqësuesja e Lartë dhe dy presidentët kanë rishikuar progresin e bërë në diskutime, sa i përket një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve në të dy anët. Ata janë pajtuar që të mblidhen pas disa javësh për të vazhduar punën e tyre”.
Në Bruksel kanë udhëtuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, e ata ndaras janë takuar me Federica Mogherinin dhe delegacionin e BE-së, të cilët për dallim nga kosovarët, ishin shumica gra.
Liderët institucionalë nuk kanë qenë fare pjesë e takimit Thaçi - Vuçiq.
Partitë opozitare nuk kanë pranuar të jenë pjesë e delegacionit kosovar të bisedimeve, por, sipas kryetarit të Kuvendit, herën e ardhshme në Bruksel do të shkojë edhe opozita.