Arbëri

100 ditët e para të Ramës me shumë takime e mysafirë

Takim me kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizi; takimin me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani; takim me deputeten në Parlamentin Kroat, Ermina Lekaj Prlaskaj; takim me ambasadorë të shumë vendeve, si Shqipëri, Itali, Turqi, Mali të Zi, e të Mbretërisë së Bashkuar; takime me Ministrinë e Mbrojtjes, e përfaqësues të UNIMK-ut, janë disa nga takimet e shumta të kryetarit Përparim Rama.

Përveç takimeve brenda vendit, ai doli për vizitë zyrtare edhe në Shqipëri, duke u takuar me kryetarin e Tiranës, Erion Veliaj.

Mbi 75 takime e karakterizojnë punën e Ramës, kur po bëhen gati 100 ditë të qeverisjes së tij në Prishtinë. Përderisa projektet që do të shtyhen përpara këtë vit janë ato të planifikuara nga mandati i kaluar nën qeverisjen e Shpend Ahmetit.

Duke mbajtur më shumë së 3 takimet në ditë, ai nuk po ka shumë kohë për gjëra të tjera.

Nga komuna thonë se janë të domosdoshme për shtyrjen përpara të proceseve për Prishtinën.

“Me keqardhje ju njoftojmë se momentalisht, nuk është e mundur që kryetari z.Perparim Rama të prononcohet për media për shkak të angazhimit dhe takimeve të shumta që ka e të cilat janë të domosdoshme për shtyrjen përpara të proceseve për transformimin e Prishtinës në të mirë të qytetarëve të saj”, thuhet nga Komuna e Prishtinës.

Punën dhe takimet e shumta të Ramës, opozita i vlerëson jopremtuese dhe zhgënjyese.

Asamblisti i Kuvendit Komunal nga radhët e Vetëvendosjes thotë se ky nuk është një fillim i mirë i tij.

“Është një fillim jo i mirë, jo premtues i z.Rama e mbase për dikë edhe zhgënjyes. Kur them jo premtues, e kam qytetarin e thjeshtë të Prishtinës që ballafaqohet çdo ditë me probleme ndërsa zhgënjyes për ata që e kanë votuar dhe kanë shpresuar në projektin e tij. Si VV nuk kemi pasur pritshmëri për kryetarin e zgjedhur. Kemi qenë mjaft bashkëpunues dhe i kemi dhënë mjaft kohë. Por po e shohim Ramën që çdo ditë po mban takime të ndryshme, personalitete, ambasadorë të ndryshëm, impakti i të cilëve në jetën e qytetarëve të Prishtinës është i papërcaktuar dhe nuk e kam të qartë se si është paramenduar nga ana e tij”, tha asamblisti i VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla.

Ndërsa, sa i përket punës, Sveçla thotë se nuk ka asnjë projekt konkret dhe se shërbimet janë më të këqija këta tre muaj.

“Nga ana e tij nuk ka filluar asnjë projekt konkret, nuk ka asnjë lëvizje, shërbimet e përgjithshme janë më të këqija sesa kanë qenë para zgjedhjeve. Pra 3 muaj pas marrjes së detyrës së kryetarit, gjendja në Prishtinë është më e keqe. Ka ardhur koha që Rama dhe ekipi i tij më në fund të fillojnë të punojnë dhe të implementojnë atë program me të cilën kanë fituar zgjedhje”, tha Sveçla.

Disa qytetarë i shohin të panevojshme takimet e shumta të Ramës, duke thënë se ai duhet të fokusohet më shumë në punën që e shtyn përpara Prishtinën.

Pas formimit të ekipit qeverisës, zyrtarët komunalë, të prirë nga kryetari Rama, kaluan një vikend pune në qytetin e Pejës, ku u rezervuan 30 dhoma gjumi, ku çmimi më i lirë i një dhome kushtoi 55 euro.