Arbëri

Ish-polici Shaqir Lutvija dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Prizren

Për krime lufte të kryera rreth tri dekada më parë në Prizren, ish-polici i Serbisë, Shaqir Lutvija, është dënuar me 10 vjet burgim. Gjykata Themelore në Prishtinë e ka bërë përgjegjës për masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit e trajtimit çnjerëzor

Ish-polici i Serbisë, Shaqir Lutvija, është dënuar me 10 vjet burgim për krime lufte të kryera gati tri dekada më parë në Prizren.

Lutvija është bërë përgjegjës për masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit e trajtimit çnjerëzor, të kryera si inspektor dhe polic në stacionon policor të këtij qyteti, bashkë me persona të tjerë. 

“I akuzuari Shaqir Lutvija është fajtor, sepse ka kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’, e sanksionuar me nenin 142 të ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë. Të njëjtin e gjykon me dënim me burgim në afat prej 10 vjetëve. Koha e kaluar në paraburgim i llogaritet në dënimin e shqiptuar nga 14.10.2023 deri në plotfuqishmërinë e këtij aktvendimi”, ka thënë Kujtim Krasniqi, kryetar i trupit gjykues.

Në seancën e së martës, ku i është shqiptuar dënimi, ka munguar i akuzuari Lutvija.

Në aktakuzë të Prokurorisë Speciale thuhet se ai me të pandehurit e tjerë kanë përdorur mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosin në pjesën e duarve, me ç’rast si pasojë e saj një qytetar me inicialet R.J. ka vdekur, ndërsa persona të tjerë pësuan lëndime trupore. Në të theksohet se gjatë marrjes në pyetje të dëmtuarit i kanë rrahur me boksa e shqelma, e me mjete të tjera të forta, duke ushtruar trajtim çnjerëzor.

Vendimin e Themelores e ka mirëpritur Prokuroria Speciale, e cila ka shprehur edhe zotimin për të vazhduar ndjekjen e kriminelëve tjerë të luftës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës riafirmon përkushtimin në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, me qëllim të garantimit të drejtësisë për viktimat dhe forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në seancën fillestare të mbajtur në shtator të vitit të kaluar, i akuzuari Lutvija është deklaruar i pafajshëm për akuzën që e ka vërtetuar Themelorja dhe e ka dënuar për krimet e luftës të kryera në Prizren gjatë viteve 1998-1999.