Dhjetë vjet burgim i janë shqiptuar serbit Sllagjan Trajkoviq, i cili është akuzuar për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Vushtrrisë. Ai është ngarkuar se individualisht dhe në bashkëkryerje ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, djegie e shkatërrim të shtëpive në fshatin Reznik e fshatra të tjera të kësaj komune. Aktgjykimin ndaj tij e ka mirëpritur Prokuroria Speciale
Me dhjetë vjet burgim është dënuar të premten serbi nga Novolani, Sllagjan Trajkoviq, i akuzuar për krime lufte të kryera në Reznik dhe në fshatra të tjera të komunës së Vushtrrisë gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Prokuroria Speciale e ka akuzuar Trajkoviqin se individualisht dhe në bashkëkryerje ka kontribuar në vrasje, në bastisje, në rrahje, në djegie dhe në shkatërrim të shtëpive nëpër fshatra të Vushtrrisë.
Në leximin e aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, ka thënë se Trajkoviqi është fajtor për pikën C të aktakuzës.
“Kjo gjykatë, të akuzuarin Sllagjan Trajkoviq e ka gjetur fajtor për pikën C të aktakuzës, e gjykon me dënim me burgim me kohëzgjatje prej 10 vjetësh”, ka thënë ai.
Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe kjo masë atij do t’i vazhdohet me aktvendim të veçantë.
E krahas dënimit me burgim, gjyqtari Arrni ka theksuar se Trajkoviqi obligohet që t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës, 200 euro për paushallin gjyqësor si dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Të pranishëm në sallën e gjykimit gjatë shpalljes së dënimit kanë qenë familjarë të të pandehurit, të cilët nuk e kanë mirëpritur vendimin e shkallës së parë.
Por ndryshe prej tyre, aktgjykimi i Themelores është përshëndetur nga Prokuroria Speciale.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mirëpret aktgjykimin e shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit për krime lufte, S.T. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe vendosjen e përgjegjësisë penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, kanë thënë në Prokurorinë Speciale.
Trajkoviqi, sipas aktakuzës së ngritur ndaj tij, ka qenë pjesëtar i forcave policore e ushtarake serbe dhe “ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin të mijëra civileve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar”.
Ai është arrestuar në Mitrovicë në dhjetor të 2022-tës. Gjatë këtij viti janë shpallur 10 aktgjykime për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, teksa për të pandehurin Gavrillo Millosavleviq është marrë vendim lirues.
Më 2024, janë ngritur 14 aktakuza ndaj 25 serbëve të dyshuar për krime lufte. Prej tyre, gjashtë janë ngritur në mungesë ndaj 11 serbëve, ndërsa shtatë të tjera ndaj 13 serbëve që janë në arrest. Po këtë vit, janë proceduar gjithsej 35 lëndë për krime lufte, nga të cilat 10 përmbajnë aktakuza për dhunë seksuale.
E në gushtin e sivjetmë, Prokuroria Speciale ka dorëzuar në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.
Gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999, në Kosovë janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Afër 1.600 persona janë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e të cilëve janë shqiptarë.