Slagjan Trajkoviq, si pjesëtar i forcave serbe më 1999, akuzohet se në bashkëkryerje me persona të tjerë ka kontribuuar në vrasje, bastisje dhe dëbimin e mijëra civilëve shqiptarë. Për këtë rast prokuroria ka dhënë fjalën përfundimtare të martën, ndërkohë mbrojtja do ta bëjë këtë në një seancë tjetër
Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që Slagjan Trajkoviqin ta shpallë fajtor për krimet e luftës që akuzohet se i kreu gjatë vitit 1999 në Komunën e Vushtrrisë.
Në gjykimin ndaj tij, të martën është dhënë fjala përfundimtare nga prokurorja speciale, Florie Salihu-Shamolli, e cila ka kërkuar që Trajkoviqi të dënohet sipas ligjit.
Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëmarrës i forcave policore e ushtarake të Serbisë, ka kontribuuar në vrasje, bastisje dhe dëbimin e mijëra civilëve shqiptarë.
“Ishin gjithsej 9 anëtarë të familjes Ujkani, si vdiqën këta persona. Këta persona nuk vdiqën nga vdekja natyrore, por këta vdiqën në mënyrën më mizore të mundshme, çnjerëzore, pasi të njëjtit u dogjën për së gjalli, në shtëpinë e tyre pikërisht me marrjen pjesë edhe të të akuzuarit Slagjan Trajkoviq”, ka thënë prokurorja speciale Florije Salihu-Shamolli.
Prokurorja Salihu-Shamolli ka elaboruar dëshmitë e dëshmitarëve, duke theksuar vendet ku ka marrë pjesë i akuzuari Trajkoviq gjatë luftës. Ajo ndër të tjera ka përmendur pjesëmarrjen e të akuzuarit në vrasjen dhe djegien e familjes Ujkani.
“Këta persona kërkojnë si fillim para, në atë moment Xhevahire Ujkani kishte 300 marka, i jep Sllagjanit, ndërsa pas marrjes së këtyre parave Xhevahiren dhe Naim Ujkanin i mbyllin në dhomën e parë të shtëpisë, ndërsa viktimën B1 me dhunë e marrin dhe e dërgojnë në katin e parë të shtëpisë, duke e rrahur, maltretuar në mënyrë çnjerëzore duke kërkuar para. Sa ndodhi kjo, i akuzuari Slagjan tërë kohën ka fotografuar me aparat”, ka thënë ajo.
Trajkoviq akuzohet se në prill të 1999-s në fshatin Bukosh të Vushtrrisë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë edhe në vrasjen e Hysen Gashit.
“Më datën 14 prill 1999 shkon në shtëpinë e Hysen Gashit në fshatin Bukosh, ku aty familja ishte tubuar në katin e dytë. Aty para derës del viktima Hysen Gashi dhe shtien me armë automatike në viktimën dhe nga plagët vdes Hysen Gashi. Këtë ngjarje e pa djali i tij, i cili ishte vetëm 12-vjeçar. Mehdi Gashi ishte në katin e dytë të shtëpisë. Në momentin që sheh lëviz një batanije dhe më këtë e pa Slagjan Trajkoviqin teksa ka shtënë edhe në viktimën Mehdi Gashi, por fatmirësisht nuk arrin ta qëllojë”, ka thënë prokurorja Salihu-Shamolli.
Ndaj tij ajo ka kërkuar që të mos ndërpritet masa e paraburgimit, pasi ka thënë se ende ekzistojnë arsyet për të cilat është vendosur kjo masë.
Me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit Trajkoviq, fjala përfundimtare për mbrojtjen do të vazhdojë në një seancë tjetër.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzën për Trajkoviqin më 12 korrik 2023.