038

Jeta e refugjates ukrainase në një banesë pa ngrohje në Prishtinë

Olga Gorgola nga Ukraina, bashkë me dy fëmijët e saj, po qëndrojnë në kushte të rënda në Prishtinë, në mungesë të përkujdesjes institucionale. Ajo po qëndron në një banesë pa ngrohje. Për akomodimin e tyre është përkujdesur një familje kosovare. Shteti po ia jep 100 euro në muaj. Për shkak të kushteve të rënda, dhe nëse nuk merr përgjigje, refugjatja ukrainase ka thënë për KOHËN se e ka të vështirë të qëndrojë gjatë në Kosovë, ku erdhi duke ikur nga lufta.

Në një intervistë për emisionin “038” në KTV, ajo ka treguar se ka jetuar në Donjetsk, në një vend që ka nisur luftën shumë vjet më herët. “Për mua është hera e dytë që e ndjej dhe e përjetoj luftën”, ka thënë ajo.

Olga ka treguar se e ka zgjedhur Kosovën pas një ftese që ka marrë nga miqtë e saj, të cilët i bëri kur e vizitoi Shqipërinë vitin e shkuar.

“Kur lufta filloi, ata më ftuan të vija këtu. E kam menduar gjatë këtë, sepse ishte një shtet që nuk e njihja, e s’kisha shumë persona që mund të më ndihmonin. Isha vendosur në Poloni si refugjate dhe atje ka shumë refugjatë, është një vend i varfër dhe qeveria nuk mund t’i ndihmojë gjithë ata persona. Duhej të bënim çdo gjë vetë. Vendosa të vija këtu. Miqtë në Kosovë më ndihmuan shumë tash e 3 muaj, por tani situata ime është vështirësuar, kam mbetur pa para, sepse nuk e kam statusin e azilkërkueses. Më duhen para që të jetoj këtu dhe më besoni, e kam të vështirë të kërkojë ndihmë për vete dhe fëmijët e mi, por duhet ta bëj në një situatë të tillë”, ka thënë ajo.

Ajo ka treguar se e ka të paguar qiranë për tre muaj dhe i kanë mbetur edhe pak ditë deri në fund të afatit. Në banesë dy fëmijët e saj po përballen me të ftohtin pasi 100 euro thotë se nuk i mjaftojnë për të paguar rrymën.

“Nuk e di çka do të ndodhë. Shpresoj që gjithçka të ndërrojë për një moment. Unë besoj që gjithçka do të jetë më mirë, sepse ndonjëherë na duhet dikush që të na vijë në ndihmë që të bëjë diçka të mirë për ne. Ndihma ofrohet në mënyra të ndryshme, jo vetëm më para. Ndonjëherë mjafton diçka e shpirtit, një fjalë që njerëzve u jep energji, diçka që ju nevojitet”, ka deklaruar më tej ajo.

Pos banimit, Olga ka treguar se e ka falas edhe trafikun urban, e se një shkollë private i ka ofruar edukim falas djalit të saj.

Edhe pse afati për të paguar qiranë po i afrohet fundit, Olga ka thënë se është e vendosur të qëndrojë në Kosovë e të gjejë vend pune këtu.

Olga është shprehur se ndihet rehat dhe e sigurt në Kosovë dhe se në Ukrainë nuk pret të kthehet së shpejti, pasi siç ka thënë, ai vend tashmë është shkatërruar.