Që nga fundi i shkurtit, kur ka nisur lufta në Ukrainë e deri më tash, në Kosovë janë regjistruar vetëm 4 refugjatë nga ky shtet. Ndërkaq, 147 ukrainas kanë kaluar transit nga Kosova për Shqipëri dhe Mal të Zi. Institucionet shtetërore kishin shprehur zotimin për të pranuar rreth 5 mijë refugjatë, por në Qeveri nuk dhanë informata mbi veprimet e ndërmarra në funksion të pranimit të këtij numri.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në Kosovë janë regjistruar vetëm katër refugjatë. Në mesin e tyre është një nënë me dy fëmijë e cila në Kosovë ka hyrë si turiste nëpërmjet lidhjeve familjare.
Për mungesë të informacioneve se si duhet të regjistrohen, gati dy muaj pas, tek të enjten, ajo me të dy fëmijët ka aplikuar dhe ka marrë statusin e refugjatit.
Përgjatë kësaj kohe familja treanëtarëshe ukrainase ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojnë tek një familje kosovare dhe ka shprehur pritjen që shteti të intervenojë me ndihmë ndaj tyre.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë thënë se për personat që aplikojnë për statusin e refugjatit, shteti ka një sërë obligimesh ndaj tyre, duke përfshirë strehimin, arsimimin dhe asistencën sociale mujore.
“Kosova ofron të gjitha kushtet e nevojshme për akomodimin e aplikuesve për mbrojtje ndërkombëtare duke ofruar kështu strehim/akomodim, ushqim tri herë në ditë, pako higjienike, veshmbathje sipas nevojës, arsimim për fëmijë, kurse të gjuhës shqipe dhe kompjuterëve, trajnime profesionale, shërbime psikosociale, shëndetësore dhe juridike, asistencë sociale mujore (para xhepi), rekuizita në vende kulturore dhe historike të Republikës së Kosovës”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë.
Si refugjate është regjistruar edhe një gazetare ukrainase, e cila në Kosovë ka mbërritur pas vendimit të Qeverisë për t’u ofruar mbrojtje dhe kushte pune në distancë 20 gazetarëve nga Ukraina. Në Drejtorinë për Migrimit dhe të Huaj që funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës kanë konfirmuar se ajo ka marrë këtë status.
“Është regjistruar si refugjate në Kosovë, në mënyrë të organizuar përmes Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe së cilës i është dhënë e tërë asistenca e nevojshme”, thuhet në një përgjigje të Policisë.
Por, Qeveria ka pasur një plan edhe më të gjerë për t’u dalë në ndihmë shtetasve ukrainas, që janë duke u përballur me luftën prej fundit të shkurtit kur Rusia ka nisur ta pushtojë Ukrainën.
Kryeministri Albin Kurti, pati deklaruar se Kosova është e gatshme për pritjen e rreth 5 mijë refugjatëve.
Gjatë ditës, në Zyrën e kryeministrit nuk kanë treguar nëse kanë organizuar kampanja për t’i njoftuar refugjatët se ku duhet të drejtohen pas ardhjes në Kosovë.
Një mungesë e tillë informacioni e ka privuar nga benefitet e refugjatit familjen treanëtarëshe ukrainase tash e gati dy muaj.
Përveç atyre që janë regjistruar si refugjatë, deri më tani 147 shtetas nga Ukraina – 89 të rritur dhe 58 fëmijë – kanë hyrë dhe kanë kaluar transit nga Kosova për në Shqipëri dhe Malin e Zi, kanë treguar në Polici.
E, atyre që ndalen në Kosovë dhe nuk regjistrohen si refugjatë, nuk do t’u lejohet qëndrimi më gjatë se tre muaj.
“Te gjithë shtetasit nga Ukraina të cilët mund të hyjnë tani në RKS pa pasur nevojë të disponojnë viza, në rast se nuk dëshirojnë të regjistrohen si aplikantë për mbrojtje ndërkombëtare, ata mund të qëndrojnë në Kosovë 90 ditë brenda afatit kohor prej 180 ditëve si turist, dhe brenda këtij afati duhet të vendosin ose të regjistrohen si aplikues për mbrojtje të përkohshme ndërkombëtare/refugjatë ose në të kundërtën duhet të lëshojnë territorin e Kosovës”, thuhet në një përgjigje të Policisë.
Kosova ka strehuar refugjatë edhe më parë. Kryesisht kanë qenë sirianë, e së fundmi edhe afganë.