Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lokale

VV-ja e bindur se do të fitojë Drenasin

Në Drenas, sot u mbajt tubimi qendror elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje që u shpreh e bindur se më 22 tetor do të fitojë zgjedhjet në Drenas.

Në fjalën hyrëse, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Derguti ftoi qytetarët e Drenasit të bëhen pjesë e ndryshimit të madh që po i vie Kosovës, dhe tha se pas kaq shumë vitesh po fillon një epokë e re.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas Dërgutit, deputeti Albin Kurti në fjalën e tij tha se qytetarët e Drenasit janë popullësi trime e patriotike dhe e ndershme e punëtore. Kurti më tej tha se pushteti aktual në Drenas nuk qeverisë por sundon dhe në vend se pas luftës dhe shpalljes së pavarësisë, komunarët e Drenasit të mundësojnë drejtësi dhe zhvillim, ata e kanë ndëshkuar popullsinë me shtypje e korrupsion. Ai tha se më 22 tetor, qytetarët e Drenasit do të ia shkëputin kontratën sundimtarit Ramiz dhe do ta punësojnë shërbëtorin e qytetarëve, Shemsi Elezin.

Ndërsa, Kryetari i Lëvizjes Visar Ymeri tha se PDK është përgjegjësja kryesore për gjendjen rëndë, jo vetëm në Drenas, në gjithë Kosovën, duke veçuar Drenasin dhe rajonin e Drenicës. Ai tha se në Drenas pushtetarë vijnë për të vjelur vota, kurse mbjellin papunësi, varfëri, mjerim, korrupsion dhe krim. Ndërsa, nuk la pa ironizuar edhe me kryetarin aktual Lladrovci, për të cilin tha se ai ka talent për humor pa vetëdijen e tij, por asesi nuk ka aftësi për të qeverisur me një komunë.

Në fjalën e tij përmbyllëse, kandidati për kryetar të Komunës se Drenasit, Shemsi Elezi, para qytetarëve të Drenasit tha se programi qeverisës i tij dhe VETËVENDOSJE!-s përfshinë 18 zotime, ku preken kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Shëndetësia, arsimi, mirëqenia sociale, urbanizimi, zhvillimi i fshatit urban dhe qytetit, përkrahja për familjet e varfëra dhe më mungesë kushteve minimale për banim (sigurimi i banimit për 40 familje), shujta për nxënësit e klasave të ulëta, transporti për nxënësit dhe shumë më shumë çështje tjera ishin disa nga zotimet e shpalosura.

“Në mandatin tonë qeverisës, problemet infrastrukturore do të mbesin vetëm si kujtim i keqqeverisjes nga pushtetarët e pangopur. Qytetarët e Drenasit e meritojnë një trajtim të dinjitetshem, sepse janë ata që u përballën në shumë kohë të vështira, me luftën e cila i dëmtoi në shumë aspekte, por morali dhe vullneti për punë nuk munguan asnjëherë. Qytetarët tanë nuk patën mundësi që viteve të pas luftës të gëzojnë të mirat e shumta të këtij vendi, por ata u gjenden përballë problemeve të shumta që ndërruan kahjen e jetesës së tyre. Sot edhe pas 18 vitesh të rinjtë tanë bredhin rrugëve, e shumë tjerë kanë marrë rrugën e mërgimit, pa dëshirën e tyre, por më të vetmin qëllim ruajtjen e dinjitetit, se vetëm më punë mund të jetohet”, u shpreh Shemsi Elezi gjatë këtij tubimi.

Tutje, ai tha se edhe pas 18 vitesh, Drenasi nuk qeveriset mirë, kurse shtoi se qeverisja e deritanishme qytetarin e ka trajtuar vetëm si taksapagues e të nënshtruar.

“Qytetarët e Drenasit janë të vetëdijshëm se i vetmi subjekt politik që i përfaqëson denjësisht dhe i mbron interesat e tyre, është Lëvizja VETËVENDOSJE!, e cila promovon vlera demokratike dhe humane, ku qytetarin e bën pjesë të vendimmarrjes që nga lagjja, fshati, qyteti e komuna. Me VETËVENDOSJEN! ai tha se përfundimisht do të marrin fund shkatërrimet që po i bëhen komunës së Drenasit. E për ata që po thirren me slogane për ndryshim”, ka thënë Elezi.