Me falënderime ndaj bashkëqytetarëve të tij për besimin që iu dha në rundin e parë të zgjedhjeve, kandidati për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati e ka filluar fjalën e tij në tubimin zgjedhor qendror.
Ndërsa, për pjesëmarrjen masive në tubimin e sotëm, ai tha se është përgjigja më e mire se kjo komunë është gati për ndryshim.
“Është e vërtetë që në çdo balotazh garojnë dy kandidatë. Dy ide të ndryshme, subjekte apo grupe të caktuara politike. Mirëpo këtë herë, dallimi është shumë i madh dhe i qartë. Në njërën anë janë ata që i kemi provuar, ata që na kanë dëshpëruar, ata që i takojnë së kaluarës së Kamenicës. Në anën tjetër jemi ne që po vijmë, jemi ne që po e sjellim ndryshimin në Kamenicë, jemi ne që po u tregojmë atyre që Kamenica di të qeveriset mirë e ndershëm. Dhe kur them ne, mendoj ne qytetarët e Kamenicë. Ne që nuk e duam korrupsionin. Ne që e luftojmë nepotizmin. Ne që e duam zhvillimin e barazinë. E ne jemi shumica”, tha Kastrati.
Ai shtoi më tej se “takimet që po i zhvillojmë për çdo ditë nëpër lagje e fshatra, nuk po janë takime të rëndomta”. Ai tha se këto takime janë takime solidariteti, mbështetje e fuqizimi për projektin e ardhshëm të Kamenicës.
“Në këtë kohë kur Kamenicës i referohen si zorrë qorre e Kosovës. Në këtë kohë kur papunësia në këtë Komunë është 77%. Në këtë kohë kur të rinjtë nuk kanë mundësi të angazhohen e punësohen. Bujqit nuk mund ta shesin rendimentin. Bizneseve u kërkohet haraç, e pengohen investimet. Në këtë kohë, të dashur qytetarë, e vetmja zgjidhje është ndryshimi. Ndryshimi jo vetëm i emrit të udhëheqësit, por ndryshimi i mendësisë udhëheqëse”, tha po ashtu Kastrati.
Tutje, ai ka folur edhe për partnerin e koalicionit, AAK-në, për të cilët tha se ndonëse kanë pasur ofertë dy herë më të lartë nga të tjerët, kanë vendosur të bashkohen për ndryshim.
“Programi ynë për Kamenicën është vizion. Planet tona nuk janë intervenime, por investim afatgjatë. Drejtësia, barazia dhe zhvillimi janë parime të cilat do të na udhëheqin në vazhdimësi. Kështu arsimin, ne e shohim si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të Komunës tonë. Secili nxënës do të trajtohet barabartë, e secili punëtor arsimi do të zgjidhet me meritë”, ishte zotimi i Kastratit për qeverisjen e tij.
Ai u zotua se gjatë qeverisjes së tij do të ketë shujta falas për nxënës, dollapë personal për secilin nxënës, kontrolle sistematike shëndetësore, kënde leximi e biblioteka, dhe bashkëpunim të rregullt mes shkollave e prindërve. Gjithashtu, ai u zotua se deri në përfundim të mandatit do të ketë ujë të pijshëm 24 orë, përmirësim të shërbimeve në shëndetësi, rregullimin e problemit me ujërat e zeza, transparencë radikale dhe rritje të subvencioneve në bujqësi, kulturë e sport.
“Ju tashmë na jeni bashkuar dhe po i prini ndryshimit i cili po vije në Kamenicë. Mua më mbetet vetëm të iu ftojë që të mobilizojmë edhe të tjerët,që të na bashkohen në këtë rrugëtim. Të angazhohemi që me 19 nëntor, përmes daljes masive në votime të tregojmë njëzëri, fuqishëm, që ndryshimi është ajo që ne duam. Kamenicës do t’ia kthejmë dinjitetin, do t’ia kthejmë drejtësinë, do t’ia kthejmë solidaritetin e barazinë. E kështu, Kamenicën do t’ia kthejmë qytetarit”, ishte porosia e Kastratit në tubimin e sotëm.
Në tubimin zgjedhor të Vetëvendosjes në Kamenicë, kryetari Visar Ymeri ka thënë se atyre që deri dje njiheshin si figura, sot po u çjerren maskat, po fshihen vrimave e po zvarriten në heshtje.
“Mrekullia që po i vjen Kamenicës, ajo që do ta sjellë zhvillimin e dritën, shëndetin e arsimin, rendin e drejtësinë, solidaritetin e barazinë, është Qëndron Kastrati, kryetari i Kamenicës, mendja e zemra e komunës, zëri dhe puna e qytetarëve”, ka thënë ndër të tjera Ymeri.