Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga LDK, Arban Abrashi, i ftuar në KTV, ka folur për rezultatin zgjedhor të partisë së tij në zgjedhjet e djeshme lokale.
Abrashi tha se LDK ka bërë punë të madhe duke dalë në terren për të diskutuar me qytetarët për problemet e tyre.
“Ata kanë probleme të mëdha, duke filluar nga qentë endacakë, siguria, e shumë të tjera. Përmes gjetjes së problemeve të tyre e kemi hartuar edhe programin. Hipoteka e zgjedhjeve të qershorit ka kaluar, dhe tani qytetari e ka parë që jemi të sinqertë ndaj tyre. As LDK s’ka qenë perfekte, por ka qenë më e mira”, theksoi ai.
Duke folur për rezultatin e tij në këto zgjedhje, i cili me 91% të votave të numëruara nga KQZ ka siguruar 35.87 për qind të votave duke hyrë në balotazh me kandidatin e VV-së, Shpend Ahmeti.
“Sikur të kisha më shumë kohë, dallimi prej 6 mijë votave do të ishte edhe më i ngushtë. Edhe kjo është një bazë e mirë. Ka shumë grupe interesi të cilat s’i kam takuar e të cilat do t’i takoj. Mendoj se programi im nuk është shpërndarë tek të gjithë qytetarët. Shumë prej tyre besoj nuk i kanë parë zgjidhjet tona”, tha ai.
“Kandidati tjetër (Shpend Ahmeti) ka qenë mjaft konflikutuoz në katër vjetët e fundit. Shtylla e tij themelore e programit të tij ka qenë Kuvendi Komunal dhe sigurimi i mbi 50% të tij, , dhe këto zgjedhje kanë treguar se nuk e ka shumicën”, deklaroi Abrashi.
Ai u shpreh i sigurt se përmbysja e 6 mijë votave është e mundur.
Abrashi tha se, me ardhjen e tij në pushtet, do të kërkojë bashkëpunim edhe nga vetë asamblistët e VV-së, “vetëm e vetëm për t’i sjellë të mira qytetarëve të Prishtinës”.
“Ende s’kemi filluar diskutimet për ndonjë koalicion, sepse është ende herët. Shtylla e projektit tonë ka të bëjë me aleancën me qytetarët”, tha ai.
Ndonëse kandidati i AKR-së për Prishtinën, Selim Pacolli, ka deklaruar haptazi se e mbështet Shpend Ahmetin në balotazh, Abrashi tha se ka marrë mesazhe nga shumë zyrtarë të AKR-së.
“Më kanë kontaktuar shumë zyrtarë të AKR-së, dhe ka disponim të mirë. Por, Prishtinës i duhen projekte të mira, të vogla e të mëdha. Do të bisedoj edhe me Selim Pacollin. Megjithatë, kryesorja është aleanca me qytetarin”, u shpreh ai.
Kandidati i LDK-së për Prishtinë tha se nuk dëshiron të rrezikojë me koalicion me PDK-në sepse nuk e di se si do të reagojnë qytetarët, ndërsa e përmendi edhe deklaratën e kandidatit të PDK-së për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj, se ka qenë partia e tij, PDK, që i ka ndihmuar VV-së më 2013 për të fituar Prishtinën.
“Në Prishtinë, në 4 vjetët e fundit ka pasur shumë propagandë. Ndonjëherë befasohem se me çka krenohet (Ahmeti) në Prishtinë. Prishtinës i duhen projekte shumë të mëdha sepse ka shumë buxhet. Me udhëheqjen time, Tirana do ta merr Prishtinën si referencë. Në 4 vitet e fundit kemi humbur 70-80 milionë euro. Kemi humbur shumë sektorë që nuk e shohin më Prishtinën si opsion. I ftoj qytetarët të dalin në lagje dhe të shohin a ka ndonjë përmirësim për të mirë. Do ta shohin se ndryshimi është për të keq. Ka dhjetëra parqe të vogla që janë zhdukur. Një komunë që s’di t’i menaxhojë këto parqe të vogla, s’di si mund të dalë e të kërkojë votë”, tha Abrashi.
Ai tha se Prishtina duhet të kthehet në një destinacion turistik përmes festivaleve e punëve tjera.
“Ahmeti, në katër vitet e fundit, s’e ka luajtur rolin e kryetarit fare. Ka luajtur rolin e policit, prokurorit e gjyqtarit. Nëse ka parë se ndonjë shkollë nuk është ndërtuar mirë, është dashur të ankohet tek ndërtuesi me të cilin ka kontratë”, tha ai.
Sipas tij, shkolla “Emin Duraku” është ndërtuar e re, dhe tha se kryetari aktual, Shpend Ahmeti, po mundohet ta zhvendos debatin e kësaj shkolle në tjetër aspekt, pasi nuk e ka ditur se është ndërtuar e re.
Ai tha se është i gatshëm për debat, dhe e dënoi shpërndarjen e lajmeve të rreme.
“Ky kandidat (Shpend Ahmeti) ka kërkuar asamble të fuqishme. Por, zgjedhjet e djeshme treguan se ky nuk e ka kontrollin e asamblesë. Ai duhet të tërhiqet”, theksoi Abrashi, duke shtuar se qyteti i Prishtinës nuk guxon t’i humb edhe katër vjet me ankesa të kandidatit të VV-së.
Abrashi tha se Prishtinës i duhen projekte të mëdha infrastrukturore, si salla sportive, terrene sportive e të tjera, duke thënë se “salla e basketbollit në Pallatin e Rinisë është e vogël dhe nuk i përmbush standardet ndërkombëtare për të luajtur ndeshje ndërkombëtare dhe duhet ndërtuar një e re”.
Abrashi tha se zgjedhjet e qershorit treguan votën ndëshkuese, dhe “e jona ishte të flasim edhe për çështje të mëdha, siç ka qenë koalicioni me PDK-në”.
“Besoj se bashkëbisedimi ynë me qytetarët ka qenë kthesa jonë. Kryetarët aktualë të komunave kanë qenë me duar të pastra, pa asnjë aferë korruptive, dhe për këtë u është besuar vota që të qeverisin sërish”, theksoi ai.
Ai tha se kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili fitoi pa balotazh, është njeri shumë bashkëpunues dhe për faktin se ka punuar mirë, është rizgjedhur pa balotazh. Po ashtu, për Gazmend Muhaxherin, i cili fitoi pa balotazh në Pejë, tha se ka punuar shumë, duke bërë investime kapitale të cilave nuk do t’ua sheh hairin vetëm Peja, por e tërë Kosova.
Abrashi tha se beson që LDK do t’i fitojë të 11 komunat ku janë në balotazh, duke përfshirë edhe Prishtinën.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, tha se në këtë kohë, deri në ditën kur mbahen zgjedhjet për balotazh, 19 nëntor, duhet biseduar vetëm për programet.