Dy subjekte politike serbe janë ankuar për ndikim te kandidatët e tyre nga anëtarët e Listës Serbe. Një anëtar i subjektit politik për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe një nga Lëvizja Kombëtare Serbe kanë mbajtur grevë urie treditore shkaku i largimit nga puna nga komunat paralele të Kamenicës, për çka i kanë akuzuar Listën Serbe dhe kryetarin e komunës së Novobërdës nga kjo parti – Sasha Milosheviqin.
Hyrja në garë për asamble komunale jashtë Listës Serbe iu kushtoi me largim nga puna Ivan Petroviqit dhe Ivan Ristiqit.
Dy kandidatë serbë për asamble komunale në Ranillug, njëri i Lëvizjes Kombëtare Serbe e tjetri i subjektit politik për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, largimin nga puna nga komuna paralele e Kamenicës e kanë kundërshtuar me grevë treditore.
Për përjashtimin e tyre nga puna ata e kanë akuzuar kryetarin e Komunës së Novobërdës, i cili është kryetar i komunës paralele të Gjilanit – Sasha Milosheviq.
Pasi të shtunën ndërprenë grevën, Petroviqi ka thënë për KOHËN se rasti është paraqitur edhe në Policinë e Kosovës dhe ka bërë të ditur se do të protestojnë edhe në Serbi.
“Disa të punësuar jemi shkarkuar nga puna, sepse kemi kandiduar në listat e partive opozitare serbe dhe dy prej nesh kemi bërë grevë urie në Ranillug që zgjati tri ditë. Kërkesat tona për kthim në vend të punës dhe për të na dhënë pagat nuk janë plotësuar. Do të vazhdojmë me forma të tjera proteste. Do të protestojmë kudo që konsiderojmë se kërkesat tona duhet të përmbushen, tek institucionet në Beograd dhe në vende të tjera... Po kemi dhënë deklarata në polici para fillimit të grevës së urisë në stacionin policor në Ranillug”, ka thënë Petroviq.
Në një reagim që ua ka dërguar mediave serbe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar që të mos cungohet gara mes partive politike.
Në reagimin e saj, kjo ambasadë thotë se që të gjithë qytetarët pavarësisht etnisë serbe a shqiptare duhet ta kenë mundësinë e pjesëmarrjes së plotë në jetën politike dhe qytetare.
Kryetari i Lëvizjes Kombëtare Serbe, Branimir Stojaniviq, thotë se krimi e shantazhi që bëhen në komunat me shumicë serbe është anashkaluar vazhdimisht nga institucionet e Kosovës.
“Ajo që e ka bërë Ivan Petroviqi, është që direkt ka treguar se kush, si e pse e kanë pushuar nga puna dhe është e mjaftueshme për këdo që do të punojë. E kush s’punon gjen arsyetime pse nuk e bën punën e tij. Ai ka qenë shumë konkret, ka thënë: unë jam ai që është përjashtuar nga puna për këtë dhe këtë arsye, ia ka treguar vendimin, që këta e këta njerëz e kanë bërë këtë. Ç’të bëjnë tjetër Ivani Petroviqi e njerëzit e tjerë si Ristiqi, do ta bëjnë të gjithë atë që është e mundshme. E se a do të bëjnë të tjerët diçka apo jo, kjo është pyetje për ta, nuk është pyetje për ne”, ka deklaruar Stojanoviq.
Kandidati për kryetar të Novobërdës, Milosheviq, e as Lista Serbe nuk u janë përgjigjur akuzave të partive të tjera serbe se po u bëhet presion për largim nga gara.
Krahas Listës Serbe, KOHA ka tentuar ta kontaktojë edhe kryetarin e subjektit politik, për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, por ai nuk është përgjigjur.
Përgjigje nuk ka dhënë as Prokuroria Themelore në Gjilan.
Ndikimi nga Serbia është identifikuar edhe në raportin më të fundit të BE-së për zgjedhjet e përgjithshme.
Në këtë raport thuhet se është raportuar për presion mbi votuesit, të cilët varen nga asistenca sociale dhe punësimi në organet e Serbisë.