Zgjedhjet lokale

Në fushatë përurohen 15 shërbime në Poliklinikën Specialistike të Podujevës

Në fushatë përurohen 15 shërbime në Poliklinikën Specialistike të Podujevës

Është përuruar Poliklinika Specialistike në Podujevë. Poliklinikës nga sot, 23 shtator, i janë shtuar 15 shërbime specialistike. E shiriti kësaj poliklinike i ishte prerë më 8 gusht, kur ishte përuruar shërbimi i hemodializës.

Në një deklaratë për media nga ky përurim të martën, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar investimin shumë të rëndësishëm për Podujevën.

“Ky institucion shëndetësor është i gatshëm të ofrojë shërbime të specializuara për qytetarët duke shmangur nevojën për udhëtime në Prishtinë për çdo vizitë specialistike. Ambiente të reja, rregull, disiplinë, pastërti, ndriçim të përshtatshëm”, ka thënë Kurti që ka premtuar “vazhdim të investimeve të tjera në Podujevë për të mirën e të gjithë qytetarëve”.

Në kohën e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se përurimi është “realizim i premtimit të fillimit të mandatit”.

“I kemi 15 shërbime shtesë falë angazhimit të Qeverisë Kurti, ministrit të Shëndetësisë, drejtorisë së Shërbimit Spitalor dhe nga sot qytetarët tanë s’do të kenë nevojë të maltretohen me pritje të gjata për të kryer shërbime specialistike në shërbimin spitalor në Prishtinë dhe ky është moment i veçantë për të gjithë ne”, ka thënë ai.

Siç ka bërë të ditur vetë Bulliqi një ditë më parë, në këtë poliklinikë do të nisin shërbimet 15 specialistë: gjinekologu, reumatologu, kardiologu, endokrinologu, hematologu, gastroenorologu, nefrologu, pulmologu, ortopedi, kirurgu abdominal, kirurgu, torakal, kirurgu vaskular, urologu, pediatri dhe neurologu.

Vlera e këtij projekti mbërrin në 2.4 milionë euro.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e pati paralajmëruar këtë poliklinikë qysh më 30 dhjetor të vitit të shkuar.

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 11-të e fushatës

Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 11-të të fushatës...