Pacientët nga Podujeva vazhdojnë të udhëtojnë në Prishtinë për hemodializë, ndonëse rregullimi i hapësirave për këtë shërbim në komunën e tyre ka përfunduar që në maj. Në SHSKUK thonë se ky shërbim në Podujevë do të nisë së shpejti, derisa në Komunë insistojnë se kjo do të ndodhë gjatë javës së ardhshme
Ali Azemi nga Dumnica e Podujevës, është njëri nga 32 pacientët që tash e 14 vjet detyrohet t’i bëjnë afro 70 kilometra rrugë (shkuarje-ardhje) për ta marrë shërbimin e hemodializës në Prishtinë. Tek flet për vështirësitë, ai thotë se me padurim po e pret funksionalizimin e këtij shërbimi në qytetin e tij.
“Kemi pasur probleme me rrugë, rruga që ka pasë me u ndreqë, e qashtu. Kemi pasë, po kemi kalu mirë. Mezi nuk presim. Bile unë jam kanë organizator me shku e me ardhë para Komune, krejt me u tubu edhe me thanë sa më shpejt me hapë këtu, se kemi të lodhur, kemi të sëmurë, kemi pleq, kemi plaka, çka s’ka. E një orë, një orë e gjysmë me shku në Prishtinë, goxha larg”, ka thënë Azemi.
Në fund të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë premtoi se shërbimi i hemodializës, bashkë me disa të tjera specialistike, do të nisin shumë shpejt në Podujevë.
Për këtë qëllim, në nëntor të 2024-tës, SHSKUK-ja nënshkroi kontratë 45 mijë euro për adaptimin e hapësirave të objektit, i cili vite më parë ishte paraparë për urgjencë.
Kontrata 6-mujore përfundoi në maj, por shërbimi i hemodializës dhe të tjera specialistike ende nuk kanë filluar.
Nga SHSKUK nuk kanë dhënë detaje për fillimin e shërbimit apo stafin që do të punojë aty.
“Pas përfundimit të procedurave me marrëveshjen MSH dhe Komuna e Podujevës, si dhe procedurave të tjera lidhur me blerjen e aparateve dhe shtretërve dhe përgatitjeve të tjera, po pritet fillimi i shërbimit të hemodializës në Podujevë. Së shpejti do të fillojë ky shërbim. Përgatitjet janë në fazën përfundimtare për fillimin e këtij shërbimi”, ka bërë të ditur Mimoza Berbatovci-Ukimeraj, drejtoreshë e Klinikës së Nefrologjisë.
E, drejtoresha e Shëndetësisë në Podujevë, Adelina Stublla, u shpreh e bindur se shërbimi i hemodializës do të fillojë gjatë javës së ardhshme në këtë komunë.
“Me vite të tëra kanë bë një rrugë bukur të gjatë deri në Klinikë për ta marrë terapinë e duhur, por sido që të jetë, tash veç pritet deri në javën e ardhshme të hapet shërbimi i hemodializës dhe pacientët do të mirëpriten këtu për ta marrë shërbimin e duhur”, ka theksuar Stublla.
Në vitin 2020, SHSKUK-ja i pati pranuar 17 specialistë për spitalin e Podujevës, i cili është premtuar qysh më 2016, por nuk është realizuar kurrë.
Më 2024, ky vendim u shfuqizua dhe në vend të spitalit u iniciua themelimi i Poliklinikës Specialistike. Mjekët e parashikuar për të aktualisht punojnë në QKUK dhe do të transferohen në Podujevë pas funksionalizimit të shërbimit.
“Mjekët janë duke punuar në QKUK edhe kanë kontratë të lidhur. Ne jemi një institucion me SHSKUK-në, deri në funksionalizimin punojnë në QKUK, numri i tyre mos gabofsha është 12... Fillimisht, stafi vjen prej QKUK-së. Sa i përket stafit të ri, ne kemi shpallur konkurs dhe janë pranuar gjithsej 13 infermierë, 9 bachelor dhe 3 me shkollë të mesme”, është shprehur Mimoza Fusha, u.d. e shefes së Administratës për Poliklinikën Specialistike në Podujevë.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se pajisjet për shërbimin e hemodializës në Podujevë janë instaluar, derisa edhe trajnimi i stafit ka përfunduar.