Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lokale

LDK-ja e mban Prishtinën, LVV-ja e merr Mitrovicën

Pas balotazhit të zhvilluar në 18 komuna, të dielën, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike do të udhëheqin me nga shtatë komuna, Partia Demokratike do të jetë në pushtet në gjashtë e AAK-ja në pesë. Pas fitores pa kundërkandidat në Kllokot, Lista Serbe ka fituar në total në dhjetë komuna, të gjitha të banuara me shumicë serbe. Nisma fitoi në rundin e parë në Malishevë, ashtu si Ramiz Lladrovci në Drenas. KDTP-ja doli e para në Mamushë. Balotazhi i së dielës kaloi i qetë dhe pa incidente të mëdha

Beteja finale për pushtetin lokal ka marrë epilog të dielën në balotazhin e zhvilluar në 18 komuna të Kosovës. Nëpërmjet votës, qytetarët vendosën se kush do të udhëheqë në Prishtinë, Prizren, Pejë, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë-Kosovë, Mitrovicë të Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot. 

Procesi ka kaluar i qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa gjatë ditës janë raportuar vonesa në hapjen e qendrave të votimit në disa zona, fotografim të fletëvotimeve, e probleme me votimin me asistencë. 

Mbi 32.5 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në 18 komunat që ishin në balotazh, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë të dielën. Ndërkaq në rundin e parë në të gjitha komunat, dalja ishte rreth 40 për qind.

Balotazhi e konfirmoi hartën e re politike të udhëheqjes së komunave. Vetëm në katër komuna me shumicë shqiptare do të ketë kryetarë të rinj pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor dhe balotazhit më 9 nëntor. Ndryshim të pushtetit ka në Mitrovicën e Jugut, Fushë-Kosovë e Obiliq. Në të tria komunat kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje. Faton Peci fitoi në Mitrovicë, Valon Prebreza në Fushë-Kosovë e Halil Thaçi në Obiliq.

Ndërkohë, në Kaçanik vazhdon të jetë në pushtet Partia Demokratike, por në vend të Besim Ilazit, kryetar do të jetë Sabedin Vishi.

LVV-ja e LDK-ja do të udhëheqin nga shtatë komuna

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas numërimit të votave në shumicën e vendvotimeve, do të udhëheqin nga shtatë komuna. 

Lëvizja Vetëvendosje nga 12 komuna në të cilat garoi në balotazh, ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë. Pati fituar në rundin e parë në Podujevë, Shtime e Kamenicë. 

Kryetari i këtij subjekti, Albin Kurti, ka thënë se ky është sukses i madh marrë parasysh se të gjitha subjektet e tjera, sipas tij, ishin kundër kandidatëve të LVV-së. 

“Është një situatë e paprecedentë në historinë politike elektorale të Kosovës andaj ky është një sukses i VV-së dhe i qytetarëve. Po i presim rezultatet ende në komunat e tjera. Me siguri që do t’iu drejtohemi sërish kur t’i marrim ato, mirëpo tash më duhet të shkojë me nxitim në tubimin festiv së pari në Fushë-Kosovë, pastaj në Kastriot e mandej në Mitrovicë”, ka thënë Kurti në një deklarim pas mbylljes së votimeve. 

Kurti mori pjesë edhe në festën e fitores në Obiliq dhe në Mitrovicë. 

Lidhja Demokratike e Kosovës në raundin e parë pati fituar në Istog e Lipjan, ndërsa në balotazh triumfoi në Prishtinë, Pejë, Dragash, Junik e Viti. Por kjo parti e humbi pushtetin në Obiliq e Fushë-Kosovë. Kandidati i LDK-së për Obiliqin, Xhafer Gashi, i cili udhëhoqi me këtë komunë për 12 vjet, pas humbjes në zgjedhjet lokale ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në parti. 

Pak orë pas mbylljes së kutive të votimit, Lidhja Demokratike e shpalli fitoren në Komunën e Prishtinës. 

Lumir Abdixhiku, kryetar i kësaj partie, në një konferencë për media ka thënë se kjo ka qenë fitore e idesë dhe punës. 

E Përparim Rama ka folur edhe për kundërkandidatin e tij, Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje të cilit i ka kërkuar “reflektim”.

“E ftoj të reflektojë me frymë qytetarie. Prishtina ka nevojë për bashkëpunim jo bllokim. Qytetarët s’meritojnë pengesa, por punë të përbashkët. Për këtë qytetari ka folur dhe fjala e tij është vendim. Prishtina ecën përtej. Është qytet që nuk e pret të ardhmen por e ndërton atë”, ka thënë Rama. 

Kryetari edhe për një mandat i Prishtinës, Përparim Rama, në tubimin festiv pas balotazhit të 9 nëntorit, ka thënë se qytetarët e Prishtinës edhe një herë treguan se dëshirojnë zhvillim e jo bllokim. 
Në fjalën e mbajtur pas fitores ndaj Hajrulla Çekut të Vetëvendosjes, Rama ka thënë se Prishtina tani po bëhet metropol.

“Prishtina tregoi që ka zhvillim, tregoi që nuk dëshiron bllokim. Po shkojmë përpara drejt zhvillimit. E filluam katër vjet më parë me projekte të mëdha për transformim të kryeqytetit tonë të zemrës. Nuk është vend i vogël, Prishtinën tani po e bëjmë metropol së bashku”, ka thënë ai.

Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje e ka uruar Përparim Ramën për fitoren në balotazhin në Prishtinë.

Çeku ka thënë se i uron Ramës fitoren dhe Prishtinës që “të dalë nga kaosi në të cilin është futur”. 

“Kjo fushatë dhe takimet e mia me ju gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë. Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë. Jemi shumë, dhe kjo më jep forcë e besim për të ardhmen e Prishtinës. Kjo garë tregoi se sa shumë njerëz e duan një Prishtinë më të mirë. E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur”, ka shkruar Çeku në Facebook. “Si Lëvizje Vetëvendosje!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund”, ka shtuar ai. 
Partia Demokratike e Kosovës pos Skenderajt, Ferizajt e Hanit të Elezit në raundin e parë, më 9 nëntor fitoi edhe në Prizren, Kaçanik dhe Vushtrri. Por e humbi pushtetin në Mitrovicën e Jugut. 

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një paraqitje për media së bashku me Shaqir Totajn ka shpallur fitoren në Prizren. 

Totaj ka garantuar se Prizreni do të vazhdojë me transformimin.

“Prizreni është qytet me shumë vlera historike. Kjo fitore u takon qytetarëve të Prizrenit sepse kanë dit me votu, kanë dit me vlerësu”, ka thënë Totaj, për të cilin është mandati i dytë në krye të Prizrenit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheqë në 5 komuna. Pas fitores në Deçan, në raund të dytë doli e para edhe në Gjakovë, Suharekë, Rahovec e Klinë. 

“Kemi fituar me 58 për qind të votave, pa i llogarit ato me kusht dhe të diasporës që s’kanë mundësi me ndryshua rezultatin shumë”, është shprehur Ardian Gjini pasi siguroi edhe një mandat në krye të Gjakovës.

“Jemi fitues! Qytetarë të dashur të Rahovecit, fitorja është e jona! Nesër nisim punët e projektet e mëdha, por sonte është festë për të gjithë qytetarët anekënd Rahovecit. Siç kam qenë përherë, edhe në këtë mandat  do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve, me drejtësi, barazi, transparencë e llogaridhënie. Le të mblidhemi nga ora 08:30 në Rahovec, nga ora 09:00 në Krushë të Madhe, nga ora 09:30 në Xërxë, nga ora 10:00 në Fortesë e nga ora 10:30 në Ratkoc! Urime të gjithëve e faleminderit për kulturën e qytetarinë përgjatë këtij procesi demokratik zgjedhor!”, ka shkruar Smajl Latifi, që po ashtu u rikonfirmua kryetar në Rahovec. Edhe ai vjen nga AAK-ja.

Lista Serbe pati fituar 9 komuna në rundin e parë, ndërsa në të dytin pa kundërshtar fitoi në Kllokot dhe është subjekti me më së shumti komuna nën udhëheqje.

Ramiz Lladrovci pati fituar në Drenas, ndërkaq Nisma në Malishevë. Në Mamushë në balotazh ka fituar KDTP-ja.

Në fakt, vetëm në një nga 18 komunat u përmbys rezultati në balotazh në krahasim me rundin e parë. Bëhet fjalë për Obiliqin. Në rundin e parë, Xhafer Gashi i LDK-së ishte i pari me 5859 vota apo 46.20% krahasuar me Halil Thaçin e LVV-së që kishte 5626 vota apo 44.37%.

Por në balotazh, Thaçi mori 6353 vota apo 51.24%. E Gashi siguroi 6046 vota apo 48.76%.

Sipas numrit të popullsisë me komunat ku do të udhëheqin, del se LDK-ja do ta ketë numrin më të madh. Me komunat e fituara i bie që LDK-ja të udhëheqë me 463 mijë  e 963 banorë. PDK-ja është e dyta me 440 mijë e 736 banorë,  LVV e treta me 349 mijë e 410,  AAK-ja me 219 mijë e 512 banorë kurse numri i popullsisë me të cilën do të qeverisë Lista Serbe është 66 mijë 163, në total dhjetë komuna të fituara. Edhe për nga sipërfaqja e territorit nga totali i komunave, LDK-ja ka më së shumti me 2 mijë e 701 kilometra katrorë, pastaj LVV-ja - 2 mijë e 101 kilometra katrorë, PDK-ja - 1 mijë e 993 kilometra katrorë, AAK-ja - 1 mijë e 829, kurse Lista Serbe – 1 mijë e 705 kilomtra katrorë.

Problemet që e shoqëruan procesin  

Gjatë ditës së diel nuk munguan as ankesat për vështirësi në realizimin e të drejtës për të votuar. Mes tyre, drejtoresha ekzekutive e organizatës “Down Sindrome Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri, ka thënë se personave me aftësi të kufizuara nuk iu lejua të votojnë.

Lidhur me ankesat për votimin me asistencë, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë gjatë ditës se votimi me asistencë për personat me aftësi të kufizuara, ata që nuk mund ta mbushin dhe nuk mund ta hedhin fletëvotimin, është i garantuar me Ligjin për Zgjedhjet dhe me rregulloret e KQZ-së. Sipas tij, për të shmangur abuzimet me votimin duke i asistuar këta persona, është vendosur që aftësia e kufizuar e votuesit duhet të dëshmohet përmes dokumentit përkatës.
Ani se nuk pati incidente të mëdha që do ta cenonin procesin e zgjedhjeve, Prokuroria ishte aktive duke iniciuar disa raste. Prokurori i Shtetit ka njoftuar se të dielën ka ndaluar tre persona për vepra penale që lidhen me procesin zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.
Sipas njoftimit, rreth 80 prokurorë dhe personel i sistemit prokurorial janë angazhuar gjatë gjithë ditës për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe kanë vazhduar punën e tyre edhe gjatë numërimit të votave. 

Pas verifikimit të informacioneve të pranuara gjatë ditës, është konstatuar se vetëm dy raste paraqesin elemente të veprave penale kundër të drejtave të votimit.

Rasti i parë është regjistruar në Fushë-Kosovë, ku dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.

Rasti i dytë është regjistruar në Klinë, ku një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Cenim të fshehtësisë së votimit”. 

Pati ankesa edhe nga vetë subjektet politike që ishin në garë, tek paralajmëruan se rastet do t’i deponojnë në Prokurori. 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në Junik kanë votuar edhe qytetarë që nuk janë banorë të kësaj komune.

“Të dhënat tona nga shtabi në Junik, tregojnë se shumë persona po marrin pjesë në procesin e votimit në Junik pa qenë banorë të kësaj komune. Kujtojmë se një veprim i tillë përbën shkelje të ligjit dhe çdo rast i tillë do t’i përcillet institucioneve përkatëse, përfshirë Prokurorinë, për hetim dhe veprim, ku do të bëjmë padi për secilin person veç e veç. Ftojmë të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe në përputhje me ligjin”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe në rundin e parë AAK-ja ka pasur ankesë të tillë për votimin në këtë komunë. Në balotazh, Agron Kuçi i AAK-së u përballë me Ruzhdi Shehun e LDK-së.

Në një linjë me AAK-në ka qenë edhe Jetmir Tofaj, i cili në rundin e parë ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet lokale në Junik.

Ai ka thënë se pati përpjekje për të deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve të kësaj komune nga individë dhe grupe të caktuara, të cilët sipas tij, kanë angazhuar persona që nuk kanë vendbanim në Junik, por megjithatë, janë paraqitur për të votuar.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 15:30 është raportuar për një sulm verbal në fshatin Korishë të Prizrenit, mes dy qytetarëve, që ishin vëzhgues në balotazh. 

Policia ka bërë të ditur se të dy janë ftuar në stacion policor për intervistim dhe është konstatuar se incidenti nuk ishte i ndërlidhur me procesin zgjedhor. 

E ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është përplasur me një aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sveçla e ka fotografuar aktivistin me pretendimin se ai kishte të vendosur një simbol të LDK-së, e që sipas Sveçlës, kjo nuk është e lejuar për shkak të heshtjes zgjedhore. E aktivisti i LDK-së, e ka paralajmëruar Sveçlën se do ta dërgojë në gjykatë, pasi sipas tij, nuk guxon ta fotografojë. 

Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka dënuar këtë sjellje të ministrit Sveçla tek e ka cilësuar shenjë të panikut.

“Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike”, thuhet në reagimin e LDK-së.

DNV: Angazhimi publik i kryeministrit vuri në pikëpyetje neutralitetin institucional

Aktiv në ditën e zgjedhjeve ishte edhe koalicioni i organizatave të shoqërisë civile, “Demokracia në veprim”. Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se angazhimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë ditës duke shkuar në disa komuna, ka vënë në pikëpyetje neutralitetin institucional dhe ka krijuar perceptim të ndërhyrjes në procesin zgjedhor. 

“DnV thekson gjithashtu që angazhimi publik i kryeministrit në detyrë gjatë ditës së zgjedhjeve, në disa komuna, e vë në pikëpyetje neutralitetin institucional dhe krijon perceptimin e ndërhyrjes në proces zgjedhor. Ky element, ndonëse nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit, bie ndesh me parimin e barazisë së garës dhe standardet e sjelljes gjatë ditës së zgjedhjeve. DnV thekson se përfundimi i suksesshëm i këtij raundi duhet të pasohet me transparencë dhe saktësi të plotë gjatë procesit të numërimit dhe publikimit të rezultateve. Po ashtu, kërkojmë nga subjektet politike që të presin publikimin e rezultateve preliminare nga KQZ-ja, para se të deklarojnë fitoret, në mënyrë që të ruhet qetësia”, thuhet në komunikatë pas balotazhit në 18 komuna.

Sipas DNV-së, qytetarët kanë votuar lirshëm, ndërsa procesi në qendra të votimit është menaxhuar në mënyrë përgjithësisht të rregullt. DnV ka thënë se ndryshim ka qenë kufizimi dhe zbatimi më i rreptë i procedurës së votimit me asistencë.

“Një ndryshim i rëndësishëm në këtë raund ka qenë kufizimi dhe zbatimi më i rreptë i procedurës për votimin me asistencë, i cili ka sjellë një ulje të dukshme të rasteve të tilla në krahasim me raundin e parë. Megjithatë, ndryshimi i mënyrës së zbatimit të këtij rregulli nga ana e KQZ-së¸ në mes të dy rundeve, ka krijuar vështirësi për shumë qytetarë – sidomos ata të shtyrë në moshë ose me probleme në shkrim-lexim, të cilët janë kthyer pa mundur të votojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit të kërkuar nga KQZ”, kanë thënë nga DnV-ja.

Gjatë ditës, Kurti ka qëndruar në disa komuna. Në Mitrovicë, një kafene u mbyll me arsyetimin për të shmangur tensionet e mundshme.

Thirrje për proces të qetë e demokratik pati edhe nga presidentja Vjosa Osmani, pasi votoi në kryeqytet. 

Sipas saj, edhe kjo ditë është po aq e rëndësishme sa rundi i parë i zgjedhjeve sepse vendoset përfundimisht se kush do të qeverisë.

“Është ditë po aq e rëndësishme sa rundi i parë i zgjedhjeve. Sot përfundimisht vendosin jo vetëm se kush do të qeverisë, por vendosin edhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Rrjedhimisht shpresoj që secili prej qytetarëve me të drejtë vote do ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe të dalë të votojë. Kosova ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon dhe kjo është pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në votime dhe se organizojmë zgjedhje të lira e demokratike”, ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani.

E pyetur për ndonjë ndikim të mundshëm të rezultatit të zgjedhjeve lokale në ato nacionale, Osmani ka thënë se “këto janë procese të ndara, zgjedhjet komunale nuk kanë ndikim në proceset në nivel nacional në të cilin po kalojmë”.

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka deklaruar se zgjedhjet komunale janë të rëndësishme për dinjitetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. 

I pyetur për qëndrimin e tij të vazhdueshëm në Mitrovicë, Kurti ka thënë se gjatë kësaj fushate ka punuar me tri ndërrime dhe se është përpjekur të vëzhgojë përgatitjet për zgjedhje.

“Gjatë kësaj fushate unë kam punuar në tri ndërrime anë e mbanë Komunave të Kosovës. Jam përpjekur të vëzhgoj të gjitha përgatitjet për zgjedhje. Zgjedhjet komunale janë jo më pak të rëndësishme sesa ato parlamentare e qendrore. Tejet e rëndësishme për mirëqenien e dinjitetin dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve. Fletëvotimi ishte i thjeshtë i kishte vetëm dy emra. Njëri prej tyre medoemos do të fitojë në mbrëmje”, ka deklaruar Kurti.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka përmendur edhe zgjedhjet nacionale pasi ka votuar në kryeqytet. 

Sipas tij, nga e hëna fokusi do të jetë te zgjedhjet nacionale tek shtoi se pritjet janë që në fund të dhjetorit të ketë sërish zgjedhje.

“Menjëherë nga dita e nesërme do të kthejmë fokusin te zgjedhjet nacionale. Pritjet tashmë janë se në fund të dhjetorit do të kemi festën e ardhshme zgjedhore dhe vendimmarrjen demokratike në Republikën e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku. 

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pasi votoi i ftoi të gjithë qytetarët të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën për votë. Krasniqi u shpreh i bindur se sikurse edhe në rundin e parë, procesi do të shkojë me rregull.

“Sot në të gjitha komunat ku ka balotazh për kryetar të komunave, unë i ftoj qytetarët që të dalin dhe të marrin pjesë pavarësisht zgjedhjes së parë që kanë bërë. Secili prej tyre mund ta luajë një rol të rëndësishëm për t’u dhënë drejtim komunave ku jetojnë në katër vjetët e ardhshëm. Me shpresën që do të kemi një dalje masive dhe substanciale që vërtetë do të reflektojë vullnetin e qytetarëve. Uroj që edhe ky proces të shkojë me rregull sikurse rundi i parë. Ditë e mirë për Kosovën, për komunat dhe besoj që përfundimisht do të kemi një përmbyllje të një procesi që i jep drejtim katër viteve të ardhshme”, ka deklaruar Krasniqi.

20 komuna e kanë vendosur kryetarin në rundin e parë, i cili është mbajtur më 12 tetor.

Kryetarët e komunave kanë mandat 4-vjeçar.

Totaj: Fitorja u takon qytetarëve të Prizrenit

11 muaj më parë / 9 nën 2025 19:48
Shaqir Totaj

Kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se fitorja u takon qytetarëve.

Totaj është zgjedhur edhe për një mandat në krye të Prizrenit.

“Prizreni është qytet me shumë vlera historike. Kjo fitore u takon qytetarëve të Prizrenit sepse kanë dit me votu, kanë dit me vlerësu”, ka thënë ai.


Totaj prin në Prizren

Shaqir Totaj i PDK-së pritet ta ruajë pozitën e kryetarit të Prizrenit.

Pas 110 nga 236 vendvotime të numëruara, Totaj ka 11.360 vota apo 58.84%.

Artan Abrashi i LVV-së ka 7948 vota apo 41.16%.  

Muhaxheri shpall fitoren

11 muaj më parë / 9 nën 2025 19:45
Gazmend Muhaxheri

Gazmend Muhaxheri ka shpallur fitoren në Pejë. Ai është rrugës për mandatin e katërt.

Gjatë fjalimit të fitores, Muhaxheri ka thënë se gara ka qenë fer dhe i rekomandoi kundërkandidatit të tij të përgatitet më mirë herën tjetër.

Muhaxheri është bindshëm në epërsi ndaj Taulant Kelmendit të LVV-së.


Gazmend Muhaxheri i LDK-së është në rrugën e duhur për ta fituar edhe një mandat si kryetar i Pejës.

Sipas numërimit të 70 nga 140 vendvotime, Muhaxheri ka marrë 9450 vota apo 62.27% krahas 5725 votave apo 37.73% të Taulant Kelmendit të LVV-së.

Muhaxheri është kryetar i Pejës nga viti 2013. 

KQZ: Procesi zgjedhor i qetë, dalja më e ulët se në raundin e parë

11 muaj më parë / 9 nën 2025 19:42
kqz

Foto: Arkiv

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi i balotazhit të dielën, bazuar në raportimet nga vendvotimet, ka qenë i qetë dhe nuk është raportuar për raste që do të rrezikonin integritetin e zgjedhjeve. 

Kur janë procesuar të dhënat nga 99.69 për qind të vendvotimeve, numri i pjesëmarrjes në votime ishte 32.80 për qind, bazuar në të dhënat e KQZ-së. 

Në raundin e parë më 12 tetor, në 18 komunat që ishin në balotazh të dielën, dalja ishte 38.91 për qind. 
Radoniqi ka thënë se së shpejti do të dilet me rezultatet preeliminare, ndërsa ka thënë se ka nisur edhe afati 48-orësh ku palët e pakënaqur mund të dorëzojnë ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa. 

 

Publikohen rezultatet e para në Prishtinë

11 muaj më parë / 9 nën 2025 19:29
Perparim Rama

KQZ-ja ka publikuar rezultatet e para në Prishtinë.

Sipas numërimit të katër nga 268 të vendvotimeve, Përparim Rama i LDK-së ka marrë 228 vota karshi 203 të Hajrulla Çekut.  

Tahiri i PDK-së: Të ruhet çdo votë

11 muaj më parë / 9 nën 2025 19:26
Arian Tahiri PDK

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka bërë thirrje “për ruajtje të çdo vote” në balotazhin në të cilin ai u përball me Faton Pecin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Qytetarët e Mitrovicës e thanë fjalën e tyre. Tani është radha e komisionerëve dhe vëzhguesve që ta numërojnë çdo votë me kujdes e ndershmëri, duke respektuar vullnetin e votuesve mitrovicas. Le të tregojmë maturi, sepse besimi i qytetarëve është më i vlefshëm se çdo rezultat. Faleminderit, Mitrovicë! 🙏” ka shkruar ai në Facebook pas mbylljes së qendrave të votimit.

Mitrovica ishte një prej pak komunave në të cilën pati dalje më të madhe se në raundin e parë të zgjedhjeve.

KQZ-ja nis publikimin e rezultateve

11 muaj më parë / 9 nën 2025 19:25
zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur publikimin e rezultateve për garën e balotazhit.

Rezultatet mund t’i shihni duke klikuar KËTU

DnV: Angazhimi i kryeministrit gjatë zgjedhjes lokale vuri në pikëpyetje neutralitetin institucional

11 muaj më parë / 9 nën 2025 19:20
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se angazhimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë ditës duke shkuar në disa komuna, ka vënë në pikëpyetje neutralitetin institucional dhe krijon perceptim të ndërhyrjes në procesin zgjedhor.

DnV-ja ka thënë se qytetarët kanë votuar lirshëm, ndërsa procesi në qendra të votimit është menaxhuar në mënyrë përgjithësisht të rregullt. DnV ka thënë se ndryshim ka qenë kufiuzimi dhe zbatimi më i rreptë i procedurës së votimit me asistencë.

“Një ndryshim i rëndësishëm në këtë raund ka qenë kufizimi dhe zbatimi më i rreptë i procedurës për votimin me asistencë, i cili ka sjellë një ulje të dukshme të rasteve të tilla në krahasim me raundin e parë. Megjithatë, ndryshimi i mënyrës së zbatimit të këtij rregulli nga ana e KQZ-së¸në mes të dy raundeve, ka krijuar vështirësi për shumë qytetarë – sidomos ata të shtyrë në moshë ose me probleme në shkrim-lexim, të cilët janë kthyer pa mundur të votojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit të kërkuar nga KQZ”, ka thënë DnV.

Po ashtu DnV-ja tha se angazhimi publik i kryeministrit në detyrë gjatë ditës së zgjedhjeve, në disa komuna, vë në pikëpyetje neutralitetin institucional. DnV-ja ka bërë thirrje që të ruhet qetësia.

“DnV thekson gjithashtu që angazhimi publik i Kryeministrit në detyrë gjatë ditës së zgjedhjeve, në disa komuna, e vë në pikëpyetje neutralitetin institucional dhe krijon perceptimin e ndërhyrjes në proces zgjedhor. Ky element, ndonëse nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit, bie ndesh me parimin e barazisë së garës dhe standardet e sjelljes gjatë ditës së zgjedhjeve. DnV thekson se përfundimi i suksesshëm i këtij raundi duhet të pasohet me transparencë dhe saktësi të plotë gjatë procesit të numërimit dhe publikimit të rezultateve. Po ashtu, kërkojmë nga subjektet politike që të presin publikimin e rezultateve preliminare nga KQZ-ja, para se të deklarojnë fitoret, në mënyrë që të ruhet qetësia”, thuhet në komunikatë pas balotazhit në 18 komuna.

Sot gjatë ditës, Kurti qëndroi në disa komuna. Në Mitrovicë madje një kafene u mbyll me arsyetimin për të shmangur tensionet e mundshme.

Tre të ndaluar për vepra penale kundër të drejtave të votimit

11 muaj më parë / 9 nën 2025 19:16
arrestim - pranga

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se deri në këto momente ka ndaluar tre persona për vepra penale që lidhen me procesin zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.

Sipas njoftimit, rreth 80 prokurorë dhe personel i sistemit prokurorial janë angazhuar gjatë gjithë ditës për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe po vazhdojnë punën e tyre edhe gjatë numërimit të votave.

Pas verifikimit të informacioneve të pranuara gjatë ditës, është konstatuar se vetëm dy raste paraqesin elemente të veprave penale kundër të drejtave të votimit.

Rasti i parë është regjistruar në Fushë-Kosovë, ku dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.

Rasti i dytë është regjistruar në Klinë, ku një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Cenim të fshehtësisë së votimit”.

Në balotazh votuan mbi 32.5 për qind e qytetarëve me të drejtë vote

11 muaj më parë / 9 nën 2025 19:16
Balotazhi - 9 nentor

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Mbi 32.5 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në 18 komunat që ishin në balotazh, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë të dielën. Pas procesimit të dhënave prej afro 99 për qind të vendvotimeve në nivel vendi, dalja rezulton se është 32.64 për qind.

Ndërkaq në raundin e parë në të gjitha komunat, dalja ishte rreth 40 për qind.

Festë e LDK-së në Prishtinë

11 muaj më parë / 9 nën 2025 19:14
Përparim Rama

Selia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë është parë në festë menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.

Kryetari aktual i kryeqytetit, Përparim Rama, e shpalli fitoren, duke i uruar aktivistët e partisë.

Përfundon periudha për votim

11 muaj më parë / 9 nën 2025 18:59
zgjedhjet

Foto: Arkiv

Në 18 komunat ku ka pasur balotazh në orën 19:00 ka përfunduar periudha e votimit.

Sipas KQZ-së, procesi ka kaluar kryesisht i qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa gjatë ditës janë raportuar vetëm disa vonesa të vogla në hapjen e qendrave të votimit në disa zona e fotografim të fletëvotimeve.

Rezultatet e para preliminare pritet të publikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë minutave në vazhdim.

Mbi 28% pjesëmarrje në zgjedhje deri në orën 17:00

11 muaj më parë / 9 nën 2025 17:40
Vota

Fiks 28.63 për qind është pjesëmarrja në zgjedhje e qytetarëve me të drejtë vote deri në orën 17:00 nga 100 për qind e vendvotimeve të procesuara, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Duke u mbështetur në të dhënat e publikuara nga KQZ-ja, 376,971 persona kanë votuar deri në këtë orë nga 1 milionë e 316 mijë e 672 votues të regjistruar.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të rundit të parë, pjesëmarrja sot është më e ulët. 

Deri në orën 17:00 më 12 tetor patën votuar 33 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Krahasimi i votimit sot me të raundit të parë: 

AAK-ja ankohet në Junik: Po votojnë edhe ata që s’janë banorë të kësaj komune

11 muaj më parë / 9 nën 2025 17:21
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në komunën e Junikut po votojnë edhe qytetarë që nuk janë banorë të kësaj komune.

Ai ka paralajmëruar edhe padi.

“Të dhënat tona nga shtabi në Junik, tregojnë se shumë persona po marrin pjesë në procesin e votimit në Junik pa qenë banorë të kësaj komune. Kujtojmë se një veprim i tillë përbën shkelje të ligjit dhe çdo rast i tillë do t’i përcillet institucioneve përkatëse, përfshirë Prokurorinë, për hetim dhe veprim, ku do të bëjmë padi për secilin person veç e veç. Ftojmë të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe në përputhje me ligjin”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe në raundin e parë AAK-ja ka pasur ankesë të tillë për votimin në këtë komunë. Në balotazh, Agron Kuçi i AAK-së është përballë Ruzhdi Shehut të LDK-së.

Në një linjë me AAK-në është edhe Jetmir Tofaj, i cili në rundin e parë ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet lokale në Junik.

Ai ka thënë të dielën se ka përpjekje për të deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve të kësaj komune nga individë dhe grupe të caktuara, të cilët sipas tij, po angazhojnë persona që nuk kanë vendbanim në Junik, por megjithatë po paraqiten për të votuar atje.

“Ne kërkojmë publikisht nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës që të ndërmarrin menjëherë masat ligjore për ndalimin e pjesëmarrjes në votim të personave që nuk janë banorë të Komunës së Junikut. I ftojmë qytetarët e Junikut që të ruajnë procesin, të jenë vigjilentë dhe të raportojnë menjëherë çdo përpjekje për manipulim ose presion. Vullneti demokratik duhet mbrojtur nga secili prej nesh”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka shtuar se Juniku nuk lejon manipulim.

Fjalosen dy vëzhgues në Korishë të Prizrenit, intervistohen nga policia

11 muaj më parë / 9 nën 2025 16:59 Nga: Ardona Popova
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 15:30 është raportuar për një sulm verbal në fshatin Korishë të Prizrenit, mes dy qytetarëve, që janë vëzhgues në balotazhin që po mbahet të dielën. 

Policia ka bërë të ditur se të dy janë ftuar në stacion policor për intervistim dhe është konstatuar se incidenti nuk ishte i ndërlidhur me procesin zgjedhor. 

“Rreth orës 15:30 është raportuar një sulm verbal që ka ndodhur në fshatin Korishë të komunës së Prizrenit, në mes të  dy qytetarëve vendas, të cilët janë njëkohësisht vëzhgues të zgjedhjeve. Pas marrjes së informatës, policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe të dy personat janë ftuar në stacionin policor për intervistim. Nga deklarimet e dhëna nga palët e përfshira dhe në konsultim me prokurorin  është konstatuar se incidenti nuk ka qenë i ndërlidhur me procesin zgjedhor. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili do të vendosë për procedurat e mëtejshme në përputhje me kompetencat ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë. 
 

AAK: Po vërehet defilim i zyrtarëve me funksione shtetërore

11 muaj më parë / 9 nën 2025 16:35
Besnik Tahiri

Besnik Tahiri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se në ditën e balotazhit është vërejtur defilim i zyrtarëve që kanë funksione shtetërore.

Në konferencën për media të mbajtur gjatë pasdites, Tahiri ka thënë se bazuar në të dhënat në terren, mbarëvajtja e procesit zgjedhor deri tani ka kaluar mirë pa ndonjë ekses të theksuar.

“Në orët e fundit kemi vërejtur një defilim të zyrtarëve që kanë funksione shtetërore e të cilët kanë kaluar qytete të ndryshme dhe që me një formë apo tjetër kanë ndikim”, ka thënë ai. 

Ai ka shtuar se pjesëmarrja në votime deri tani është më e ulët krahasuar me rundin e parë, por ka bërë thirrje që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike. 

“Sot Kosova do të ketë një verdikt demokratik, le të jetë ai më i vërteti, i lirë dhe demokratik,” ka thënë Tahiri.

Çitaku: Pushtetarët të kenë kujdes se si e shfaqin simpatinë për kandidatët e tyre

11 muaj më parë / 9 nën 2025 16:22
Vlora Çitaku

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e pyetur për vizitën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti në Mitrovicë dhe atmosferën e tensionuar pasi në atë lagje u kundërshtua vizita e tij nga disa qytetarë, deklaroi se personat e veshur me pushtet do të duhej të ishin të vëmendshëm se si angazhohen në mbështetjen e kandidatit të tyre.

Pamje jo të këndshme e quajti edhe reagimin e ministrit të Brendshëm në detyrë Xhelal Sveçla ndaj një aktivisti të LDK-së në Prishtinë.

“Secili është e natyrshme të angazhohet për fitore aty ku garon. Është shumë e rëndësishme mënyra se si angazhohet. Është shumë e rëndësishme të mos ketë intimidim, të mos ketë frikësim, të mos ketë abuzim të pushtetit. Nejrëzit që janë të veshur me fuqi politike, institucionale duhet të jenë shumë të vëmendshëm si e manifestrojnë atë pushtet që e kanë. Kemi parë disa pamje jo të këndshme edhe në Prishtinë, përveç se janë të vrazhda, përveç se nuk i shërbejnë demokracisë do të duhej të ishin të dënueshme nga secili. Qytetarët duhet të lihen të lirë që të vendosin vet për kë duan të votojnë”, deklaroi Çitaku në konferencën për media.

Tutje ajo tha se procesi zgjedhor deri më tani në përgjithësi ka shkuar mirë përveç disa ankesave në disa komuna ku janë penguar të votojnë personat me aftësi të kufizuar. Gjithashtu sipas Çitakut, interesimi i qytetarëve për të votuar po rritet nga ora në orë.

Rritje të interesimit të qytetarëve deri më tani është parë vetëm në Mitrovicë të Jugut, Mamushë e Junik. Te komunat e tjera në përgjithësi ka rënie.
 

KQZ: Votimi me asistencë lejohet vetëm për personat që e dëshmojnë aftësinë e kufizuar

11 muaj më parë / 9 nën 2025 15:47
Vota

Lidhur me ankesat për votimin me asistencë, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka thënë se votimi me asistencë për personat me aftësi të kufizuara, ata që nuk mund ta mbushin dhe nuk mund ta hedhin fletëvotimin, është i garantuar me Ligjin për Zgjedhjet dhe me rregulloret e KQZ-së. 

Ai ka shtuar se për të mos abuzuar me votimin duke i asistuar këta persona, është vendosur që aftësia e kufizuar e votuesit duhet të dëshmohet përmes dokumentit përkatës.

“Kjo nuk nënkupton që në emër të kësaj të drejte të garantuar, të abuzohet dhe në këtë kategori të tentojnë të hyjnë personat që nuk kanë aftësi të kufizuar. Sipas rregullores zgjedhore të KQZ-së, me qëllim të mënjanimit të çfarëdo keqpërdorimi është vendosur që aftësia e kufizuar e votuesit duhet të dëshmohet përmes dokumentit përkatës. Andaj, u bëjmë thirrje këshillave të vendvotimit që të vlerësojnë drejtë dhe sipas legjislacionit në fuqi personat që paraqiten për të votuar me asistencë, e për të cilën çështje janë trajnuar”, ka thënë Radoniqi në konferencën e mbajtur në orën 15:30.

Sipas të dhënave, Radoniqi ka thënë se procesi i votimit deri në këtë kohë është zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe pa pengesa

21.75% pjesëmarrje në votime deri në orën 15:00

11 muaj më parë / 9 nën 2025 15:44
kqz

Deri në orën 15:00 pjesëmarrja në votime në balotazh, pas procesimit të gjitha vendvotimeve, është 21.75 për qind. 

Kanë votuar 286 mijë e 318 votues. 

Në 18 komunat që janë në balotazh, në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor pjesëmarrja deri në orën 15:00 kishte qenë 25.33 për qind. 

"Deri në të njëjtën kohë, në raundin e parë, në këto 18 komuna, kishin votuar 25.33% apo 333 mijë e 489 votues nga 1 milion e 316 mijë e 129 votues. Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë dhe në çdo qendër votimi i gjeni në platformën e KQZ-së, të cilës mund t’i referoheni”, ka thënë kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi në konferencën për media të mbajtur në orën 15:30. 

Sipas të dhënave, Radoniqi ka thënë se procesi i votimit deri në këtë kohë është zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe pa pengesa.
 

Ndalohet një person në Klinë për fotografim të votës

11 muaj më parë / 9 nën 2025 15:33
Votimi

Foto: Ilustrim

Një person është kapur në qendrën e votimit “Fehmi Agani” në Klinë duke e fotografuar votën. 

Menaxheri i qendrës Sami Bardheci ka thënë për KTV-në se për rastin është njoftuar policia dhe tash po merret prokuroria. 

“Personi që e ka fotografuar votën e ka dhënë edhe një emër, që sipas tij, i ka thënë me fotografu votën. Me këtë rast po merret prokuroria”, tha Bardheci.

Ai ka thënë se krahasim me raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, në këtë qendër kësaj radhe ka më pak votues. 
 

Forca të shtuara të policisë në Mitrovicë gjatë vizitës së Kurtit, pronari mbyll kafenenë për t'i shmangur tensionet

11 muaj më parë / 9 nën 2025 15:28 Nga: Valbona Bytyqi
Kurti në Mitrovicë

Në ditën e balotazhit, një situatë jo e qartë është raportuar në lagjen Tavnik të Mitrovicës, pranë Universitetit të qytetit, ku sipas informacioneve të gazetares sonë në terren, Valbona Bytyqi, është paralajmëruar një takim i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. 

Në vendin e ngjarjes janë parë forca të shtuara të Policisë së Kosovës, përfshirë edhe njësinë për mbrojtjen e afërt të kryeministrit. 

Atmosfera është bërë e tensionuar pasi, përveç përkrahësve të Kurtit, në lokalin ku pritej të mbahej takimi është paraqitur edhe një grup qytetarësh që kanë kundërshtuar vizitën e tij.

“Është pothuajse e paqartë se çfarë është epilogu i ngjarjes së cilën aktualisht jam duke e përcjell. Çfarë dimë deri më tani është se ka pasur një paralajmërim që në njërën prej kafeneve të lagjes në Tavnik do të vijë kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe kësisoj ka pasur forca të shtuara të Policisë së Kosovës përfshirë edhe mbrojtjen e afërt të kryeministrit në detyrë. Në kafenenë ku është planifikuar të mbahet një tubim i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me shumë gjasë me simpatizantët e partisë që ai drejton, ka pasur edhe një grup tjetër që e ka kundërshtuar vizitën, takimin e Kurtit”, ka thënë ajo në një lidhje direkte për edicionin special të KTV-së në ditën e zgjedhjeve. 

Disa dhjetëra persona janë larguar nga kafeneja brenda pak minutash, ndërsa aktualisht lokali është mbyllur dhe dritat janë fikur. Në zonë nuk shihen më qytetarë apo klientë, ndërsa ende nuk dihet nëse takimi i paralajmëruar do të mbahet.

Ai ka thënë se për të mos eskaluar situata midis dy grupeve, simpatizantë të partive në garë, e ka mbyllur kafenenë.

“Asnjë palë nuk ka kërkuar që të lirohet hapësira, por për të mos eskaluar situata dhe të bëhet diçka më e madhe... unë e kam marrë vesh prej punëtorëve të mi, më kanë kontaktuar dhe më kanë njoftuar se pi vjen Albin Kurti. Kryeministri nuk ka qenë asnjëherë më parë në kafene”, ka thënë ai.

E Kurti pas mbylljes së kësaj kafeneje ka shkuar në vizitë në një kafene tjetër. Ai nuk është përgjigjur për gazetar. 

Ngjarja po ndodh në kohën kur qytetarët e 18 komunave të Kosovës po votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.