Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lokale

LDK-ja e mban Prishtinën, LVV-ja e merr Mitrovicën

Pas balotazhit të zhvilluar në 18 komuna, të dielën, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike do të udhëheqin me nga shtatë komuna, Partia Demokratike do të jetë në pushtet në gjashtë e AAK-ja në pesë. Pas fitores pa kundërkandidat në Kllokot, Lista Serbe ka fituar në total në dhjetë komuna, të gjitha të banuara me shumicë serbe. Nisma fitoi në rundin e parë në Malishevë, ashtu si Ramiz Lladrovci në Drenas. KDTP-ja doli e para në Mamushë. Balotazhi i së dielës kaloi i qetë dhe pa incidente të mëdha

Beteja finale për pushtetin lokal ka marrë epilog të dielën në balotazhin e zhvilluar në 18 komuna të Kosovës. Nëpërmjet votës, qytetarët vendosën se kush do të udhëheqë në Prishtinë, Prizren, Pejë, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë-Kosovë, Mitrovicë të Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot. 

Procesi ka kaluar i qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa gjatë ditës janë raportuar vonesa në hapjen e qendrave të votimit në disa zona, fotografim të fletëvotimeve, e probleme me votimin me asistencë. 

Mbi 32.5 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në 18 komunat që ishin në balotazh, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë të dielën. Ndërkaq në rundin e parë në të gjitha komunat, dalja ishte rreth 40 për qind.

Balotazhi e konfirmoi hartën e re politike të udhëheqjes së komunave. Vetëm në katër komuna me shumicë shqiptare do të ketë kryetarë të rinj pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor dhe balotazhit më 9 nëntor. Ndryshim të pushtetit ka në Mitrovicën e Jugut, Fushë-Kosovë e Obiliq. Në të tria komunat kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje. Faton Peci fitoi në Mitrovicë, Valon Prebreza në Fushë-Kosovë e Halil Thaçi në Obiliq.

Ndërkohë, në Kaçanik vazhdon të jetë në pushtet Partia Demokratike, por në vend të Besim Ilazit, kryetar do të jetë Sabedin Vishi.

LVV-ja e LDK-ja do të udhëheqin nga shtatë komuna

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas numërimit të votave në shumicën e vendvotimeve, do të udhëheqin nga shtatë komuna. 

Lëvizja Vetëvendosje nga 12 komuna në të cilat garoi në balotazh, ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë. Pati fituar në rundin e parë në Podujevë, Shtime e Kamenicë. 

Kryetari i këtij subjekti, Albin Kurti, ka thënë se ky është sukses i madh marrë parasysh se të gjitha subjektet e tjera, sipas tij, ishin kundër kandidatëve të LVV-së. 

“Është një situatë e paprecedentë në historinë politike elektorale të Kosovës andaj ky është një sukses i VV-së dhe i qytetarëve. Po i presim rezultatet ende në komunat e tjera. Me siguri që do t’iu drejtohemi sërish kur t’i marrim ato, mirëpo tash më duhet të shkojë me nxitim në tubimin festiv së pari në Fushë-Kosovë, pastaj në Kastriot e mandej në Mitrovicë”, ka thënë Kurti në një deklarim pas mbylljes së votimeve. 

Kurti mori pjesë edhe në festën e fitores në Obiliq dhe në Mitrovicë. 

Lidhja Demokratike e Kosovës në raundin e parë pati fituar në Istog e Lipjan, ndërsa në balotazh triumfoi në Prishtinë, Pejë, Dragash, Junik e Viti. Por kjo parti e humbi pushtetin në Obiliq e Fushë-Kosovë. Kandidati i LDK-së për Obiliqin, Xhafer Gashi, i cili udhëhoqi me këtë komunë për 12 vjet, pas humbjes në zgjedhjet lokale ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në parti. 

Pak orë pas mbylljes së kutive të votimit, Lidhja Demokratike e shpalli fitoren në Komunën e Prishtinës. 

Lumir Abdixhiku, kryetar i kësaj partie, në një konferencë për media ka thënë se kjo ka qenë fitore e idesë dhe punës. 

E Përparim Rama ka folur edhe për kundërkandidatin e tij, Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje të cilit i ka kërkuar “reflektim”.

“E ftoj të reflektojë me frymë qytetarie. Prishtina ka nevojë për bashkëpunim jo bllokim. Qytetarët s’meritojnë pengesa, por punë të përbashkët. Për këtë qytetari ka folur dhe fjala e tij është vendim. Prishtina ecën përtej. Është qytet që nuk e pret të ardhmen por e ndërton atë”, ka thënë Rama. 

Kryetari edhe për një mandat i Prishtinës, Përparim Rama, në tubimin festiv pas balotazhit të 9 nëntorit, ka thënë se qytetarët e Prishtinës edhe një herë treguan se dëshirojnë zhvillim e jo bllokim. 
Në fjalën e mbajtur pas fitores ndaj Hajrulla Çekut të Vetëvendosjes, Rama ka thënë se Prishtina tani po bëhet metropol.

“Prishtina tregoi që ka zhvillim, tregoi që nuk dëshiron bllokim. Po shkojmë përpara drejt zhvillimit. E filluam katër vjet më parë me projekte të mëdha për transformim të kryeqytetit tonë të zemrës. Nuk është vend i vogël, Prishtinën tani po e bëjmë metropol së bashku”, ka thënë ai.

Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje e ka uruar Përparim Ramën për fitoren në balotazhin në Prishtinë.

Çeku ka thënë se i uron Ramës fitoren dhe Prishtinës që “të dalë nga kaosi në të cilin është futur”. 

“Kjo fushatë dhe takimet e mia me ju gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë. Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë. Jemi shumë, dhe kjo më jep forcë e besim për të ardhmen e Prishtinës. Kjo garë tregoi se sa shumë njerëz e duan një Prishtinë më të mirë. E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur”, ka shkruar Çeku në Facebook. “Si Lëvizje Vetëvendosje!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund”, ka shtuar ai. 
Partia Demokratike e Kosovës pos Skenderajt, Ferizajt e Hanit të Elezit në raundin e parë, më 9 nëntor fitoi edhe në Prizren, Kaçanik dhe Vushtrri. Por e humbi pushtetin në Mitrovicën e Jugut. 

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një paraqitje për media së bashku me Shaqir Totajn ka shpallur fitoren në Prizren. 

Totaj ka garantuar se Prizreni do të vazhdojë me transformimin.

“Prizreni është qytet me shumë vlera historike. Kjo fitore u takon qytetarëve të Prizrenit sepse kanë dit me votu, kanë dit me vlerësu”, ka thënë Totaj, për të cilin është mandati i dytë në krye të Prizrenit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheqë në 5 komuna. Pas fitores në Deçan, në raund të dytë doli e para edhe në Gjakovë, Suharekë, Rahovec e Klinë. 

“Kemi fituar me 58 për qind të votave, pa i llogarit ato me kusht dhe të diasporës që s’kanë mundësi me ndryshua rezultatin shumë”, është shprehur Ardian Gjini pasi siguroi edhe një mandat në krye të Gjakovës.

“Jemi fitues! Qytetarë të dashur të Rahovecit, fitorja është e jona! Nesër nisim punët e projektet e mëdha, por sonte është festë për të gjithë qytetarët anekënd Rahovecit. Siç kam qenë përherë, edhe në këtë mandat  do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve, me drejtësi, barazi, transparencë e llogaridhënie. Le të mblidhemi nga ora 08:30 në Rahovec, nga ora 09:00 në Krushë të Madhe, nga ora 09:30 në Xërxë, nga ora 10:00 në Fortesë e nga ora 10:30 në Ratkoc! Urime të gjithëve e faleminderit për kulturën e qytetarinë përgjatë këtij procesi demokratik zgjedhor!”, ka shkruar Smajl Latifi, që po ashtu u rikonfirmua kryetar në Rahovec. Edhe ai vjen nga AAK-ja.

Lista Serbe pati fituar 9 komuna në rundin e parë, ndërsa në të dytin pa kundërshtar fitoi në Kllokot dhe është subjekti me më së shumti komuna nën udhëheqje.

Ramiz Lladrovci pati fituar në Drenas, ndërkaq Nisma në Malishevë. Në Mamushë në balotazh ka fituar KDTP-ja.

Në fakt, vetëm në një nga 18 komunat u përmbys rezultati në balotazh në krahasim me rundin e parë. Bëhet fjalë për Obiliqin. Në rundin e parë, Xhafer Gashi i LDK-së ishte i pari me 5859 vota apo 46.20% krahasuar me Halil Thaçin e LVV-së që kishte 5626 vota apo 44.37%.

Por në balotazh, Thaçi mori 6353 vota apo 51.24%. E Gashi siguroi 6046 vota apo 48.76%.

Sipas numrit të popullsisë me komunat ku do të udhëheqin, del se LDK-ja do ta ketë numrin më të madh. Me komunat e fituara i bie që LDK-ja të udhëheqë me 463 mijë  e 963 banorë. PDK-ja është e dyta me 440 mijë e 736 banorë,  LVV e treta me 349 mijë e 410,  AAK-ja me 219 mijë e 512 banorë kurse numri i popullsisë me të cilën do të qeverisë Lista Serbe është 66 mijë 163, në total dhjetë komuna të fituara. Edhe për nga sipërfaqja e territorit nga totali i komunave, LDK-ja ka më së shumti me 2 mijë e 701 kilometra katrorë, pastaj LVV-ja - 2 mijë e 101 kilometra katrorë, PDK-ja - 1 mijë e 993 kilometra katrorë, AAK-ja - 1 mijë e 829, kurse Lista Serbe – 1 mijë e 705 kilomtra katrorë.

Problemet që e shoqëruan procesin  

Gjatë ditës së diel nuk munguan as ankesat për vështirësi në realizimin e të drejtës për të votuar. Mes tyre, drejtoresha ekzekutive e organizatës “Down Sindrome Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri, ka thënë se personave me aftësi të kufizuara nuk iu lejua të votojnë.

Lidhur me ankesat për votimin me asistencë, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë gjatë ditës se votimi me asistencë për personat me aftësi të kufizuara, ata që nuk mund ta mbushin dhe nuk mund ta hedhin fletëvotimin, është i garantuar me Ligjin për Zgjedhjet dhe me rregulloret e KQZ-së. Sipas tij, për të shmangur abuzimet me votimin duke i asistuar këta persona, është vendosur që aftësia e kufizuar e votuesit duhet të dëshmohet përmes dokumentit përkatës.
Ani se nuk pati incidente të mëdha që do ta cenonin procesin e zgjedhjeve, Prokuroria ishte aktive duke iniciuar disa raste. Prokurori i Shtetit ka njoftuar se të dielën ka ndaluar tre persona për vepra penale që lidhen me procesin zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.
Sipas njoftimit, rreth 80 prokurorë dhe personel i sistemit prokurorial janë angazhuar gjatë gjithë ditës për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe kanë vazhduar punën e tyre edhe gjatë numërimit të votave. 

Pas verifikimit të informacioneve të pranuara gjatë ditës, është konstatuar se vetëm dy raste paraqesin elemente të veprave penale kundër të drejtave të votimit.

Rasti i parë është regjistruar në Fushë-Kosovë, ku dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.

Rasti i dytë është regjistruar në Klinë, ku një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Cenim të fshehtësisë së votimit”. 

Pati ankesa edhe nga vetë subjektet politike që ishin në garë, tek paralajmëruan se rastet do t’i deponojnë në Prokurori. 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në Junik kanë votuar edhe qytetarë që nuk janë banorë të kësaj komune.

“Të dhënat tona nga shtabi në Junik, tregojnë se shumë persona po marrin pjesë në procesin e votimit në Junik pa qenë banorë të kësaj komune. Kujtojmë se një veprim i tillë përbën shkelje të ligjit dhe çdo rast i tillë do t’i përcillet institucioneve përkatëse, përfshirë Prokurorinë, për hetim dhe veprim, ku do të bëjmë padi për secilin person veç e veç. Ftojmë të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe në përputhje me ligjin”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe në rundin e parë AAK-ja ka pasur ankesë të tillë për votimin në këtë komunë. Në balotazh, Agron Kuçi i AAK-së u përballë me Ruzhdi Shehun e LDK-së.

Në një linjë me AAK-në ka qenë edhe Jetmir Tofaj, i cili në rundin e parë ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet lokale në Junik.

Ai ka thënë se pati përpjekje për të deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve të kësaj komune nga individë dhe grupe të caktuara, të cilët sipas tij, kanë angazhuar persona që nuk kanë vendbanim në Junik, por megjithatë, janë paraqitur për të votuar.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 15:30 është raportuar për një sulm verbal në fshatin Korishë të Prizrenit, mes dy qytetarëve, që ishin vëzhgues në balotazh. 

Policia ka bërë të ditur se të dy janë ftuar në stacion policor për intervistim dhe është konstatuar se incidenti nuk ishte i ndërlidhur me procesin zgjedhor. 

E ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është përplasur me një aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sveçla e ka fotografuar aktivistin me pretendimin se ai kishte të vendosur një simbol të LDK-së, e që sipas Sveçlës, kjo nuk është e lejuar për shkak të heshtjes zgjedhore. E aktivisti i LDK-së, e ka paralajmëruar Sveçlën se do ta dërgojë në gjykatë, pasi sipas tij, nuk guxon ta fotografojë. 

Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka dënuar këtë sjellje të ministrit Sveçla tek e ka cilësuar shenjë të panikut.

“Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike”, thuhet në reagimin e LDK-së.

DNV: Angazhimi publik i kryeministrit vuri në pikëpyetje neutralitetin institucional

Aktiv në ditën e zgjedhjeve ishte edhe koalicioni i organizatave të shoqërisë civile, “Demokracia në veprim”. Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se angazhimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë ditës duke shkuar në disa komuna, ka vënë në pikëpyetje neutralitetin institucional dhe ka krijuar perceptim të ndërhyrjes në procesin zgjedhor. 

“DnV thekson gjithashtu që angazhimi publik i kryeministrit në detyrë gjatë ditës së zgjedhjeve, në disa komuna, e vë në pikëpyetje neutralitetin institucional dhe krijon perceptimin e ndërhyrjes në proces zgjedhor. Ky element, ndonëse nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit, bie ndesh me parimin e barazisë së garës dhe standardet e sjelljes gjatë ditës së zgjedhjeve. DnV thekson se përfundimi i suksesshëm i këtij raundi duhet të pasohet me transparencë dhe saktësi të plotë gjatë procesit të numërimit dhe publikimit të rezultateve. Po ashtu, kërkojmë nga subjektet politike që të presin publikimin e rezultateve preliminare nga KQZ-ja, para se të deklarojnë fitoret, në mënyrë që të ruhet qetësia”, thuhet në komunikatë pas balotazhit në 18 komuna.

Sipas DNV-së, qytetarët kanë votuar lirshëm, ndërsa procesi në qendra të votimit është menaxhuar në mënyrë përgjithësisht të rregullt. DnV ka thënë se ndryshim ka qenë kufizimi dhe zbatimi më i rreptë i procedurës së votimit me asistencë.

“Një ndryshim i rëndësishëm në këtë raund ka qenë kufizimi dhe zbatimi më i rreptë i procedurës për votimin me asistencë, i cili ka sjellë një ulje të dukshme të rasteve të tilla në krahasim me raundin e parë. Megjithatë, ndryshimi i mënyrës së zbatimit të këtij rregulli nga ana e KQZ-së¸ në mes të dy rundeve, ka krijuar vështirësi për shumë qytetarë – sidomos ata të shtyrë në moshë ose me probleme në shkrim-lexim, të cilët janë kthyer pa mundur të votojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit të kërkuar nga KQZ”, kanë thënë nga DnV-ja.

Gjatë ditës, Kurti ka qëndruar në disa komuna. Në Mitrovicë, një kafene u mbyll me arsyetimin për të shmangur tensionet e mundshme.

Thirrje për proces të qetë e demokratik pati edhe nga presidentja Vjosa Osmani, pasi votoi në kryeqytet. 

Sipas saj, edhe kjo ditë është po aq e rëndësishme sa rundi i parë i zgjedhjeve sepse vendoset përfundimisht se kush do të qeverisë.

“Është ditë po aq e rëndësishme sa rundi i parë i zgjedhjeve. Sot përfundimisht vendosin jo vetëm se kush do të qeverisë, por vendosin edhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Rrjedhimisht shpresoj që secili prej qytetarëve me të drejtë vote do ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe të dalë të votojë. Kosova ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon dhe kjo është pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në votime dhe se organizojmë zgjedhje të lira e demokratike”, ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani.

E pyetur për ndonjë ndikim të mundshëm të rezultatit të zgjedhjeve lokale në ato nacionale, Osmani ka thënë se “këto janë procese të ndara, zgjedhjet komunale nuk kanë ndikim në proceset në nivel nacional në të cilin po kalojmë”.

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka deklaruar se zgjedhjet komunale janë të rëndësishme për dinjitetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. 

I pyetur për qëndrimin e tij të vazhdueshëm në Mitrovicë, Kurti ka thënë se gjatë kësaj fushate ka punuar me tri ndërrime dhe se është përpjekur të vëzhgojë përgatitjet për zgjedhje.

“Gjatë kësaj fushate unë kam punuar në tri ndërrime anë e mbanë Komunave të Kosovës. Jam përpjekur të vëzhgoj të gjitha përgatitjet për zgjedhje. Zgjedhjet komunale janë jo më pak të rëndësishme sesa ato parlamentare e qendrore. Tejet e rëndësishme për mirëqenien e dinjitetin dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve. Fletëvotimi ishte i thjeshtë i kishte vetëm dy emra. Njëri prej tyre medoemos do të fitojë në mbrëmje”, ka deklaruar Kurti.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka përmendur edhe zgjedhjet nacionale pasi ka votuar në kryeqytet. 

Sipas tij, nga e hëna fokusi do të jetë te zgjedhjet nacionale tek shtoi se pritjet janë që në fund të dhjetorit të ketë sërish zgjedhje.

“Menjëherë nga dita e nesërme do të kthejmë fokusin te zgjedhjet nacionale. Pritjet tashmë janë se në fund të dhjetorit do të kemi festën e ardhshme zgjedhore dhe vendimmarrjen demokratike në Republikën e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku. 

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pasi votoi i ftoi të gjithë qytetarët të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën për votë. Krasniqi u shpreh i bindur se sikurse edhe në rundin e parë, procesi do të shkojë me rregull.

“Sot në të gjitha komunat ku ka balotazh për kryetar të komunave, unë i ftoj qytetarët që të dalin dhe të marrin pjesë pavarësisht zgjedhjes së parë që kanë bërë. Secili prej tyre mund ta luajë një rol të rëndësishëm për t’u dhënë drejtim komunave ku jetojnë në katër vjetët e ardhshëm. Me shpresën që do të kemi një dalje masive dhe substanciale që vërtetë do të reflektojë vullnetin e qytetarëve. Uroj që edhe ky proces të shkojë me rregull sikurse rundi i parë. Ditë e mirë për Kosovën, për komunat dhe besoj që përfundimisht do të kemi një përmbyllje të një procesi që i jep drejtim katër viteve të ardhshme”, ka deklaruar Krasniqi.

20 komuna e kanë vendosur kryetarin në rundin e parë, i cili është mbajtur më 12 tetor.

Kryetarët e komunave kanë mandat 4-vjeçar.

LDK-ja e para, do t’i udhëheqë komunat me rreth 460 mijë banorë

11 muaj më parë / 9 nën 2025 22:56
Harta e komunave

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë fituar zgjedhjet lokale në nga shtatë komuna. Por bazuar në numrin e banorëve, sipas regjistrimit të vitit 2024, LDK-ja do të ketë më “shumë pushtet” pasi do të udhëheqë komuna me rreth 100 mijë banorë më shumë se që kanë komunat e fituara nga VV-ja.

LDK-ja ka fituar të dielën në Prishtinë, me numrin më të madh të banorëve në Kosovë, si dhe në Pejë, Viti, Dragash e Junik. Paraprakisht kishte fituar edhe në Lipjan e Istog.

Edhe pse ka marrë një komunë më pak se VV-ja, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në komuna që kanë më shumë banorë dhe është e dyta në këtë ndarje. PDK-ja ka fituar në Prizren, Ferizaj, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik e Han të Elezit. Në total ajo udhëheq në komuna me rreth 390 mijë banorë.  

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Gjilan e Mitrovicë të Jugut si dy prej shtatë qendrave më të mëdha të Kosovës. Kjo parti po ashtu ka fituar në Podujevë, Shtime e Kamenicë në raund të parë dhe në Fushë-Kosovë e Obiliq në raund të dytë. Në total, kjo parti udhëheq në komunat me rreth 350 mijë banorë.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në pesë komuna me rreth 220 mijë banorë. Ajo ka fituar në Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë e Deçan.

Edhe pse ka fituar në 10 komunat me shumicë serbe, Lista Serbe udhëheq në komunat me rreth 65 mijë banorë

Malishevë me rreth 42 mijë banorë dhe Drenasi me 47 mijë udhëhiqen nga Nisma dhe Ramiz Lladrovci si kandidat i pavarur.

Edhe për nga sipërfaqja e territorit nga totali i komunave, LDK-ja ka më së shumti me rreth 2700 kilometra katrorë. LVV-ja me rreth 2100 kilometra katrorë, PDK-ja me rreth 1990 kilometra katrorë, AAK-ja me rreth 1830 kilometra katrorë kurse Lista Serbe me rreth 1700 kilometra katrorë.  

Çeku uron Ramën: Prishtinës i uroj të dalë nga kaosi

11 muaj më parë / 9 nën 2025 22:24
Hajrulla Ceku

Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, ka uruar Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për fitoren në balotazhin në Prishtinë.

Çeku ka thënë se i uron Ramës fitoren dhe Prishtinës që “të dalë nga kaosi në të cilin është futur”.

Ai është zotuar për përkushtim ndaj Prishtinës dhe opozitarizëm në Kuvendin Komunal.

“Kjo fushatë dhe takimet e mia me ju gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë. Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë. Jemi shumë, dhe kjo më jep forcë e besim për të ardhmen e Prishtinës. Kjo garë tregoi se sa shumë njerëz e duan një Prishtinë më të mirë. E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur”, ka shkruar Çeku në Facebook. “Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund”.

Rama fitoi në balotazh me rreth 2800 vota më shumë se Çeku.

Rama: Prishtina tregoi që nuk e do bllokimin

11 muaj më parë / 9 nën 2025 21:56
Përparim Rama

Kryetari edhe për një mandat i Prishtinës, Përparim Rama, në tubimin festiv pas balotazhit të 9 nëntorit, ka thënë se qytetarët e Prishtinës edhe një herë treguan se dëshiron zhvillim e jo bllokim. 

Në fjalën e mbajtur pas fitores ndaj Hajrulla Çekut të Vetëvendosjes, Rama ka thënë se Prishtina tani po bëhet metropol.

“Prishtina tregoi që ka zhvillim, tregoi që nuk dëshiron bllokim. Po shkojmë përpara drejt zhvillimit. E filluam katër vjet më parë me projekte të mëdha për transformim të kryeqytetit tonë të zemrës. Nuk është vend i vogël, Prishtinën tani po e bëjmë metropol së bashku”, ka thënë ai.

Rama tutje ka bërë thirrje për pushtetin qendror që të jetë bashkëpunues me kryeqytetin.

“E thërras qeverinë e tashme në detyrë dhe çfarëdo qeverie në të ardhmen që të jetë bashkëpunuese me kryeqytetin sepse kryeqyteti është zemra e gjithë Kosovës dhe e kombit tonë, prandaj kushdo që vjen në nivel qendror duhet të jetë bashkëpunues. E dini që i kam premtuar 1.5 miliardë investime, kështu që së bashku do ta transformojmë kryeqytetin e zemrës”, është shprehur ai.

KQZ-ja shpall rezultatet preliminare

11 muaj më parë / 9 nën 2025 21:44
kqz

Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare për garën e balotazhit.

Sipas rezultateve, LDK-ja ka fituar më shumë komuna në rundin e dytë. Përparim Rama fitoi në Prishtinë, Gazmend Muhaxheri në Pejë, Bexhet Xheladini në Dragash, Ruzhdi Shehu në Junik e Sokol Haliti në Viti.

LVV-ja me Faton Pecin fitoi në Mitrovicë të Jugut, Alban Hysenin në Gjilan, Halil Thaçin në Obiliq e Valon Prebrezën në Fushë-Kosovë.

AAK-ja doli e para në Gjakovë me Ardian Gjinin, Bali Muharremajn në Suharekë, Smajl Latifi në Rahovec e Zenun Elezajn në Klinë.

PDK-ja fitoi në Prizren me Shaqir Totajn, në Kaçanik me Sabedin Vishin dhe në Vushtrri me Ferit Idrizin.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se shpreson që brenda javës së dytë të shpallen rezultatet përfundimtare të balotazhit që u mbajt sot. 

Ai ka thënë se votat e diasporës pritet të nisen gjatë fillimit të javës së ardhshme. 

Ai ka thënë se sipas ligjit votat do të nisen nesër e pasnesër, ndërsa në disa vende ku e hëna e marte e ardhshme janë pushim, do të nisen të mërkurën. 

“Deri në fund të javës së ardhshme shpresojmë t’i pranojmë të gjitha votat e diasporës, të shohim me dërgesat nga Australia e SHBA-ja nëse do të vijnë me kohë. Me rastin e arritjes do t’i vlerësojmë dhe do të fillojë numërimi. Shpresojmë që brenda javës së dytë t’i kemi rezultatet përfundimtare”, ka thënë Radoniqi në konferencë për media. 

Kurti: Fushë-Kosova do ta ketë mbështetjen e fuqishme të Qeverisë dhe timen si kryeministër

11 muaj më parë / 9 nën 2025 21:34
Albin Kurti

Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në tubimin festiv të kësaj partie në Fushë-Kosovë ku VV-ja fitoi në balotazh përball LDK-së, ka thënë se kjo komunë do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe të tij si kryeministër. 

Kurti nga Fushë-Kosova ka premtuar se Vetëvendosja do ta bëjë ndryshimin e madh me kryetarin e ri.

“Pas dy dekadave të partisë pushtet, të pushtetit parti, LVV-ja e bëri ndryshimin e madh me kryetarin e ri. Valon Prebreza do të sjellë demokraci, mirëqenie, zhvillim dhe funksionalitet, dinjitet dhe barazi për të gjithë. Këto janë zgjedhjet e katërta në të cilat VV-ja merr pjesë në garat për komunat e Kosovës. Valon Prebreza do ta ketë mbështetjen e fuqishme të parezervë, të pakursim e papushim të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe timen si kryeministër”, ka thënë Kurti. 

Pas 25 vjetëve Fushë-Kosova më nuk do të udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës. 

Valon Prebreza i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të marrë drejtimin e Fushë-Kosovës. 
Kur janë procesuar 81.36 për qind të vendvotimeve, Prebreza kryeson me 8575 vota, ndërsa Besnik Osmani i LDK-së i ka 7031 vota. 

VIDEO:

Vetëm në katër komuna kryetarë të rinj

11 muaj më parë / 9 nën 2025 21:25
Faton Peci

Vetëm në katër komuna me shumicë shqiptare do të ketë kryetar të rinj pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor dhe ato të balotazhit më 9 nëntor.

Ndryshim të pushtetit ka vetëm në Mitrovicën e Jugut, Fushë-Kosovë e Obiliq. Në të tria komunat kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Faton Peci fitoi në Mitrovicë, Valon Prebreza në Fushë-Kosovë e Halil Thaçi në Obiliq.

Ndërkohë, në Kaçanik vazhdon të jetë në pushtet Partia Demokratike e Kosovës. Por në vend të Besim Ilazit, kryetar do të jetë Sabedin Vishi.

Kurti: Të gjitha partitë ishin bashkë kundër VV-së

11 muaj më parë / 9 nën 2025 21:09
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka cilësuar sukses për partinë e tij fitoren në 7 komuna në nivel vendi në zgjedhjet lokale. Sipas tij, fitorja në katër komuna në balotazh u arrit pavarësisht se “të gjithë të tjerët janë bashkuar kundër VV-së”.

“Është një situatë e paprecedentë në historinë politike elektorale të Kosovës andaj ky është një sukses i VV-së dhe i qytetarëve. Po i presim rezultatet ende në komunat e tjera. Me siguri që do t’iu drejtohemi sërish kur t’i marrim ato, mirëpo tash më duhet të shkojë me nxitim në tubimin festiv së pari në Fushë-Kosovë, pastaj në Kastriot e mandej në Mitrovicë”, ka thënë Kurti në një deklaratë për mediat.

Lëvizja Vetëvendosje pati fituar në raundin e parë në Podujevë, Shtime e Kamenicë. Ndërsa nga 12 komuna në të cilat garoi në balotazh, ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë.

Hartë e re e partive nëpër komuna

11 muaj më parë / 9 nën 2025 21:05
Harta e komunave

Ngjyra të reja ka marrë harta politike e udhëheqjes së komunave në Kosovë, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtur më 9 nëntor. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas numërimit të votave në vendvotime, kanë siguruar udhëheqjen e nga shtatë komunave.

Lëvizja Vetëvendosje pati fituar në raundin e parë në Podujevë, Shtime e Kamenicë. Ndërsa nga 12 komuna në të cilat garoi në balotazh, ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë.

Lidhja Demokratike e Kosovës në raundin e parë pati fituar në Istog e Lipjan, ndërsa në balotazh triumfoi në Prishtinë, Pejë, Dragash, Junik e Viti.

Partia Demokratike e Kosovës pos Skenderajt, Ferizajt e Hanit të Elezit në raundin e parë, më 9 nëntor fitoi edhe në Prizren, Kaçanik dhe Vushtrri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheqë në 5 komuna. Pas fitores në Deçan, në raund të dytë doli e para edhe në Gjakovë, Suharekë, Rahovec e Klinë.

Lista Serbe pati fituar 9 komuna në raundin e parë, ndërsa në të dytin pa kundërshtar fitoi në Kllokot dhe është subjekti me më së shumti komuna nën udhëheqje.

Ramiz Lladrovci veçse pati fituar në Drenas, sikurse edhe Nisma në Malishevë.

Në Mamushë në balotazh ka fituar KDTP-ja.

Përfundon numërimi në Vushtrri, Idrizi edhe një mandat në krye

11 muaj më parë / 9 nën 2025 21:04
Ferit Idrizi

Ferit Idrizi i PDK-së do të drejtojë Vushtrrinë edhe për një mandat. Kur janë numëruar të gjitha votat, bazuar në rezultatet preeliminare Idrizi ka marrë 14 mijë e 427 vota, ndërsa Sylejman Meholli i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 12 mijë e 158. 

PDK-ja, bazuar në rezultatet preeliminare, në balotazh ka fituar edhe në Prizren me Shqir Totajn e Kaçanik me Sabedin Vishin. 
Idrizi e ka shpallur fitoren. 

“Të dashur qytetarë të Vushtrrisë. Fitorja e sotshme, është e gjitha meritë e secilit prej jush që ka besuar fuqishëm nga dita e parë në vizionin tonë, duke na nderuar me mandatin tonë të dytë. Ka qenë një proces i jashtëzakonshëm e demokratik, andaj ju falënderoj nga zemra secilin prej jush për secilën votë, fjalë e mesazh. Do të vazhdoj të jem kryetari i të gjithë qytetarëve, pa dallim. E këtë mandat, projekte të mëdha na presin. Shihemi sonte nga ora 21:00 në sheshin “Adem Jashari”, ta festojmë bashkë këtë fitore tonën”, ka shkruar Idrizi në Facebook. 

 

Vetëm në një nga 18 komunat u përmbys rezultati në balotazh

11 muaj më parë / 9 nën 2025 20:58
vota

Vetëm në një nga 18 komunat u përmbys rezultati në balotazh në krahasim me rundin e parë. Bëhet fjalë për Obiliqin.

Në rund të parë, Xhafer Gashi i LDK-së ishte i pari me 5859 vota apo 46.20% krahasuar me Halil Thaçin e LVV-së që kishte 5626 vota apo 44.37%.

Por në balotazh, Thaçi mori 6353 vota apo 51.24%. E Gashi pati 6046 vota apo 48.76%.

AAK-ja shpall fitoren në 4 komuna

11 muaj më parë / 9 nën 2025 20:53
Ardian Gjini

Aleanca për Ardhmëri të Kosovës ka shpallur fitore në 4 komuna. Në balotazhin e mbajtur të dielën, kandidatët e AAK-së kanë fituar në Gjakovë, Suharekë, Rahovec dhe Klinë.

Ardian Gjini ka fituar edhe një mandat në Gjakovë, i treti për të. Ai ka marrë mbi 56 për qind të votave, duke mposhtur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola. 

“Kemi fituar me 58 për qind të votave, pa i llogarit ato me kusht dhe të diasporës që s’kanë mundësi me ndryshua rezultatin shumë”, tha Gjini.

Në Suharekë, Bali Muharremaj, ka marrë edhe një mandat, duke e mposhtur Ardian Shalën e LDK-së në balotazh. 

Në Rahovec, Smajl Latifi, do të udhëheqë edhe për një mandat. Ai mposhti në balotazh Ali Dulën e Vetëvendosjes. 

“JEMI FITUES! Qytetarë të dashur të Rahovecit, fitorja është e jona! Nesër nisim punët e projektet e mëdha, por sonte është festë për të gjithë qytetarët anekënd Rahovecit. Siç kam qenë përherë, edhe në këtë mandat  do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve, me drejtësi, barazi, transparencë e llogaridhënie. Le të mblidhemi nga ora 08:30 në Rahovec, nga ora 09:00 në Krushë të Madhe, nga ora 09:30 në Xërxë, nga ora 10:00 në Fortesë e nga ora 10:30 në Ratkoc! Urime të gjithëve e faleminderit për kulturën e qytetarinë përgjatë këtij procesi demokratik zgjedhor!” – ka shkruar Latifi. 

E Zenun Elezaj do të jetë në krye të Klinës edhe për 4 vjet. Ai mposhti në balotazh Sokol Bashotën e PDK-së. 

“Fitore e madhe!  Fitore e të gjithë qytetarëve të Klinës!  Faleminderit secilit qytetar për besimin dhe mbështetjen! Kjo është fitore e përbashkët, fitore e punës, e besimit dhe e dashurisë për Klinën tonë. Urime!” – ka shkruar Elezaj në Facebook. 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kanë rritur votat në nivel nacional dhe se kanë fituar në të gjitha komunat që ka qeverisur deri tani.

Ai para mediave ka përgëzuar kandidatët e komunave ku si parti kanë fituar zgjedhjet.

“Urime të gjithë qytetarëve të vendit, të gjithëve, për zgjedhjet e lira e të mira që kanë ndodhur sot. I falënderoj të gjitha institucionet e vendit për punën që kanë bërë. Po ashtu, i bashkohem festës në Suharekë ku po festojnë kolegët tonë. Qytetarët e Suharekës i përgëzoj për fitoren e tyre. Vërtet kryetari Bali Muharremaj është kryetari më i mirë. I bashkohem festës në Rahovec. Qytetarët e Rahovecit i janë bashkuar kryetarit të tyre, Smajl Latifit. I bashkohem po ashtu festës në Gjakovë. Ardian Gjini e ka arritur fitoren më bindëse të mundshme, ky është një lajm i mirë edhe për Gjakovën sepse vërtet ka bërë një punë të mirë. I bashkohem festës në Klinë, kryetari Zenun Elezaj ka fituar bindshëm. Deçani vazhdon me festu, edhe pse në rund të parë. AAK i ka fituar të gjitha komunat që ka qeverisur me to. Është një rezultat i mirë, jemi të gëzuar. Është një ndjenjë përgjegjësie, i lus kryetarët që të punojnë”, tha ai.

Sipas tij, është konfirmuar një besim i rritur për AAK-në në nivel nacional.

“Kemi marrë për parti 87 mijë e 500 vota, e kemi rritu numrin prezencën tonë, në disa komuna do të qeverisim, në disa tjera do të bashkë qeverisim”, tha ai.
 

Xhafer Gashi jep dorëheqje nga të gjitha funksionet në LDK

11 muaj më parë / 9 nën 2025 20:46
Xhafer Gashi

Kandidati i LDK-së për Obiliqin, Xhafer Gashi, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në këtë parti pas humbjes në zgjedhjet lokale.

“Falënderoj secilin prej juve edhe shumë të tjerë që s’janë prezentë këtu. Meqenëse jemi mundu me organizu, ndoshta nuk ia kemi dalë për arsye se dikun na kanë vjedhë atëherë unë si kryetar i degës së LDK-së në Obiliq e marr përgjegjësinë për humbjen dhe jap dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm, nga kryesia e Lidhjes Demokratike dhe nga kryetar i nëndegës. Do të jem gjithmonë mbështetës i LDK-së”, ka thënë Gashi.

Gashi ishte kryetar i Obiliqit për 12 vjet.

Në balotazh u mposht nga Halil Thaçi i LVV-së.

PDK-ja e shpall fitoren në Prizren

11 muaj më parë / 9 nën 2025 20:40
Shaqir Totaj

Shaqir Totaj do të jetë në krye të Prizrenit edhe për 4 vjet. Kur janë procesuar 97.46 të vendvotimeve, bazuar në rezultatet preeliminare të KQZ-së, Totaj kryeson me 24 mijë e 711 vota, ndërsa Artan Abrashi i Vetëvendosjes i ka 21  mijë e 100 vota. 

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një paraqitje për media së bashku me Totajn ka shpallur fitoren në Prizren. 

Ai ka thënë se garanton që Prizreni do të vazhdojë transformimin. 
 

LDK-ja shpall fitoren në pesë komuna

11 muaj më parë / 9 nën 2025 20:35
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpallur fitoren në Komunën e Prishtinës, në balotazhin e së dielës. Lumir Abdixhiku, kryetar i kësaj partie, në një konferencë për media ka thënë se kjo ka qenë fitore e idesë dhe punës.

Abdixhiku ka thënë se pos Prishtinës, LDK-ja ka fituar edhe në Pejë, Viti, Dragash e Junik në balotazh, pos Lipjanit e Istogut që kishte fituar në raundin e parë.

Sipas tij, me shtatë komuna “LDK-ja është partia me numrin më të madh të komunave me të cilat do të qeverisë”.

E PërRama ka folur edhe për kundërkandidatin e tij, Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje të cilit i ka kërkuar “reflektim”.

“E ftoj të reflektojë me frymë qytetarie. Prishtina ka nevojë për bashkëpunim jo bllokim. Qytetarët s’meritojnë pengesa, por punë të përbashkët. Për këtë qytetari ka folur dhe fjala e tij është vendim. Prishtina ecën përtej. Është qytet që nuk e pret të ardhmen por e ndërton atë”, ka thënë Rama.

Hyseni shpall fitoren në Gjilan

11 muaj më parë / 9 nën 2025 20:34
Alban Hyseni

Alban Hyseni i Vetëvendosjes ka shpallur fitoren në Gjilan. Ai do ta drejtojë këtë komunë edhe për 4 vjet. 

Bazuar në rezultatet preeliminare të publikuara nga KQZ-ja, Hyseni ka fituar 61.06 për qind të votave, ndërsa Arbër Ismajli i LDK-së i ka 38.94 për qind. 

“Unë jam shumë i nderuar që përmes jush e shpalli fitoren në komunën e Gjilanit. Rezultati është i bindshëm dhe i thellë të fitores sonë, mbi 60 për qind”, tha Hyseni.

 

Alijaj: AAK-ja u bë argat i LDK-së në Prishtinë, e PDK-ja e bindi votuesin për Ramën

11 muaj më parë / 9 nën 2025 20:27
Artan Alijaj

Njohësi i çështjeve politike, Artan Alijaj, ka vlerësuar se bashkëpunimet politike që janë parë në nivel qendror tashmë janë reflektuar edhe në zgjedhjet lokale, veçanërisht në Prishtinë.

Në edicionin special të KTV-së për balotazhin në 18 komunat, Alijaj ka thënë se në kryeqytet tashmë “është punë e kryer” që ekziston një koalicion i heshtur mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Këto koalicione tashmë janë materializuar edhe në nivelin lokal, mendoj se edhe në Prishtinë veçmë është punë e kryer që kemi një koalicion mes LDK-së, PDK-së e AAK-së. Mendoj se qysh në rundin e parë AAK-ja ia ka dhënë argatin LDK-së, pasi që ishin votat e AAK-së që ia mundësuan pjesëmarrjen në balotazh z.Rama, ndërsa po shihet që ka arritur PDK-ja të bindë votuesin e vet që të votojë për z.Rama dhe si rezultat, duke iu falënderuar ndoshta votës së PDK-së, z.Rama do të jetë kryetar edhe për katër vjet”, ka thënë ai. 

Sipas tij, po të mos ekzistonte bllokada në nivel qendror, PDK-ja dhe kandidati i saj, Uran Ismaili, do të kishin mundësinë të konsideronin një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ky është rezultat i kësaj bllokade që e kemi në nivel qendror, po të mos ishte kjo bllokadë, PDK-ja dhe Uran Ismaili do ta konsideronin ndoshta një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë ai.
 

Pas 25 vjetëve Fushë-Kosova nuk është bastion i LDK-së

11 muaj më parë / 9 nën 2025 20:24
Valon Prebreza

Pas 25 vjetëve Fushë-Kosova më nuk do të udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës. 
Valon Prebreza i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të marrë drejtimin e Fushë-Kosovës. 

Kur janë procesuar 81.36 për qind të vendvotimeve, Prebreza kryeson me 8575 vota, ndërsa Besnik Osmani i LDK-së i ka 7031 vota. 

LDK-ja ka udhëhequr me Fushë-Kosovën që nga paslufta. 
 

Bali Muharremaj fiton edhe një mandat

11 muaj më parë / 9 nën 2025 20:24
Bali Muharremaj

Bali Muharremaj i AAK-së e ka fituar mandatin e tretë si kryetar i Suharekës.

Pas numërimit të të gjitha votave, Muharremaj ka marrë 11.640 vota apo 55.60%.

Ardian Shala i LDK-së ka marrë 9295 vota 44.40%.

Përmes një shkrimi në Facebook, Shala ia uroi fitoren Muharremajt. 

Garë shumë e ngushtë në Obiliq, Viti e Kaçanik

11 muaj më parë / 9 nën 2025 20:15
Votat - QNR

Foto: Ilustrim

Photo: Driton Paçarada

Gara në komunat e Obiliqit, Vitisë e Kaçanikut është shumë e ngushtë. 

Në Obiliq, pas procesimit të 69.70 për qind të vendvotimeve, Halil Thaçi i Lëvizjes Vetëvendosje kryeson me 4292 vota e Xhafer Gashi i LDK-së i ka 4187 vota.  

Në Kaçanik, Sabedin Vishi i PDK-së po kryeson me 6042 vota, ndërsa Jeton Raka i Vetëvendosjes i ka 5867 vota, ndërsa janë procesuar 81.82 për qind të vendvotimeve. 

Në Viti pas procesimit të 84.38 për qind të vendvotimeve, po kryeson Sokol Haliti i LDK-së me 6792 vota, ndërsa Arsim Ademi i Vetëvendosjes i ka 6405 vota.

 

Gjini drejt edhe një mandat në krye të Gjakovës

11 muaj më parë / 9 nën 2025 20:04
Ardian Gjini

Ardian Gjini

Ardian Gjini i AAK-së do të jetë edhe një mandat në krye të Gjakovës. 

Bazuar në rezultatet preeliminare të publikuara nga KQZ-ja, kur janë procesuar 84.25 për qind të vendvotimeve, Gjini kryeson me 57.60 për qind të votave, ndërsa kundërkandidati i tij në balotazh Ardian Gola i Lëvizjes Vetëvendosje i ka 42.40 për qind. 

Për Gjinin do të jetë mandati i tretë në krye të Gjakovës.